Kajro, 3 gusht 2011, NOA – Ka nisur para pak minutash në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, procesi historik i gjyqit kundër ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak dhe dy bijve të tij.
Ish-presidenti egjiptian i rrëzuar me protesta popullore pas mëse 30 vitesh në pushtet akuzohet për vrasjen e qindra civilëve gjatë protestave antiqeveritare në muajin shkurt dhe për korrupsion.
Agjencia e lajmeve Reuters përmes një mbulimi direkt të kësaj ngjarjeje historike për popullin egjiptian tregoi pamjet kur ish-presidentin e futën në kafazin e të pandehurit në sallën e Akademisë së Policisë ku do të mbahet gjyqi historik.
I shtrirë në barrelë për shkak të sëmundjes, Mubarak hyri në kafaz bashkë me dy djemtë e tij, Gamal e Alla Mubarak, që të tre të veshur me tunikën e bardhë të të pandehurit.
Që në hyrje të seancës Mubarak i kërkoi avokatëve mbrojtës t’i parashtrojnë trupit gjykues faktet e tyre të mbrojtjes.
Qindra njerëz, avokatë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe familjarë të viktimave kundër regjimit ishin në pritje të hyrjes së ish-presidentit në Akademinë e Policisë. Mubarak mbërriti me një ambulancë, por televizioni egjiptian nuk ua mundësoi shtetasve të vet mbërritjen e ish-kreut të shtetit në sallën ku do të mbahet gjyqi.
Procesi gjyqësor kundër Mubarak është momenti historik për dhjetëra mijë personat që përjetuan e morën pjesë në revolucionin e 11 shkurtit që i dha fund regjimit 30-vjeçar të Mubarakut.
Nëse akuzat e tij për vrasjen e civilëve vërtetohen atëherë ish-presidenti mund të dënohet me vdekje.
Ndërkohë mediat e huaja bënë me dije se mbrëmjen e të martës tre persona mbetën të plagosur në përleshjet para spitalit të Sharm el Sheikh, në gadishullin egjiptian të Sinait, ku mbahet i burgosur ish-presidenti.
Po kështu mbrëmë gazetarja e BBC-së Shayma Khalil, e ndaluar nga forcat e armatosura në përpjekje për të larguar manifestuesit nga sheshi qendror është liruar, pasi u mbajt 20 orë në një bazë ushtarake.
mit/NOA