Tiranë, 3 gusht 2011, NOA- Në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin e Jashtëm të Kinës Yang Jiechi, shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto u shpreh se mes dy vendeve bashkëpunimi është në nivele të larta.
Më tej ai tha se mes dy vendeve ekziston klimë e shkëlqyer bashkëpunimi duke theksuar se është i nevojshëm thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimeve Shqipëri- Kinë, ku nënvizoi faktin se Kina është partneri i tretë i Shqipërisë.
Nga ana e tij ministri Jiechi u shpreh se, dy vendet po i forcojnë në vijimësi marrëdhëniet dhe se kjo flet për një të ardhme të mirë.
Jeichi theksoi se, “Biznesi kinez ka bërë një sërë investimesh në Shqipëri, por në vitet në vijim ato do të shtohen më tej, pasi klima në vend paraqet angazhim edhe për vendet e rajonit”.
Ministri kinez vlerësoi më tej zhvillimin dhe hapat pozitiv të ekonomisë si dhe të vendit në përgjithësi.
Sakaq Jeichi shprehu më tej mbështetjen e vendit të tij në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar faktin se Ballkani është pjesë e rëndësishme e Europës.
Në mbyllje të konferencës së përbashkët Haxhinasto e njohu homologun e tij me faktin se shqiptarët që prej dhjetorit të kaluar lëvizin të lirë drejt hapësirës Schengen.
Ndërkaq vizita e ministrit të jashtëm kinez vjen në vigjilje të 40-vjetorit të ri-pranimit të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa më pas ai do të vijojë një tur vizitash në Europë dhe Afrikë.
Gjatë ditës së nesërme, kryediplomati kinez do të pritet në takime të veçanta nga kryeministri Sali Berisha, presidenti Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
a.y/NOA