Nga Arian Vasiari
Ekziston vetëm një pengesë reale për t’u kapërcyer në debatin mbi revizionimet e kartës kushtetuese: keqkuptimi që Edi Rama dhe Sali Berisha kanë mbi këto ndryshime. Nuk është fare e vështirë për t’u kuptuar se, qoftë gatishmëria e të parit, qoftë refuzimi i të dytit, nuk kanë asgjë parimore. Eshtë thjesht një keqkuptim i madh politik, i cili në rastin e zotit Rama, shkaktohet nga ideja se përmes ndryshimeve mund të provokohet afrimi i pushtetit, kurse në rastin e zotit Berisha, nga ideja se mosndryshimet mbrojnë pushtetin. Eshtë shumë e vështirë t’i largosh nga kjo kolerë pozicionesh por, përpjekja është detyrim publik.
Hipoteza themelore e debatit duhet të ndërtohet mbi pyetjen: përpos asaj çfarë, si dhe qysh ndodhi më 2008, me ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit, a është ky ligj një dokument politik solid apo arkitektura konstitucionale e sistemit tonë ka të krisura serioze, që duhen meremetuar në mënyrë urgjente? Asnjë opinion serioz deri më sot nuk ka dëshmuar në favor të kushtetutës pas ndërhyrjeve të 2008. Askush nuk ka pasur ndonjë argument të respektueshëm në favor të atyre ndryshimeve, përveç konsensualitetit që çuditërisht palët e gjetën lirë dhe me shumicë. Kështu që, është pa asnjë kuptim të akreditosh ortakërinë kushtetuese të palëve më 2008, si një vlerë demokratike. Ato ndryshime nuk ishin as një vepër e kulturës kushtetuese, as një përpjekje për të shëndoshur sistemin dhe as një nevojë për të tejkaluar një impas institucional, për shkak të lagunave të kushtetutës. Jo! Ato ndryshime erdhën prej padijeve të thella të Edi Ramës, mbi politikën dhe kapacitetit të jashtëzakonshëm të Sali Berishës për të kalkuluar politikisht. Kaq e thjeshtë është! Atëherë, a duhet ndërhyrë në kushtetutë? Po, karta themelore e shtetit tonë ka nevojë të rimëkëmbet! Ka nevojë të ristabilizojë në mënyrë të qartë parimin e check and balance; ka nevojë të rishikojë me seriozitet profilin gati autarkik të ekzekutivit dhe shefit të tij; ka nevojë të konsiderojë urgjentisht instancën e kreut të shtetit dhe zgjedhjen e tij; ka nevojë, tek e fundit, të shqyrtojë pa asnjë kompleks edhe bikameralizmin si një nevojë dialektike në përsosjen e parlamentarizmit. Por a mund të bëhet ky operacion mbi kartën themelore? Mundet, por me disa parakushte. Së pari, duke mos e përdorur nevojë për revizionime të kushtetutës si mjet presioni politik. Kjo është një reformë që kërkon një relaks politiko-social, që nuk duhet t’i ngjajë kurrsesi as formulës përjashtuese të hartimit të kushtetutës më 1998 dhe as pazarllëkut të shëmtuar bipartizan të ndryshimeve të 2008. Së dyti, me reformën kushtetuese nuk duhet operuar në terma kohorë. Ne nuk jemi në emergjencë kushtetuese dhe nuk ka asnjë logjikë juridike që të vendosim afate për ndryshimet. Kushtetuta është çështje serioze, kërkon një reflektim të thellë juridik dhe nuk mund të trajtohet me të njëjtën mëndjelehtësi si, fjala vjen, ligji për duhanin. Precedenti i rrezikshëm i kirurgjive të thella mbi një kushtetutë, që ka vetëm trembëdhjetë vjet jetë, duhet të marrë fund. Dhe së treti (dhe më esencialia) palët duhet të dizintoksikohen nga keqkuptimi fiks, se fati i pushtetit është në varësi të drejtpërdrejtë me ndryshimet kushtetuese. Nuk kanë asnjë lidhje, asnjë ndërvarësi. Edi Rama duhet t’i nënshtrohet logjikës së periodicitetit të zgjedhjeve, për të marrë pushtetin dhe jo fantapolitikës. Sali Berisha duhet t’i nënshtrohet logjikës së dekoncentrimit të pushtetit dhe jo të kundërtës. Revizionimet e nevojshme të kushtetutës janë një shanc i artë që të dy të dëshmojnë pjekuri pas dy vjetësh irracionalitet. Kushtetuta, ndonëse e lënduan të dy më 2008, po tregohet “bujare”, po u jep një mundësi të re politike. Varet nëse ata do ta kuptojnë apo keqkuptojnë këtë!