E mërkurë, 3 gusht 2011, NOA/ Ruben Avxhiu- Miku i njohur i shqiptarëve, në Michigan, mban fjalim në Kongresin Amerikan në mbështetje të nismës së qeverisë kosovare dhe dënon dhunën e serbëve në veri.
Ditën e martë, kongresisti Gary Peters bëri një deklaratë në Kongresin Amerikan për të dënuar dhunën serbe në veri të Kosovës dhe në mbështetje të qeverisë së Kosovës.
“Zoti Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve – Po marr fjalën sot mbi dhunën e fundit në Kosovë dhe për të duartrokitur veprimet e Patrullës Kufitare të qeverisë kosovare”, e nisi ai fjalimin duke shtuar se “Si një vend i pavarur dhe sovran, Kosova meriton të drejtën për të mbrojtur qytetarët e saj dhe për të ruajtur kufijtë e saj”.
Kongresisti Peters tha se mbështet fuqimisht përpjekjet e Kosovës për të mbajtur nën kontroll kufijtë e saj dhe vuri në dukje veprimet e vazhdueshme diskriminuese të Serbisë që prej shpalljes së pavarësisë në 2008.
Ai tha se nisma e qeverisë së Kosovës ishte një përgjigje e natyrshme karshi refuzimit të fqinjit të saj verior për t’i njohur legjitimitetin, për t’i pranuar mallrat dhe për të ndalur kontrabandën që lëvizte lirisht në kufirin verior.
“Është jetike që qeveria kosovare të rivendosë integritetin territorial brenda kufijve të saj”, tha kongresisti Peters, duke shpjeguar se Kosova nuk ka si t’i bashkohet botës së zhvilluar nëse nuk vendos “autoritetin mbi ekonominë e saj”.
“Unë marr gjithashtu fjalën për të shprehur mirënjohjen time për paqeruajtësit e NATO-s që ia kanë dalë mbanë të ruajnë paqen përgjatë kufirit”, tha ai.
Shqiptaro-amerikanët në Michigan janë takuar disa herë në të kaluarën me kongresistin Gary Peters për t’i shpjeguar atij raportet në Ballkan si dhe aspiratat e shqiptarëve për liri, demokraci, begati, drejtësi dhe paqe në rajon. Ata kanë gjetur mirëkuptim tek ai dhe në shkëmbim e kanë mbështetur në fushata zgjedhore dhe në veprimtarinë e tij si ligjvënës. Ai i përmendi ata edhe në deklaratën që bëri në Kongres.
“Jam krenar që përfaqësoj një komunitet të madh dhe vibrant Kosovaro-Amerikanësh në Michigan-in juglindor”, tha ai ndër të tjera.
“Shumë prej zgjedhësve të mi kanë të afërm të tyre përgjatë kufirit Kosovë-Serbi dhe e di që janë thellësisht të shqetësuar për njerëzit e tyre të dashur si dhe për që Kosova të mbetet një vend i pavarur. E njohur prej gati 80 vendesh në mbarë globin, Kosova meriton që të jetë faktor në skenën botërore dhe unë rreshtohem pranë popullit të saj liridashës që është i etur për një pavarësi të vërtetë”, deklaroi kongresisiti Peters.
Illyria/NOA