English

Kryediplomati kinez në Tiranë, në axhendë takime dhe marrëveshje për turizmin

Tiranë, 3 gusht 2011, NOA – Në vigjilje të 40-vjetorit të ripranimit të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kryediplomati kinez Yang Jiechi do të vizitojë sot Tiranën në krye të një turi vizitash në Europë dhe Afrikë.

Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës është ftuar për një vizitë dyditore nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

Ripranimin në OKB, aleatja e hershme e Shqipërisë, Kina ia njeh si kontribut edhe vendit mik, Shqipërisë.

Në epiqendër të takimeve mes kryediplomatit kinez dhe atij shqiptar do të jetë forcimi i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ekonomik, politik, në fushën e turizmit mes dy vendeve dhe popujve.

Pritet që pjesë e bisedimeve të jetë edhe Kosova, të cilën Kina nuk e ka njohur ende si shtet i pavarur.

Ministri Haxhinasto do të jetë i pari qeveritar shqiptar që do të presë ministrin e Jashtëm të Kinës, Yang Jiechi, me të cilin do të zhvillojnë edhe një konferencë për shtyp.

Pjesë e axhendës do të jetë edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e turizmit, ndërmjet MTKRS-së dhe Administratës Kombëtare të Turizmit të Republikës Popullore të Kinës për vitet 2011 – 2013.

Të enjten, kryediplomati kinez do të pritet në takime të veçanta nga kryeministri Sali Berisha, presidenti Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

mit/NOA

KOMENTE