Kajro, 3 gusht 2011, NOA - Tani po gërmohet për gjithçka dhe po nxirren të palarat në shesh, po përhapet në televizion, në radio dhe në shtypin egjiptian: që vetëm në Sharm Mubaraku zotëron katër vila dhe një pallat në Detin e Kuq. Dhe që doganat egjiptiane së fundi kanë konfiskuar një paketë nga Greqia në adresë të Mubarakut, në të cilën gjendej një kutizë e argjendtë 800 gram e rëndë me vlerë mbi 1.000 dollarë. Asnjë dyshim nuk duket i tepruar, asnjë akuzë tepër e vogël.
Hosni Mubaraku, të cilin mediet shtetërore të qeverisë e kanë hyjnizuar dhe i kanë bërë temena 30 vjet me radhë, bëhet përgjegjës për të gjitha të këqijat dhe vështirësitë: korrupsion, papunësi, varfëri. Karikaturistët janë specializuar për ta paraqitur Mubarakun në veshje të burgosurish nën trekëmbësh: "Mediat po qëllojnë tani pa pushim mbi Mubarakun, ato trazojnë ujërat kundër tij, nxisin hidhërimin dhe ndjenjat e hakmarrjes. Mediet egjiptiane sot drejtohen nga të njëjtët njerëz si në kohën e Mubarakut. Të njëjtët njerëz, që ishin më parë oborrtarët e tij, shfaqen tani si akuzues. Dhe besojnë se kështu mund të vërtetojnë, që tani janë revolucionarë të vërtetë."
Dr. Hassan Abu Taleb është studiues i shkencave politike në Qendrën Al Ahram në Kajro. Ai nuk e ka fshehur kurrë antipatinë e tij ndaj regjimit të Mubarakut. Por edhe fushata e linçimit, që po vrojton tani, i është pështirosur. Megjithatë, ajo po tregon efekt në rrugët e Kajros, si te këta të rinj: "Dënim me vdekje, natyrisht që Mubaraku e meriton dënimin me vdekje, nuk lejohet kurrsesi të shpëtojë. Në të kaluarën është thënë gjithmonë, se ai ka qenë hero i luftës së tetorit, por kur ka qenë hero, përse e dëmtoi kaq popullin e vet. 30 vjet korrupsion, ky ishte Mubaraku. Ai nuk ishte president, po kapobandë."
Nuk ka shumë nga ata, që bëjnë thirrje për maturi në trajtimin e pushtetarit të rrëzuar. Ata, që guxojnë ta bëjnë këtë, janë pikërisht njerëzit, të cilët kur Mubaraku ishte në pushtet, urdhëroi t'i burgosin, ndonjëherë edhe t'i torturonin.
a.q/NOA/
Autor: Martin Durm
Përshtati: Albana Qehajaj