English

Partitë dhe kufijtë moralë që nuk ekzistojnë

Nga Eva Allushi

Pa dyshim që Partia Socialiste po ecën përmes së njëjtës rrugë të gabuar. Arsyet dihen. Elektorati i sinqertë i PS-së edhe kësaj radhe po rreket të manipulohet përmes një debati fals, të iniciuar nga vetë Edi Rama. E trishtë. I duket se po e drejton ai këtë lojë, por në fakt ka ngecur në rrjetën e saj. Së pari dua të theksoj se askujt me dy mend në kokë të mos i shkojë në mendje se Edi Rama nuk bën koalicion me Ilir Metën për çështje morali. Për këtë, në radhë të parë më besojnë ata që e njohin mirë ç’është politika, ç’gatuhet brenda dyerve e radhëve të saj. Është një histori e pleksur interesash, një pjesë e të cilave dalin në shesh, po një pjesë e madhe e tyre janë të nëndheshme. Janë pikërisht ato që e gërryejnë një forcë politike. Në këtë pikë mbetet e rëndësishme të nënvizoj se lufta që zhvillohet mes palëve të ndryshme – këtu nuk po flas për parti se palët nuk kanë parti, kanë vetëm interesa – pra kjo luftë zhvillohet e pamëshirshme dhe nuk njeh as rregulla, as kufij e as fund. Thënë të gjitha këto, e që patjetër nuk janë të gjitha, është e tepërt që lideri i PS-së të flasë për moral e për kufij morali. Ai vetë ka kohë që e ka lënë pas epokën e parimeve, duke e shndërruar një parti, e cila iu dhurua, në një parti interesash, ku kufijtë moralë u shndërruan në kufij urbanistikë. Lideri i PS-së ka kohë që i realizon aleancat e tij fluide me këdo që u shërben interesave të tij afatshkurtra, se afatgjata nuk është munduar të artikulojë ndonjëherë. Pra, vetëm çështje morali nuk ka këtu. Këtu ka çështje pushteti e dominimi. Rama synon o të gjitha, o asgjë. Por socialistëve a u intereson kjo rrugë? Të gjithë ata që besojnë te kjo forcë politike, a u intereson të presin që Edi të bëjë partinë e tij, të fitojë pushtetin i vetëm dhe të mos ta ndajë me asnjë aleat? Për të vijuar më tej, të gjithë ata që besojnë te forca shndërruese e Partisë Socialiste, a kanë garanci që me ardhjen e PS-së në pushtet do të zbehet pushteti korruptiv, apo ai me gjasë do të kalojë nga një grup financiar tek një grup tjetër financiar? Këto duhet të jenë dilemat e vërteta e të gjithë socialistëve të ndershëm, e të gjithë intelektualëve të angazhuar, e të gjithë progresistëve të këtij vendi, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të udhëhiqen nga filozofia se në radhë të parë duhet të hiqet Berisha, pastaj mendojmë për Edi Ramën. Jo dhe jo. Ky vend meriton të qeveriset, nuk po them ndershmërisht, se është fjalë e madhe, por bazuar në ligj, e jo në klane, të cilat, për fat të keq tani janë përvijuar, si djathtas, ashtu dhe majtas. Janë pikërisht këto grupe që sot drejtojnë ethshëm jetën e vendit, si atë financiare, atë mediatike etj. Jetën publike, po ashtu. Është e turpshme dhe e dhimbshme të shikosh se si emra të njohur, figura intelektuale, vihen në shërbim të tyre. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për Sali Berishën dhe Edi Ramën. Jo. Tashmë janë ndërtuar mekanizmat që vënë në lëvizje skema që u shërbejnë interesave dhe qëllimeve të tyre. Pa dyshim, e frikshme. Mjafton t’i hedhësh një sy medias për ta kuptuar këtë. Pas çdo lëvizjeje publike, çdo iniciative shoqërore në thonjëza, janë ata, përfituesit e mëdhenj. Madje dhe në Facebook “luajnë” po ata, përmes grupeve të “opinionistëve rastësorë”. E frikshme, por dhe qesharake njëkohësisht. Se në Demokraci, hapësirën nuk mund ta pushtosh të tërën. Do të ketë gjithmonë zëra që dalin nga rreshti. Në këto rrethana, themeluesit, apo siç më pëlqen t’i quaj, “aksionarët” e Partisë Socialiste, ata burra dhe gra që kanë shansin e fundit të tregojnë pak integritet dhe t’u bashkohen zërave plot integritet të Arben Malajt, Kastriot Islamit, Edlira Haxhiymerit, Musa Ulqinit etj., dhe ju siguroj, edhe shumë të tjerëve që i njohin të vërtetat për të cilat ata dëshmojnë. Këto gra dhe këta burra nuk janë armiqtë e radhës në PS, përkundrazi, po i bëjnë asaj një shërbim të paçmuar. Çdo figurë e PS-së mbart me vete një copëz historie të PS-së. E kështu, shumë copëza bëjnë të tërën. Edi Rama e njohu vonë historinë e saj, nuk e bëri atë, por të paktën ta respektojë. Kursi i ri për të cilin po flet Edi Rama kërkon mendësi të reja, të pakapluara nga inati e mllefi. Mendësi europiane, ku pushteti shikohet si një mundësi për të ndryshuar vendin dhe për të ndarë pushtet. Një kurs i ri kërkon një program të ri, real, pika e parë e të cilit duhet të jetë bashkimi i së majtës, një bashkim real, ku aleatët të mos jenë sezonalë, por ata të respektohen e të dëgjohen. A është në gjendje lidershipi i PS-së të garantojë fitoren e PS-së në 2013-n? Risku është i lartë nëse nuk ndërmerren hapa konkretë e të sigurt që e sjellin fitoren tek e majta. PS duhet të sillet sipas peshës që ka. Është thjesht e palejueshme të deklarosh se u bënë gabime gjatë ndryshimeve në Kushtetutë. Sepse, më e pakta, konsulenca që gëzon PS-ja e bën të pavërtetë këtë deklaratë. Më e shumta është se drejtuesi i parë i PS-së ishte absolutisht i ndërgjegjshëm për ndryshimet që do të kryheshin, madje edhe për rezistencën që u shfaq nga disa drejtues të saj lidhur me to. Po atëherë? Edi Rama mendonte se do të fitonte ai dhe jo Berisha në 2009-n. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja qëndron te dëshira për të qeverisur me mekanizma që të bëjnë të plotfuqishëm dhe që ngushtojnë hapësirat e opozitës. Këto janë parimet e qeverisjes së të majtës? Sepse çdo shqiptar është i interesuar të ketë një pozitë dhe opozitë të fortë njëkohësisht. Në një shtet normal që synon BEnë, pozita dhe opozita punojnë në të mirë të vendit dhe nuk mundohen që përmes mekanizmash ligjorë të bllokojnë njëra-tjetrën. Kjo nuk mund të jetë filozofia e një lideri të ri. Prandaj është e nevojshme që PS të hapet ndaj platformave e qasjeve të reja, të cilat përfaqësojnë shkolla të ndryshme mendimi, e jo shkolla të ndryshme interesash. Është mirë të mos luhet më në sytë e publikut me hapjen e PS-së. Mjaft e hapi Rama në orën 12:00 me përfaqësues të grupeve të interesave e jo të interesit, disa syresh operojnë me sistem korrespondence madje. Partitë serioze europiane provojnë në radhë të parë angazhimin, marrin kontributin ndër vite, e më tej i promovojnë figurat në publik. Partia Socialiste duhet t’i tregojë opinionit publik se ajo di të mësojë nga çdo humbje dhe çdo fitore. Secila prej tyre i vlen asaj. Para se t’i drejtohet përjashtimit, Partia Socialiste duhet të aplikojë gjerësisht zgjerimin. Edi Rama e ka provuar saktësisht tashmë se përjashtimi zvogëlon diferencën në… 10 vota. Historikisht kemi thënë: Në Partinë Socialiste ka vend për të gjithë. Është koha për një zgjerim real, pa iu referuar dallimeve që i bëjnë njerëzit, thjesht, të vegjël…, por humbjet të mëdha.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE