Tiranë, 3 gusht 2011, NOA – Dy ditë pas publikimit të raportit të UNCDAT për investimet e huaja direkte në Shqipëri në vitin 2010, kryeministri Sali Berisha deklaroi se shpallja e Shqipërisë si vendi i vetëm në rajon me investime në rritje është një arritje shumë e madhe në përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar projektin më të madh të të gjitha kohërave, ‘Shqipëria vend i zhvilluar’.
Duke përshëndetur raportin e organizatës UNCDAT, shefi i qeverisë bëri me dije në mbledhjen e sotme të qeverisë se “Shqipëria, e cila hyri në vitin 2005 me një mesatare investimesh prej 38 milionë dollarë, në vitin 2010 rezulton se ka patur 1 miliard e 97 milion dollarë investime direkte të huaja. Në pesë vite, nga viti 2006-2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin mbi 4 miliard dollarë”.
Në këtë pikëvështrim ai vërejti se vendi që në 8 vite mori së bashku rreth 300 milion dollarë arriti që në katër vite të marrë mbi 4 miliard dollarë.
Kjo për kryeministrin don të thotë arritje e njërit prej premtimeve të qeverisë, shndërrimi i Shqipërisë ndër vendet më tërheqëse në rajon për thithjen e investimeve të huaja direkte.
“Shqipëria këtë vit është i vetmi vend në rajon në rritjen e investimeve të huaja.
Në rast se në vendet e tjera investimet kanë pësuar rënie, kjo s’ka ndodhur në vendin tonë, pasi këtu vetëm janë rritur investimet. Realizuam njërin nga objektivat madhorë tanët, krijimin e një mjedisi miqësor për investimet dhe biznesin”, tha zoti Berisha.
Kreu i qeverisë duke iu referuar indeksit të performancës së investimeve në vitin 2004, deklaroi se sipas raportit Shqipëria ka fluturuar dhe nuk ka vend të krahasohet me vitet e mëparshme por vetëm me vitet e qeverisjes së tij, pra në vitin 2006.
Sipas kryeministrit trefishimi i investimeve të huaja krahasuar me vitin 2006, rastisi edhe me trefishimin e eksporteve të vendit.
Shefi i qeverisë tha se Shqipëria po përjeton një revolucion industrial.
Zoti Berisha tha se investimet janë adresuar në telekomunikacion, ku është dhjetëfishuar penetrimi dhe përdorimi i internetit në shoqërinë shqiptare.
Ai theksoi se këto investime u shndërruan në një mekanizëm të fuqishëm të trefishimit të eksporteve, rritjes së punësimit, rritjes së të ardhurave dhe janë dëshmia më e shkëlqyer e modelit ekonomik të qeverisë.
“4 miliard investime të huaja në katër vjet janë qindra mijë vende punë të krijuara. Ne jemi vendi i vetëm që në këto vite krize ka regjistruar rënie të papunësisë” tha kryeministri.
Sakaq nënvizoi se kjo është një përpjekje për të shndërruar Shqipërinë në një shoqëri urbane, duke përmbysur edhe raportin ekzistues, 50-50.
Sipas kreut të qeverisë rritja e investimeve të huaja erdhi për shkak të reformave dhe krijimit të mjedisit miqësor për investitorët e huaj.
mit/NOA