Prishtinë, 3 gusht 2011, NOA - Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, dështoi të martën në përpjekjen për të bindur autoritetet në Prishtinë që të bëhen pjesë e një procesi që do t’i jepte zgjidhje problemit të kontrollit në portat doganore në Jarinjë e Bërnjakë.
Pas takimit që zhvilloi një ditë më parë me zyrtarët e Serbisë, Cooper qëndroi në Prishtinë, duke mos marrë me vete premtimin se serbët e veriut do të heqin dorë nga bllokimi i rrugëve që të çojnë në dy vendkalimet kufitare.
Sikundër bën me dije e përditshmja kosovare ‘Koha Ditore’, barrikadat e serbëve janë vënë prej mëse një jave në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganierëve në dy pikat kufitare, për të ndaluar mallrat që importohen kontrabandë nga Serbia.
Gazeta citon një pjesëmarrës në këtë takim që thotë se “Cooper insistoi që palët të përfshihen në dialog, edhe kur janë në pikëpyetje modalitetet e kontrollit në të dyja portat kufitare. Ai insistoi në qëndrimin që gjendja në veri të kthehet në pikën para 25 korrikut, dhe që ekipet serbe dhe kosovare në dialog të nisin menjëherë takimet për të gjetur edhe një zgjidhje që do t’i jepte fund bllokadës së dyanshme të mallrave”.
Por, kryeministri Thaçi është shprehur prerë se për Kosovën nuk ka kthim prapa, që don të thotë se autoritetet nuk do të heqin dorë nga kontrolli i dy portave kufitare në veri të Kosovës.
Ndërmjetësi europian bisedoi për më shumë se tri orë me kryeministrin në ndërtesën e Qeverisë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Para se Cooper të hynte në takim, por edhe gjatë takimit, në godinën e Qeverisë kanë hyrë e dalë edhe ambasadorët e vendeve të Quintit, por asnjë prej ndërkombëtarëve nuk ka lëshuar deklarata për mediat, bën me dije gazeta.
I vetmi që foli për mediat ishte kryeministri Thaçi, i cili një orë pas takimit me ndërmjetësin evropian thirri një mbledhje urgjente të Qeverisë, ku deklaroi se i kishte përsëritur diplomatit europian se me Serbinë nuk do të dialogojë për punë të brendshme të Kosovës.
Ndërkohë kryenegociatori serb për bisedimet Kosovën Borisllav Stefanoviç deklaroi se takimi me ndërmjetësin Rober Cooper nuk dha rezultat.
Në një prononcim për gazetën serbe Blic, Stefanoviç tha se duhet që situata në veri të qetësohet e më pas palët të mund të rikthehen në tryezën e bisedimeve, për të cilin sipas Stefanoviç pritet edhe vendimi i palës kosovare.
KD/mit/NOA