Tiranë, 3 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Ndihma ekonomike për të papunët dhe invalidët ka qenë një vendim i marrë nga Qeveria në mbledhjen e ditës së sotme për ti ardhur në ndihmë kësaj shtrese të shoqërisë.
Nëpërmjet këtij vendimi thuhet se niveli bazë i të ardhurave nga papunësia, e përkthyer ndryshe si ndihma ekonomike shkon në shumën 6850 lekë në muaj.
Më herët të ardhurat që përfitonte kategoria e të papunëve ishte në shifrën 6565 lekë në muaj, ndërsa me rritjen e fundit shtesa e bërë shkon 285 lekë të reja në muaj.
Ndërkaq edhe në vijimësi nga ana e Kryeministrit Berisha është theksuar se prioritet në vendimmarrje do të kenë shtresat në nevojë si të papunët, invalidët dhe pensionistët.
V E N D I M PËR CAKTIMIN E NIVELIT BAZË TË SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 6 850 (gjashtë mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, në grupin 25, titull 10550, kap. 1, art. 606, “Transferta të buxhetit familjar dhe invalidët” (E ardhura nga papunësia).
3. Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
4. Vendimi nr.697, datë 18.8.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.8.2011.
a.y/NOA