Tiranë, 4 gusht 2011, NOA- Dy bashkëmoshatarë të moshës 21 vjeçare u vunë nën prangat e policisë së kryeqytetit pasi mashtruan tre shtetas të huaj duke i gënjyer se do u gjenin hotel për tu grabitur më pas gjithë ç’kishin pasur me vete.
Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se dy të ndaluarit janë Fatjon Basha dhe Gazment Mustafa, të dy të moshës 21 vjeçare, banues në Kamëz.
Mësohet se arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit penal të tre shtetasve të huaj, të cilët u kanë kërkuar ndihmë për një hotel.
Pas kësaj njëri prej të rinjve i ka marrë me pretendimin se do t’u gjente hotel luksoz dhe i ka dërguar më pas në Kamëz duke i vjedhur të gjitha sendet personale.
Në bazë të hetimeve të policisë rezulton se, dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri– tjetrin janë autor të vjedhjes së tre turistëve .
Ndërkaq nga ana e policisë në cilësinë e provës materiale autorëve ju sekuestruan sendet e vjedhura, 300 euro, një pasaportë Angleze, kartë krediti si dhe aparate fotografike.
Menjëherë pas kësaj Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.
a.y/NOA