English

5 shtetet e Kuintit ultimatum Serbisë: Nuk ka kthim prapa për Kosovën

Beograd, 4 gusht 2011, NOA – Pesë shtetet më të fuqishme të botës SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia i kanë dërguar Serbisë një ultimatum duke i bërë me dije se në veri të Kosovës nuk do të ketë kthim prapa të situatës së 25 korrikut.

Ky ultimatum erdhi pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës pas marrjes nën kontroll të dy pikave kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakës nga trupat speciale të policisë së Kosovës.

Lajmin për ultimatumin e mbërritur mbrëmë në dyert e autoriteteve më të larta serbe e bëri me dije stacioni serb “Alo”, që citoi burime nga stafi i ngushtë i qeverisë.

Sipas lajmit pas thirrjes së shteteve të BE-së mësohet se ultimatumi është pranuar nga qeveria serbe.

Pesë shtetet propozojnë një formulë të re të kontrollimit të kufijve, si ajo e raportuar nga ndërmjetësi i BE-së në bisedime Robert Cooper.

“Deri më tani në kalimet kufitare ka pasur serbë dhe joshqiptarë që janë ndihmuar nga EULEX-i. Sipas modelit të ri në të ardhmen aty do të jenë tre serbë, tre shqiptarë dhe dy policë të EULEX-it. Është kërkuar me ultimatum që Serbia të ndalojë kontrollin e veriut të Kosovës nëpërmjet strukturave paralele”, ka thënë burimi për ‘Alo’, duke iu referuar ultimatumit.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, raportoi se Robert Cooper propozoi kontrollin e kufijve nga policë e doganierë shqiptarë e serbë, ku tha se mund të hyjnë vetura, por jo kamionë me mallra.

Nuk ka BE për Serbinë, nëse veriu nuk është nën kontrollin e Prishtinës, thotë DPA.

Në të njëjtën kohë gazeta “Blic” njoftoi se përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve gjatë bisedimeve joformale kanë kërkuar nga zyrtarët serbë që veriun e Kosovës ta lënë nën kontrollin e autoriteteve të Prishtinës, në mënyrë që të vazhdojë integrimi evropian.

“Nga Beogradi kërkohet jo vetëm dialog për çështjet teknike me negociatorët kosovarë, por edhe që Serbia të bëjë hapa konkretë, të cilët do të mundësojnë integrimin e plotë të veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës. Kreatori i kësaj politike është Robert Cooper, ndërmjetësi i bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Këtë nuk do ta thotë publikisht asnjë nga zyrtarët e BE-së, por në bisedimet joformale, kjo kërkohet nga Serbia”, transmeton Blic, i cituar nga mediat kosovare.

KohaDitore/mit/NOA

KOMENTE