English

Basha me ambasadorët D’Elia dhe Bertoncelj: Bashkëpunim në shërbim të qytetarëve

Tiranë, 4 gusht 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia.

Që në fillim të takimit diplomati italian e uroi kryebashkiakun për detyrën e re dhe i shprehu besimin e plotë, për mbështetjen e qeverisë italiane në punën e tij.

Në vijim ambasadori D’Elia shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës, në fusha të ndryshme të përbashkëta.

Nga ana e tij, Basha e informoi ambasadorin Italian, lidhur me prioritetet e programit të tij dhe ndau me të pikëpamjet, për përmirësimin e cilësisë së jetës në Tiranë dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Më tej ai e falenderoi atë, për ofrimin e mbështetjes dhe të asistencës për Bashkinë dhe shprehu gatishmërinë, për të thelluar bashkëpunimin me palën italiane, në projekte të urbanistikës, infrastrukturës së lagjeve, ujësjellës-kanalizimeve, gjelbërimit si dhe të investimeve private, në ndërtim, prodhim dhe shërbime.

Krahas diplomatit italian po sot kreu i Bashkisë së Tiranës takoi edhe ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë, Bojan Bertoncelj.

Ambasadori Slloven i ofroi Bashës mbështetjen e qeverisë së tij në detyrën e marrë duke e uruar për zgjedhjen si qytetar i parë i Tiranës.

Sakaq ashtu si dhe ambasadorin italian, Basha e njohu ambasadorin slloven, për prioritetet e programit të tij dhe për nevojat e qytetit.

Në vijim ai shprehu gatishmërinë, për të bashkëpunuar me palën sllovene, kryesisht me shoqërinë civile, në aspektin e ndërgjegjësimit, për çështjet e pastërtisë së qytetit dhe të ambientit.

a.y/NOA

KOMENTE