English

Berisha- Jiechi: Investitorët kinez, lehtësi në Shqipëri

Tiranë, 4 gusht 2011, NOA- Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Shqipëri ministri i Jashtëm i Kinës Yang Jiechi u prit në një takim nga Kryeministri i vendit Sali Berisha.

Që në fillim të takimit kreu i qeverisë e konsideroi këtë vizitë si një kontribut të madh në zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës.

Kryeministri Berisha konstatoi nivelin e mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen ekonomike që Kina i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit.

Ndër të tjera ai çmoi se zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës e ka bërë atë jo vetëm një nga aktorët më kryesorë të ekonomisë botërore, por ka ndihmuar që të dalin nga varfëria qindra miliona njerëz në Kinë dhe në mbarë botën.

Berisha vlerësoi faktin se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në dy vendet tona.

Sakaq ai theksoi se deklarata e përbashkët e miqësisë, e nënshkruar në vitin 2009 gjatë vizitës zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, është një bazë e shkëlqyer për zhvillimin në stade edhe më të larta te marrëdhënieve dypalëshe.

Më tej ai i bëri mysafirit të tij një panoramë të potencialeve të mëdha që Shqipëria ofron në një sërë fushash me interes për investimet kineze, madje theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që ato të kthehen në histori të vërteta suksesi.

Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portale, duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Yang Jiechi falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Kryeministrit kinez Wen Jiabau.

Ministri Jiechi shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kinë të vetme.

Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze synon jo vetëm që të forcohet më tej miqësia tradicionale midis dy popujve, por këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok.

Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve.

Progresi i vrullshëm i Shqipërisë nën drejtimin e Kryeministrit Berisha ishte një fakt që u konstatua nga ana e ministrit kinez.

Jiechi tha se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Yang Jiechi u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze.

Në vijim të takimit u fol edhe për situatën në rajon dhe zhvillimet në Kosovë, ku Kryeministri Berisha mbështeti procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Ai u shpreh se marrëdhëniet në rajon duhet të karakterizohen nga shkëmbimi i lirë ekonomik dhe tregtar pa asnjë barrierë, por, nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë në themel embargon shumë vjeçare të Serbisë ndaj Kosovës.

Ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se Kina është për një zgjidhje të përshtatshme me dialog dhe në bazë të rezolutave të OKB-së. Ai gjithashtu mbështeti dialogun midis dy vendeve.

Në përfundim, Kryeministri ripërsëriti ftesën për Kryeministrin Wen Jiabau për të vizituar Shqipërinë.

a.y/NOA

KOMENTE