Tiranë, 4 gusht 2011, NOA - Kryeministri Berisha është takuar sot me Ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Dirk Niebel.
Kryeministri theksoi se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane janë një histori e vërtetë suksesi në Shqipëri.
Niebel theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një tregues domethënës i progresit që ka bërë Shqipëria, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Gjermaninë nuk është më thjesht si me një vend donator, por është një marrëdhënie mes partnerësh. Niebel rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë në të gjithë procesin e integrimit evropian, duke rritur edhe financimet e ardhshme për Shqipërinë.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu ministrin gjerman me zhvillimet më të fundit dhe progresin e bërë nga Shqipëria në shumë drejtime, duke përmendur veçanërisht rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja direkt, siç edhe u konfirmua dhe në raportin e fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Berisha rikonfirmoi edhe njëherë prioritetin e madh të qeverisë shqiptare, atë të integrimit evropian, për të cilin ajo po përmbush të gjitha angazhimet e saj në këtë proces.
a.q/NOA