English

KFOR dhe Policia e Kosovës kalojnë barrikadat në veri

E enjte, 4 gusht 2011, NOA- Trupat e KFOR-it së bashku me Policinë e Kosovës kanë mundur të kalojnë në veri të Kosovës pas situatës të tensionuar të ditëve të fundit.

Pas më shumë se një jave kanë mundur të kalohen barrikadat e vendosur nga serbët në kufirin verior, duke kaluar përmes Zveçanit dhe Zhitkovcit, por deri më tani nuk është raportuar ndonjë incident.

Ndërkaq më herët pavarësisht pretendimeve të palës serbe dhe të kryenegociatorit Borislav Stefanoviç, Qeveria e Kosovës, e vlerëson të papranueshme draft-marrëveshjen e prezantuar në opinion, e arritur në mes të gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler.

Në reagimin e qeverisë thuhet se, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendim marrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draft-marrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë. Qeveria e Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i. Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në deklaratë.

Sakaq për gati tre ditë pika kufitare nr 1 dhe 31 në veri të Kosovës u shoqëruan me tension dhe konflikte mes ekstremistëve serbë dhe policisë së Kosovës ku si pasojë e tyre humbi jetën e efektivi i policisë Enver Zymberi.

a.y/NOA

KOMENTE