Zvicër, 4 gusht, NOA - Nuk është e pazakonshme që në Shqipëri dhe Kosovë, fëmijët të vdesin nga sëmundje të gjata, por të shërueshme. “Kjo ndodh pasi përkujdesja mjekësore është në mënyrë ekstreme e dobët”, deklaron mjeku austriak Michael Schodermayr, për të përditshmen austriake “Nachrichten”, ndërsa qëllimi tashmë 21-vjeçar i banorëve të Steyr në Austri, është që fëmijët e sëmurë sa më shumë të ndihmohen.
“Gjithçka kishte filluar në vitin 1990, unë doja ta thyej rutinën dhe të angazhohem”, rrëfen mjeku praktik nga Steyr. Atw e kishte mahnitur projekti gjerman “Friedensdorf internacional”, i cili ishte specializuar që në rajonet e luftës të ndihmojë fëmijët në aspektin mjekësor. Kështu pra, ai kishte vendosur që t`i bashkëngjitet këtij projekti, duke themeluar një shoqatë simotër në Austri dhe me një ekip mjekësh fillon udhëtimin nëpër rajonet e krizës.
“Fillimisht, qendra kryesore e veprimit ishte Afganistani, ndërsa më pas, nevoja e ndihmës mjekësore u zgjerua edhe në Shqipëri dhe Kosovë“, rrëfen Schodermayr.
Në vitin 2006, kjo shoqatë shkëputet nga ajo gjermane, duke ndryshuar emrin në „ Allianz für Kinder”, por edhe më tej e bën të njëjtën gjë, vazhdon mjeku austriak.
Në disponim qëndron një ekip mjekësor prej 30 infermierëve, të gatshëm për ndihma mjekësore. Dy deri tre herë gjatë vitit, ekipi mjekësor udhëton për në Shqipëri dhe Kosovë, për të gjurmuar masivisht sëmundjet eventuale te fëmijët. “Pothuajse të gjithë fëmijët trajtohen në mënyrë të barabartë, por ata të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të cilët kanë nevojë për terapi intensive apo operacione të ndryshme, sillen në Austri“, potencon Schodermayr. Ndër sëmundjet më të shpeshtë nga të cilat vuajnë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë, janë: sëmundjet e zemrës, ato ortopedike etj.
Trajtimet mjekësore për fëmijët janë falas. “Kjo përkrahet nga donacione private dhe personave bamirës, të cilët na kanë ofruar falas shtretër mjekësor“, thotë mëtej mjeku. Gjatë një viti, mund të trajtohen pacientë në një vlerë më së shumti, deri në një milion euro dhe me këtë rast, “Allianz für Kinder” mund të trajtojë dhe ndihmojë rreth 100 vajza e djem me sëmundje të rënda.
“Gjithnjë krijohen momente të bukura, kur një fëmijë i sëmurë dërgohet i shëndoshë në vendlindje, pasi njerëzit janë aq falënderues”, vazhdon Schodermayr. Para pak kohësh, ai kishte përjetuar një gëzim të jashtëzakonshëm: “Unë e ritakova një shqiptar të ri, i cili si fëmijë kishte vuajtur nga një sëmundje e rëndë, ndërsa tani ai ishte i shëndoshë dhe studionte Ekonominë në Tiranë. Po të mos e ndihmonim, me siguri se ai nuk do të ishte në mesin e të gjallëve”.
Qëllimi i Shoqatës nuk është që të ofrojë ndihmë mjekësore austriake për fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë, por që të përmirësojë edhe përkujdesjen mjekësore në këto vende. “Në disa fshatra shqiptare, ne kemi vendosur pika mjekësore dhe kemi trajnuar infermiere“, përfundon Schodermayr.
Që nga themelimi e deri më tani „Allianz für Kinder“ ka ndihmuar rreth 1.600 fëmijë me sëmundje të rënda.
NOA/AlbInfo