English

Ndryshime kushtetuese apo një kushtetutë e re?

Nga Mark Marku Partia Socialiste ka hedhur së fundmi idenë e ndryshimeve kushtetuese, ide e cila është kundërshtuar nga Partia Demokratike dhe nga aktorë të rëndësishëm politikë në koalicion me PD-në. Madje edhe LSI, partia që ka qenë kundër ndryshimeve të fundit kushtetuese, është shprehur se korrigjimet e duhura që kanë të bëjnë me përmirësimin e Kodit Zgjedhor mund të bëhen pa ndryshuar kushtetutën aktuale. Ky pozicionim i palëve paralajmëron një betejë të re politike lidhur me këtë argument, me hapjen e sezonit të ri parlamentar e politik në shtator. Ajo çfarë të bie në sy është lehtësia me të cilën forcat politike herë pas here e kanë ndryshuar ose kanë tentuar ta ndryshojnë kushtetutën. Natyrisht një kushtetutë nuk është as e përjetshme, as e pandryshueshme. Ka vende që i ndryshojnë ato shumë rrallë, ose thuajse fare, ashtu sikurse ka vende që në përputhje me rrethanat e krijuara i ndryshojnë ato më shpesh. Megjithatë në asnjë rast kushtetuta nuk ndryshohet pa një argument të fortë juridik ose politik.

Kushtetuta e Shqipërisë është miratuar në vitin 1998, pas një procesi i cili pavarësisht se ishte i tipit referendar ishte shumë larg të qenit demokratik, për shkak të gjendjes së rëndë në të cilin ishte vendi dhe për shkak të faktit se një pjesë e territorit të vendit ishte ende jashtë kontrollit të shtetit. Për më tepër, kjo kushtetutë nuk e pati as minimumin e konsensusit politik, pasi PD si partia më e madhe e opozitës bashkë me disa parti të djathta e bojkotuan këtë referendum. Megjithatë kushtetuta u hartua, u miratua dhe madje edhe pas ardhjes në pushtet të së djathtës në vitin 2005 nuk pati ndonjë përpjekje për të bërë një kushtetutë të re.

Është mëse e qartë që kjo kushtetutë nuk është e përsosur. Në shumë raste është verifikuar se nuk i ofron zgjidhjet më të mira e në ndonjë rast është shfaqur edhe si pengesë. Megjithatë, ajo mbetet një ligj themeltar i ndërtuar mbi disa standarde juridike, për faktin e thjeshtë se është mbështetur në kushtetuta dhe përvoja juridike europiane.

Nëse ajo duhet ndryshuar, ndryshimet e saj duhet të bëhen pikërisht duke pasur parasysh këtë marrëdhënie të Kushtetutës së Shqipërisë me realitetin shqiptar, përvojat e saj pozitive dhe negative. Këto ndryshime nuk mund të bëhen në varësi të nevojave politike të momentit, apo për shkak të mosfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Mbi të gjitha ato nuk mund të bëhen shpesh dhe pa kurrfarë vizioni.

Nëse nevoja e ndryshimeve kushtetuese lind kaq dendur, atëherë kjo do të thotë se kjo kushtetutë që kemi nuk është funksionale dhe në vend që ta arnojmë çdo 6 muaj, le të realizojmë një konsensus politik për një kushtetutë të re, le të fillomë hartimin e saj dhe le t’i drejtohemi referendumit për miratimin e saj. Kjo do të ishte më normale sesa ndryshimet e herëpashershme dhe momentale, të cilat e përmirësojnë (ose e përkeqësojnë) atë në mënyrë fragmentare, pa e përmirësuar dot rrënjësisht.

KOMENTE