Bulqizë, 4 gusht 2011, NOA – Minatorët e Bulqizës mbërritën në ditën e 11-të të grevës së urisë, 1400 metra nën tokë.
Gjendja shëndetësore e 14 minatorëve të mbetur është e rënduar për shkak të kushteve të rënda në thellësitë e minierës.
Edhe pse disa prej tyre paraqesin probleme të shëndetit këmbëngulin për të mos ndërprerë grevën e urisë duke luftuar deri në fund për arritjen e kërkesave të tyre, që do të ishte shpërblimi i ditëve të rënda të grevës.
Por, dita e 11-të e ngujimit të minatorëve mund të sjellë një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë koncesionare ACR për plotësimin e kërkesave.
Lajmi u bë i ditur një ditë më parë nga kreu i Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikolla, i cili deklaroi se do të kërkohet rritja e pagës deri në 40 përqind, përmirësimi i kushteve të punës dhe sigurisë si dhe largimi i drejtuesit të kompanisë.
Takimi mes minatorëve dhe kompanisë austriake është ndërmjetësuar nga kryetari i Bashkisë së Bulqizës Roland Keta, i cili u takua me minatorët.
11 ditë më parë 20 minatorë të minierës së kromit në Bulqizë hynë në grevë urie pas rënies në vesh të shurdhër të protestave të tyre për plotësimin e disa kërkesave nga kompania që ka me koncesion minierën ku ata sigurojnë bukën e përditshme.
Nga 20 minatorë, sot kanë mbetur 14, pasi gjashtë prej tyre e kanë ndërprerë grevën e urisë për shkak të gjendjes kritike të shëndetit të tyre.
Minatorët këmbëngulin në kërkesat e tyre.
E përditshmja “Shekulli” shkruante sot se minatorët në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje për kërkesat do të fikin pompat e ujit në minierë dhe dy prej tyre do të mbyten bashkë me galerinë.
mit/NOA