English

Njeriu piramidal

Nga Argon Tufa

Piramida është ndoshta simboli më përmbledhës i kultit adhurues për diktatorët. I adhurimit për hyjtë , i adhurimit nga frika, i adhurimit për forcën shtypëse të despotizmit absolut të mishëruar me vetë strukturën vertikale të piramidës ku pëlcet, shuhet e zhduket çdo vullnet individual e privat. Piramida është një grusht homogjen e dërrmues pushtetesh vertikale nga radikaliteti përjashtues i Njëshit, që shkallmon dhe shpërbën çdo njësi tjetër individuale. Prandaj vullnetet individuale e humbasin vetësinë brenda hierarkisë shtypëse të piramidës, duke u depersonalizuar në një masë amorfe, anonime e të bindur, përderisa funksioni i vetëm i njësisë është të jetë lëndë ndërtimi e idesë së konkretizuar hierarkike. Vetë arti i lashtë egjiptian është një art monist, totalitar: vini re proporcionet e trupit, fytyrës, shprehjet e ngurta e hermetike të statujave apo vizatimeve dhe do të ndeshni pashprehësinë, qoftë dhe në serinë e idileve të vizatuara. Këto shërbëtorë, shkrues, falltarë e shkencëtarë që na kanë mbërritur nga afresket murale dhe papiruset kanë të gjithë një gatishmëri: të bëhen fli, t’i shkojnë pas në natën e përjetshme Faraonit; mjafton një gjest i tij! Dhe krahasojini këto krijesa të ngrira njerëzore me artin demokratik të skulpturave apo pikturave helene! Edhe në dokumentin më të vjetër që shpërfaq botëkuptimin e egjiptianit të lashtë – te “Libri i të vdekurve” – transparenca e shfajësimit para gjyqit të shpirtrave, subjekti mëton të zbardhë të gjitha mendimet, prapamendimet, hamendjet, se ka qenë i pastër para çdo njeriu, e sidomos para pushtetit gjithësurvejues të Faraonit. Piramida si ngrehinë e faraonëve nuk është veçse vazhdimi i projeksionit të pushtetit hierarkik, gjithësundues qiell-tokë. Përvetësues arbitrar i imazhit hyjnor të pushtetit është kulti homogjen e radikal i Njëshit: Faraoni. Çdo gjë që e kundërshton idenë piramidale të këtij pushteti e meriton t’i bëhet fli, sipas rasteve, mistereve të posaçme ndër faltore në emër të një hyji apo hyjneshe në modë. Prandaj edhe mendimi, edhe arti, edhe shkenca edhe besimi janë gjithçka që përbën misterin e papërsëritshëm individual, janë e drejtë ekskluzive e Faronit dhe kastës së tij. Pavetëdijshëm kjo strukturë homogjene, me pole vertikale e kategoriale që likuidojnë njëri-tjetrin, ndonëse ka lulëzuar në kohëra “prehistorike”, ka shtegtuar si përvojë errësire në mendjet e njerëzimit dhe është shfaqur e mishëruar nëpër diktatorë e diktatura të ndryshme përgjatë etapave të civilizimeve. Piramidat e pushteteve diktatoriale mund të jenë primitive dhe të sofistikuara. Por në të gjitha rastet ato shfarosin privatësinë njerëzore dhe vullnetin e lirë individual, duke e strukturuar vetë formën e mendimit, ndjenjës dhe utopisë në një farë lënde viskoze, në një plastelinë sipas libidos së pushtetit despotik. Njerëzimi nuk ka oponencë tjetër, pos bindjes dhe tmerrit okult që kall në palcë piramida. Njeriu në vetë të parë, zhduket. Në vend të tij shfaqet zombia, një vegël fizikisht e gjallë. A nuk ishte vallë një proces i patësosur zombizimi skica e “njeriut të ri”, i cili kurrësesi nuk duhet të mendonte në kokën e tij? Përndryshe këtë prototip e thithte Piramida në katakombet e veta të errëta, e përpinte labirinti i llagëmeve dhe njeriu shndërrohej thjesht një hije me gjithë trysninë e llahtarshme të piramidës përmbi. Po ç‘është kjo dëshirë skizoidale e mazokiste për Piramidën tonë? Kush e orienton nostalgjinë e një kujtimi tmerrues, të maskuar si shenjë e dëshmisë totalitare në Shqipëri? A nuk të habit fakti, se pikërisht ata persona, ende të pushtetshëm në politikën tonë, ata parlamentarë, që janë mburrur nëpër studio televizive, se kanë djegur e shkatërruar mijëra dosje dëshmish me justifikimin e rënies së ligjit 55, se gjoja: “me t’u shfuqizuar ligji, i dogjëm, ngase nuk kishim vend”? Si është e mundur, që ata, të cilët dogjën dëshmitë e krimeve të komunizmit, që zhdukën dhjetëra burgje e kampe përqendrimi, duke mos lënë gur mbi gur, na dalin tani të mbrojnë Piramidën? Sot Piramida, ashtu siç janë dhjetëra e qindra rrugë e sheshe publike të kryeqytetit të emërtuar në këtë dhjetëvjeçar të fundit, siç ishte dhe lufta për të mbrojtur mozaikun psikopatik në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar bashkë me simbolet e heraldikën staliniste, përbën “Rrugën e Qumështit” të nostalgjisë enveriste. Lufta bëhet për simbole. Çfarë është simboli, përpos se shenja e shenjës? Dhe shenja shënjon sensibilitete nostalgjike brenda llojit, kontrollon dhe pastron “kanalin” e energjive, risjell në trajta recidive një ndjeshmëri të vjetër, nëpër të cilën duhet të pulsojë e rrjedh në arterie “gjaku i kuq i PPSH-së”. Përndryshe pse vallë ky përgjërim për Piramidën, tashmë të stolisur me mbishkrime pseudosentimentale: “I love you Piramida”? A thua vallë ta kenë nga ndonjë ndjenjë e spikatur e dëshmisë historike? Ata që s’lanë dosje e gur pa rrënuar të burgjeve e katakombeve të Enverit? A mos nga ndonjë ndjeshmëri e spikatur e estetikës urbane? Vështirë ta besoj këtë hamendësim me rrënjë në estetikë duke parë fytyrën dhe ligjërimin (ligjërimin?!) e zotit Ruçi e ca më pak të pinjojve të Bllokut! Piramidën e mbrojnë. Ajo duhet të jetë, të mbesë, të dëshmojë. Kështu thonë analistët tanë të lirë… me urdhër nga lart. Njëri sosh thotë se: “brezat e rinj as që e kujtojnë më Enver Hoxhën” dhe Piramida duhet të mbetet, sepse “rinia s’kanë vend ku të ulen, s’kanë vend ku të luajnë”(!) Shih se çfarë motivi i fortë dhe çfarë përkujdesjeje! Pastaj i njëjti analist, s’e ka problem ta kundërshtojë veten të thotë: “Piramida u duhet brezave të rinj, të dinë se çfarë ka qenë Enver Hoxha dhe regjimi i tij”. Ka mjaft mënyra më pak të dëmshme e më pak toksike për të mësuar kush ishte Enver Hoxha, kush ishte Blloku e kush ishte kompleksi i shumëfishtë edipal i Bllokut me derivatet e komplekseve të Orestit apo Elektrës. Tani njëra nga këto të dyja shkon: ose rinia s’e kujton më Hoxhën dhe Piramida s’ka pse të lëshojë hijen e vet të shëmtuar në zemër të kryeqytetit, ose rinia (njëfarë rinie) ushqehet nëpër gazeta, libra, telestudio, gjyshër e baballarë, politikanë e historianë me mitin e Hoxhës dhe Piramidës së tij, andaj nuk bën t’ua heqim nga fushëpamja çdo ditë. Sepse për ta ai është aty: zemra e tij rreh aty brenda ku i kishin caktuar vendin dhe, mbase në mënyrë aq okulte besojnë, ashtu siç besonin për Faraonin egjiptianët e lashtë: kush i prish varrin, mallkimi ka për ta zënë për tre mijë vjet rresht. Fëmijët e mi (sikundër pjesa dërrmuese më e shëndoshë e shqiptarëve) nuk dua t’i rris me Piramidën në sy, sepse ajo i mbledh të gjitha kujtimet e tjera në një kult dërrmues, si mishërim i së keqes. Ata që duan t’u lënë trashëgim fëmijëve e pasardhësve të tyre një kult aq nostalgjik, e kanë një shpëtim ngushëllues: le t’i veshin muret e dhomave të tyre me foto të të gjitha madhësive dhe të të gjitha ngjyrave, le të lëshohen në sentimentalizëm nostalgjik, le t’i mbushin shiritat me zë e më figurë dhe le t’u shërbejë për kinemanë familjare Enveri, Komiteti Qendror dhe Blloku para e mbrapsht, se mundësitë janë, përderisa jetojmë pikun e epokës dixhitale! Nuk i pengon kush të adhurojnë Piramidën… qoftë me Enver, qoftë pa Enver brenda…

Gazeta “Panorama”

KOMENTE