English

Operacioni i Policisë Bashkiake, bllokohen 28 ndërtime pa leje

Tiranë, 4 gusht 2011, NOA- Një operacion i Policisë Bashkiake në kryeqytet ka bërë që të bllokohen 28 ndërtime pa leje si dhe janë evidentuar dhe ndaluar disa paligjshmëri të tjera.

Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se, Policia Bashkiake e Tiranës, gjatë kontrollit të ushtruar në 24 orët e fundit, ka konstatuar ndërtime pa leje dhe paligjshmëri të tjera në fushën fiskale dhe në sektorin e qarkullimit si dhe ka marrë masat përkatëse, të parashikuara në ligj.

Mësohet se pas publikimit të numrit të telefonit, qytetarët e Tiranës kanë bashkëpunuar me Policinë Bashkiake dhe kanë bërë me dhjetëra denoncime, ku vetëm në njësinë bashkiake numër 1, janë konstatuar 2 ndërtime pa leje dhe është bërë bllokimi i tyre.

Ndërkaq në njësinë numër 2, u bllokuan 3 ndërtime pa leje, në njësinë numër 3, u vendos bllokimi në 3 ndërtime pa leje, në njësinë numër 4 policia Bashkiake bllokoi 2 punime pa leje, në njësinë numër 5, u konstatuan dhe u bllokuan 4 ndërtime pa leje, në njësinë numër 6, u verifikua dhe u bllokua 1 ndërtim pa leje, në njësinë numër 7, u gjetën dhe u bllokuan 5 ndërtime pa leje.

Po në vijimësi të këtij operacioni, në njësinë bashkiake numër 9, u konstatuan 2 punime pa leje, që u bllokuan nga Policia Bashkiake, në njësinë numër 10, u hasën 4 ndërtime pa leje dhe ndaj tyre u morën masa si dhe në njësinë numër 11, u bllokuan 2 punime pa leje.

Siç njofton Bashkia e Tiranës, gjatë kontrollit të territorit, në 24 orët e fundit, u zbuluan 76 subjekte tregtare të paregjistruara si dhe 34 subjekte, që nuk kishin paguar hapësirën publike, duke theksuar se ndaj tyre u morën masat ligjore.

Më tej Policia Bashkiake bllokoi edhe 19 automjete të parkuara në mënyrë të kundraligjshme si dhe mori masa, për sigurimin e qetësisë në disa ambiente në kryeqytet, që vuanin nga ndotja akustike, kryesisht në zonën e ish-Bllokut.

a.y/NOA

KOMENTE