Nga Artan Lame
E botuam librin që përmbledh shkrimet ku shqiptarët u përpoqën që t’i mbushin mëndjen një shqiptari tjetër që të mos i vinte kazmën një monumenti të vetë shqiptarëve. Na u duk se i thamë të gjitha, por qemë nxituar. Ndërsa ne përgatisnim bocat në shtypshkronjë, të tjera shkrime e mendime të shqiptarëve të letrave vijonin të botoheshin. Kështu që nuk mundëm të përmbledhim në libër shkrimet e Ben Andonit e të Eduard Zaloshnjës, të Arbër Zajmit e të Arian Galdinit, të Eden Babanit, e të nuk di kujt tjetër.
Por ndërsa ia dolëm të përfshinim në libër deklaratat e ambasadorit danez, nuk arritëm të bënim njësoj edhe për një deklaratë të fortë nga ato që diplomatët nuk i bëjnë kollaj nga ambasadorja e Gjermanisë, znj. Mueller-Holtkemper. Po ju kujtoj një frazë nga deklarata e saj: “Shoqëria shqiptare duhet të jetë e kujdesshme kur në diskutim vihen ndërtesa si Piramida, të ndërtuara në kohën e komunizmit dhe s’ka përse të kalohet në ekstreme, siç është shembja e tyre. Tek ne ka pasur edhe ndërtesa më të shëmtuara se sa Piramida, të cilat janë vënë nën mbrojtje monumentale”.
Po nuk mbaroi me kaq. Nuk ia dolëm të përfshijmë në libër shkrimin kurajoz të shkrimtarit dhe poetit tonë nga Prishtina, Agim Vinca, që shkruante se: “Tirana është kryeqytet i shtetit shqiptar, por Tirana është në njëfarë mënyre edhe kryeqytet i të gjithë shqiptarëve. Prandaj, edhe ne që jetojmë jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore kemi të drejtë të shfaqim mendimin tonë për çështje që kanë të bëjnë me kryeqytetin e Shqipërisë dhe tonin. Sa e sa herë me miqtë tanë në vitet që lamë pas, jemi marrë vesh të takohemi te Piramida. Sa e sa herë kemi pirë kafe në lokalet e saj; kemi bërë fotografi për kujtim përballë saj; kemi marrë pjesë në promovime librash, në tribuna e debate për çështjen kombëtare, në shënimin e përvjetorëve të shkrimtarëve tanë, veçanërisht të atyre disidentë, që kanë qenë kundër sistemit të vjetër, shi në mjediset e Piramidës”.
Por pati edhe më. Nuk ia dolëm të përfshijmë në libër një shkrim nga më profesionistët, atë të Ylber Vokshit, Kryearkitekt i Kosovës: “A thua nuk janë ngopur shqiptarët me shkatërrimet marramendëse të gabuara, në tërë Shqipërinë pas viteve të Luftës së Dytë Botërore me rrënimin e mijëra objekteve sakrale (fetare) dhe të tjera, si dhe pas viteve të nëntëdhjeta pas rënies së rregjimit ma të egër në Evropë? Ku është identiteti urban i një vendbanimi të vjetër, qytetit të Tiranës? Ruajtja e identitetit burimor, avancimi i tij si dhe harmonizimi me karakterin e përbashkët, gjithnjë ka qenë imperativ i çdo shoqërie, e ne shqiptarët po veprojmë në mënyrë vandale me rrënimin e tyre sistematik pa dhanë askush përgjegjësi. Kjo mënyrë e veprimeve në të njëjtën kohë shkatërron edhe trashëgimin e qytetit, e cila rrënjësisht ndikon në identitetin e qytetit, pasi gjeneratat e reja as që e dinë se nga i kanë rrënjët nga kanë ardhur. Identiteti urban na rikujton që brezat e rinj të mos e harrojnë diktaturën komuniste dhe pasojat me të cilat do të përballen me siguri gjeneratat e ardhshme. Në fund të fundit, Piramida do të na shërbejë si kujtesë për të kaluarën për të mos e lejuar të na përsëritet më, në asnjë mënyrë”.
Si banor i këtij qyteti dhe si njeri i letrave, veçanërisht më ka ardh turp nga vetja përpara këtyre fjalëve që na vijnë së largu, nga bashkëkombës që e duan ta shohin Tiranën si udhërrëfenjëse të shqiptarisë.
Libri ynë e pati një kinse të metë. Të metë që ma vunë në dukje me nxitim. Në libër ne vendosëm të mos përfshijmë shkrimet që mbështesnin prishjen e Piramidës, me përjashtim të njërit, shkrimit të Blendi Fevziut, i cili kish qenë i pari që shkroi për të; dhe i vetmi që, pa qenë dakord aspak me të, rreh të hedhë argumenta. Ndoshta për t’u treguar kavalierë, do të duhej t’i përfshinim edhe kundërshkrojtësit me të drejta të plota, megjithëse nuk bëheshin as sa gishtërinjtë e duarve, por ata ishin ose shkrime “qoka pushteti” ose grumbuj frazash patollogjike, që nuk e meritojnë as leximin, e jo më rileximin. Ja njëra syresh: “Stani enverist, i nxitur dhe drejtuar nga Nexhmija dhe Ramizi, kanë angazhuar një mori gazetarësh dhe mercenarësh, pseudo-arkitektë që u ka marrë koka erë, bosët e firmave të ndërtimit, që me hipoteza të stisura gjithfarësh, të deformojnë qëllimin e mirë të mazhorancës, domosdoshmërinë e ndarjes nga e kaluara komuniste, ndarjes nga simbolet e komunizmit, me qëllim që sa më parë Shqipëria të kompensojë kohën e humbur në rrugën e vështirë të demokracisë...”. (Gazeta 55, dt. 30.10.2010). S’besoj t’i mbetet kujt peng kjo mungesë.
Po kryeministri ynë? Kryeministri na quajti “Vullnetarë të Enverit”. Normale për një mëndje si e tija. Këto ditë do dëgjojmë marrëzinë e rradhës prej tij: prishjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Nuk po fantazoj, është e vërtetë. Ne do zëmë nga fillimi t’i mbushim mëndjen se pse nuk i duhet vënë kazma një prej monumenteve më brilante të qytetit. Ai me siguri që do na quajë “Vullnetarë të fashizmit”, meqenëse stadiumi është ndërtuar në kohë të Italisë. Pastaj do zërë të ligjërojë se nuk mund ta lejoj simbolin e fashizmit në qafë të kryeqytetit të demokracisë, se nuk mund të mbajmë në qytet një simbol të rregjimit fashist që e ka dënue e gjith Evropa, e të tjera dëngla si këto. Pastaj ... Pastaj të shohim se kush do ta ketë radhën të bjerë ndën kazmën e tij.
Në fakt, historia na mëson se asnjëherë ndonjë shkatërrim nuk është ndalur me libra; se kurrë në histori të botës, hordhitë barbare nuk janë frenuar prej ndonjë libri çudibërës. Ndaj edhe ky libri ynë nuk ka qëllim të ndalë marrëzinë (hair i qoftë në ia daltë), por të lerë gjurmë sa më të fortë në kujtesë të vendit, se sidoqoftë shqiptarët normalë, që me ç’duket janë shumicë, u përpoqën.
Gazeta "Shqip"