English

Pranga shqiptarit, u pagua 12 mijë euro për një vrasje

Athinë, 4 gusht 2011, NOA - Një shqiptar "vrasës profesionist me pagesë" dhe nxitësi i tij, janë arrestuar nga policia helene pak përpara se të kryenin një vrasje. Ata kishin përgatitur ekzekutimin e një 44-vjeçari, banor i ishullit të Rodosit në Greqi. Të arrestuarit janë një 31 vjeçar shqiptar dhe një 43 vjeçar grek, të cilët sapo kishin përfunduar “kontratën e vdekjes”. Sipas policisë nxitësi i vrasjes dhe viktima, ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe kishin krijuar një konflikt pronësie për një bar-kafe në ishullin e Rodosit, konflikt të cilin 43 vjeçari kishte vendosur ta zgjidhte me armë. Dy personat që kishin planifikuar vrasjen dhe do ta kryenin atë, u arrestuan mbrëmë në ishull nga forcat e policisë dhe akuzohen për ngritjen e një organizate kriminale me qëllim ekzekutimin e kontratës së vdekjes dhe për posedim ilegal të armëve. Policia kishte siguruar informacionet nga një tjetër qytetar grek për përgatitjen e vrasjes së tregtarit 44 vjecar dhe dje bëri një kontroll të befasishëm në shtëpinë e shqiptarit, ku gjeti dhe skuestroi: • Një pistoletë me origjinë të panjohur • Njëzet e një fishekë të kalibrit 32 mm. • Një telefon celular Nga hetimet e policisë rezultoi se shqiptari 31 vjecar kishte mbërritur të martën në Rodos nga Megara nëpërmjet detit, dhe kishte bërë kontratën me 43 vjecarin për të ekzekutuar një person në këmbim të 12 000 eurove. Pas një operacioni policor të koordinuar, policia organizoi një takim mes shqiptarit dhe porositësit të vrasjes në stadiumin e vjetër të Rodosit, ku u arrestua edhe ky i fundit. Në posedim të tij policia gjeti dhe konfiskoi: • Një telefon celular • Një faqe gazette ku përshkruhej pamja e 44 vjeçarit (viktima) • Një shënim të shkruar me dorë, me udhëzime të ndryshme dhe me projektin për vrasjen • Një shënim dore ku shkruhej adresa e viktimës • Një faturë banke për pagesën prej 12.000 €. a.q/NOA

KOMENTE