Prishtinë, 4 gusht 2011, NOA Update - Qeveria e Kosovës e cilëson të papranueshme draft-marrëveshjen e arritur mes gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe kryenegociatorit serb në bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanoviç, e përmbledhur në tri pika.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendimmarrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draft-marrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Në njoftim bëhet me dije se Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë.
Gjithashtu ekzekutivi i Kosovës shprehet se mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i.
Në fund të deklaratës së qeverisë thuhet se “Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, një vendim të cilin shefi i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi e ripërsëriti edhe gjatë takimit me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler mbrëmjen e të mërkurës.
Qeveria e Kosovës bëri me dije se konsultat me KFOR-in për situatën në veri do të vijojnë edhe gjatë ditës së enjte.
Marrëveshja mes komandantit të KFOR-it dhe zyrtarëve serbë e arritur mbrëmjen e 3 gushtit në kampin e KFOR-it Nothing Hill, mbi zhbllokimin e situatës në veri të Kosovës mbështetet në tri pika:
• Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.
• Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.
• Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.
mit/NOA