Nga Et’hem Ruka
Dy partitë e mëdha, PSSH dhe PDSH, kanë historinë e tyre të përbashkët, por, pa dyshim, edhe një sërë ndryshimesh thelbësore. Janë këto dy parti që kanë ndarë qeverisjen e vendit gjatë këtyre 20 vjetëve, në konkurrencë të ashpër me njëra-tjetrën dhe me një bashkëpunim jo solid, veçanërisht për çështjet madhore, siç janë ato të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian dhe arritjen e synimit për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Pa asnjë dyshim profili i PS-së dhe PD-së vjen sot para syve tanë me kode të ndryshme morale e politike. Historia e PSSH është historia e një debati konstant, pse jo edhe me teprime, por të vlefshëm si për veten, por, pa dyshim, edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare. Mocione e antimocione, debate brenda forumesh e në mjedise publike, me një seri dorëheqjesh, të cilat u bënë shembulli i emancipimit të politikës shqiptare dhe qarkullimit të elitave brenda partisë, me alternim brezash në funksionet më të larta të qeverisjes qendrore e vendore, me vendosje normash statutore për barazinë gjinore, me rigjenerim të vazhdueshëm të burimeve njerëzore, duke ftuar vazhdimisht të rinj nga shoqëria civile, me ndjeshmëri të lartë për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. PS mbetet forca e vetme politike, e cila ka kërkuar në vazhdimësi ta përsosë veten para se të ofrojë alternativa të dobishme për përsosjen dhe progresin e gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk mund të themi të njëjtën gjë për PD-në, e cila në profilin e vet ka dallime thelbësore nga konkurrentja e saj më e madhe, PS. Në kodin moral të kësaj partie ka shumë gjëra që mund të konsiderohen të huaja për PS-në. Që nga themelimi i saj e deri sot kjo parti, në nivelin e saj më të lartë, nuk e ka njohur dhe aplikuar asnjëherë dorëheqjen, siç ka ndodhur me udhëheqësinë e PS-në. Kodi i kohezionit dhe solidaritetit të PS-së ka qenë dhe mbetet i ndryshëm nga ai i PD-së. Nëse në PD kush shërben, pavarësisht profesionalizmit, shpërblehet politikisht e ekonomikisht, dhe se kush kundërshton shkatërrohet nga të gjitha anët, në PS kohezioni është mbështetur mbi vlera të tjera, siç është ajo e solidaritetit dhe barazisë së shanseve. Nëse në PD kodi moral mbështetet më shumë në një organizim të theksuar vertikal, karakteristikë e shoqërive feudale të pararilindjes europiane, në PS ky kod moral është më shumë qytetar e me organizim horizontal, i cili krijon më shumë shanse për frymëmarrje e demokraci brenda vetes, ashtu siç ndodh në të gjitha shoqëritë e emancipuara. Në refleksion të parimit të përsosim veten para se të përsosim shoqërinë, PS ka ndërmarrë një nismë aktive që ka të bëjë me përmirësimin e dokumenteve themelore të funksionimit të saj, siç janë programi politik dhe statuti i partisë. Në fakt, synimi i kësaj partie, të paktën në këndvështrimin tim, është edhe më tepër se kaq, që do të thotë konsolidimi i vlerave të saj më të mira, largimi nga praktika që dobësojnë funksionimin e saj në të gjitha nivelet, që dobësojnë solidaritetin midis anëtarëve të partisë e pjesës tjetër të shoqërisë, që dekurajojnë luftën politike të anëtarëve të saj, respektim më i mirë i hierarkisë së vlerave, “shpërblimi” i merituar i karrierës së gjithsecilit mbi bazën e kontributit që sjell gjithsecili për mbushjen e shportës me vota në zgjedhjet lokale e qendrore etj., etj. Pa një diagnozë të saktë të gjendjes në të gjitha nivelet nuk mund të ndërmerren masa adekuate për përmirësime të mëtejshme. Analiza që ka filluar duhet të përfshijë të gjitha forumet, duke filluar nga ato më të thjeshta e deri te nivelet më të larta. Duke e parë me shumë kujdes gjendjen në nivel lokal, por edhe atë qendror, më rezulton se të zgjedhurit nuk e kanë autoritetin e duhur për të ushtruar funksionet e tyre. Dobësimi i këtij autoriteti vjen edhe nga fakti se asnjëherë nuk është zgjidhur dhe as shtruar për zgjidhje si duhet raporti që ka partia me pushtetin vendor dhe atë qendror. Në këtë pikë duhen normuar shumë aspekte, por duke u larguar nga praktika e PD-së, ku kryetari i partisë në një rreth ka plotësisht trajtën e sekretarit të parë në kohën e Hoxhës. Kryetarët aktualë të PDsë janë omnipotentë për sa kohë ata kanë të drejtën e emërimit dhe çemërimit të burimeve njerëzore, pra të heqjes së bukës së gojës. Në jo pak raste janë denoncuar publikisht shkresa të forumeve partiake të PD me firmë e vulë që obligojnë strukturat ekzekutive për emërime personeli dhe penalitete për kundërshtarët politikë. Ndërkaq, në PS kanë ndodhur shpërdorime të pafalshme të demokracisë së brendshme gjoja në emër të diversitetit të mendimeve. Një parti mbahet në këmbë falë rregullave që vendosen bashkërisht, miratohen bashkërisht dhe duhet të zbatohen bashkërisht. Ka pasur raste që brenda Grupit tonë Parlamentar është bërë i vështirë edhe emërimi e çemërimi i ministrave, duke luajtur me parimin që pakica e mund shumicën duke i vënë kushte. Në jo pak raste “spektakli” i të mëdhenjve, për të sharë partinë e tyre çdo ditë në sytë e publikut, ka reflektuar edhe në nivel lokal. Shumë të zgjedhur lokalë rëndom dëgjon të thonë “se kur bëjnë ata lart, pse të mos bëjmë ne këtu poshtë?”. Imagjinoni se sa njerëz brenda partisë sonë dalin si kandidatura të pavarura për zgjedhjet e pushtetit vendor dhe asnjeri prej tyre nuk është penalizuar. Këta njerëz, duke hequr vota e lënë vazhdimisht partinë në opozitë megjithëse njësia vendore është me shumicë e majtë. Ka raste edhe më dramatike kur ish-të zgjedhur në pushtetin vendor, meqë nuk janë kandiduar për herë të katërt ose të pestë, jo vetëm që nuk u dukën në fushatën e fundit, por në disa raste punuan drejtpërdrejt për kundërshtarët tanë politikë. A mundet që këta njerëz të vazhdojnë të kërkojnë edhe radhën tjetër të rikandidojnë a të kërkojnë funksione në Ekzekutiv dhe ne të mbyllim sytë për atë që ka ndodhur? Kultura e pandëshkueshmërisë nuk mund të përligjet thjesht me tolerancën ndaj diversitetit. Diversiteti i mendimeve është gjë tjetër dhe respektimi i dokumenteve themelore të një partie është një gjë krejt tjetër. Shpresojmë që në këtë proces PS të rivitaliozjë forumet e saj në të gjitha nivelet. Kryetari i saj, z. Rama, duke i rikonsideruar këto vite lufte politike me të mirat dhe të metat e natyrshme, duke gëzuar mbështetjen e plotë të anëtarësisë së PSSH, jam i bindur që do të punojë bashkë me kolegët e vet për të gjetur jo vetëm forma më të mira organizimi të partisë në nivel lokal, por do të dijë t’u japë më shumë jetë e dinamizëm, veçanërisht forumeve më të larta partiake, siç janë Asambleja Kombëtare, Kryesia e PSSH dhe Sekretariati Ekzekutiv. Partia Socialiste e Shqipërisë mbetet një ndër forcat më kryesore të vendit. Ajo është padrejtësisht në opozitë për shkak të vjedhjes konstante të votave nga maxhoranca aktuale. Kjo vjedhje ndodhi në dritën e diellit edhe disa muaj më parë për Bashkinë e Tiranës. Nuk besoj se ka njëri me pak mend brenda dhe jashtë vendit të mos e ketë kuptuar se vjedhja u përligj si një dukuri morale, në emër të gjoja gabimit njerëzor. PS duhet të merret seriozisht me veten dhe seriozisht me misionin e saj për të çmontuar sa më shpejt e sa më bindshëm maxhorancën e sotme dhe për të ardhur sa më shpejt në pushtet, si mundësia e vetme për ta nxjerrë vendin nga gjendja në të cilën ndodhet.
*Sekretar për Burimet Njerëzore në PSSH. Botuar në gazetën "Panorama".