English

Stefanoviç: Mospajtimi i Kosovës me marrëveshjen dëm për stabilitetin

Beograd, 4 gusht 2011, NOA – Udhëheqësi i palës serbë në bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanoviç deklaroi se mospajtimi i qeverisë së Kosovës me marrëveshjen e arritur mes serbëve dhe KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve në veri është një dëm për stabilitetin e rajonit.

Duke folur për mediat serbe Stefanoviç theksoi se marrëveshja e arritur ndërmjet komandantit të KFOR-it, Erhard Byler, dhe zyrtarëve serbë, i vlen më së shumti qetësimit të situatës në veri të Kosovës dhe rikthimit të të dyja palëve në bisedime, citon radio ‘Evropa e Lirë’.

Këtë koment kryenegociatori serb e bëri pasi Qeveria e Kosovës e hodhi poshtë marrëveshjen mes KFOR-it dhe zyrtarëve serbë, duke e cilësuar si të papranueshme dhe të parealizueshme në territorin e Kosovës.

Përmes një deklarate Qeveria e Kosovës bëri me dije se do të respektojë me përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë, duke nënvizuar se për shtetin e Kosovës nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut, kur forcat speciale të Policisë së Kosovës morën nën kontroll dy pikat doganore në veri të Kosovës, përkatësisht Jarinën dhe Bërnjakën.

Ndërkohë qeveria e Kosovës mbështet KFOR-in në përpjekjen për zhbllokimin e rrugëve në veri dhe rikthimin e sigurisë në këtë zonë të tensionuar.

REL/mit/NOA

KOMENTE