Tiranë, 4 gusht 2011, NOA- Gjatë paradites së sotme mes përfaqësuesve të qeverive të Zvicrës dhe Shqipërisë u nënshkrua një marrëveshje e cila siguron mbështetje për forcimin e qeverisjes vendore.
Të pranishëm gjatë nënshkrimit kanë qenë ambasadorja Zvicerane Yvana Enzler dhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, nëpërmjet të cilës synohet forcimi dhe përmirësimi në funksionimin e qeverisjes vendore në Shqipërinë Veriore, me një përkushtim financiar prej 4.5 milion Euro për një periudhe tre vjeçare. Sipas marrëveshjes së re, asistenca Zvicerane do të shkojë drejt rritjes së kapaciteteve të bashkive dhe komunave në Shkodër dhe Lezhë gjë e cila do të lehtësojë procesin e decentralizimit.
Rezultati kryesor që pritet është një efiçiencë dhe efektivitet i përmirësuar i administratës në dorëzimin e shërbimeve publike nga bashkitë dhe komunat, si dhe në pjesëmarrjen e qytetarëve.
Sakaq një element i ri në këtë program është fokusi që ka tek ndarja e përvojave dhe praktikave të mira në nivel kombëtar në mënyrë që të përfitojnë edhe rajone të tjera të Shqipërisë.
Ndërkaq si Ambasadorja Zvicerane ashtu edhe Ministri i Brendshëm theksuan bashkëpunimin e dobishëm dhe partneritetin e suksesshëm gjatë fazës paraardhëse të programit.
Faza e re do të vazhdojë të zbatohet nga Intercooperation, një OJQ zvicerane me ekspertizë të veçantë në decentralizim. Bashkitë dhe komunat do të përfitojnë nga përvojat dhe praktikat e ndara si dhe nga ekspertiza zvicerane.
Zyra e Bashkëpunimit Zviceran është një nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë në mbështetje aktive të decentralizimit dhe funksionimit të qeverisjes vendore në Shqipëri. Gjatë fazave të mëparshme të programit të decentralizimit, Bashkëpunimi Zviceran ka aftësuar komunat dhe bashkitë në Shkodër që të përmirësojnë shërbimet publike, të rrisin komunikimin me qytetarët dhe te planifikojnë dhe menaxhojnë më mirë burimet vendore.
Bashkëpunimi Zviceran i jep vëmendje të veçantë forcimit të qeverisjes vendore dhe përparimit të procesit të decentralizimit në Shqipëri. Në kuadrin e Strategjisë së Bashkëpunimit me Shqipërinë 2010-2013, Zvicra jep rreth një të tretën e buxhetit për forcimin e qeverisjes vendore, shtetit të së drejtës dhe decentralizimit.
a.y/NOA