Tiranë, 5 gusht 2011, NOA - Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, bën me dije fondet e akorduara me ligj për investime në argjinatura, diga, hidrovorë dhe projekte të cilat janë duke u zhvilluar me qëllim mbrojtjen nga përmbytjet. Buxheti total i rishikuar i MBUMK-së për 2011 është afro 2.4 miliard lekë. Nga ky buxhet afro 85 % e tij, i kalon vetëm programit të “Menaxhimit të Infrastrukturës së Ujitjes, Kullimit dhe Mbrojtjes nga Përmbytja”.
Një ndër objektet e rëndësishme për përballimin e përbytjeve të mundshme është edhe investimi i planifikuar me buxhetin e vitit 2011, me vlerë totale prej afro 1 milion euro për rehabilitimin e digës së Torovicës e cila, ndan zonën e Nënshkodrës me qarkun e Lezhës.
Në këtë zonë mbi bazën e studimit të kryer gjatë periudhës Janar - Mars 2011, duke iu referuar përmbytjeve të vitit të kaluar, u caktuan pikat më depresive dhe të domosdoshme për ndërhyrje kryesisht në Argjinatura dhe Kullim. Mbi bazën e këtij studimi u hartuan projekt - preventivat dhe pas zhvillimit të procedurave juridike, filloi puna në 11 objekte. Deri më datë 3 gusht, këto investime jane inspektuar në vazhdimësi nga Drejtoria Teknike e MBUMK-së dhe me inspektime speciale nga vetë Ministri Genc Ruli, dhe këto investime janë: mbrojtja nga lumi Kir, argjinatura e Çasit, mbrojtja nga lumi Buna në zonën e Dajcit, mbrojtja nga lumi Buna në zonën Daragjat, argjinatura e lumit Buna në zonën Belaj dhe Shirgj. Argjinatura Vilun me gjatësi afro 6 kilometër. Nga Inspektimet e kryera deri tani, rezulton se investimet janë në rrugë të mbarë dhe premtuese për të përfunduar para fillimit të sezonit të rreshjeve të këtij viti, dhe përfundimet e punimeve brenda afateve të përcaktuara në kontratë.
a.q/NOA