English

Basha: Ja projektet e para që do të realizohen në Tiranë

Tiranë, 4 gusht, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha ka deklaruar shumë shpejt do të vihen në zbatim projektet e premtuara. Në një intervistë për televizionin "ABC NEWS", ai thotë se prioritet i punës së tij është zgjidhja e problemeve të qytetarëve, njëherësh Basha tha se do të bëhet gjithçka për të zbatuar ligjet dhe për të mos lejuar asnjë veprim abuziv.

Hytë në institucionin që administron jetën e Tiranës, pas një procesi sa të gjatë aq edhe të vështirë postzgjedhor. Ndjesia e parë, sodisfaksion për fitoren apo përgjegjësi për premtimet?

Ditët e para të punës janë ditë shumë intensive, janë ditë ku përgjegjësia nuk është më e supozuar, por reale. Unë dhe stafi im besoj në këto ditë më shumë kemi ndjerë përgjegjësinë për të nisur atë program ambicioz, që kemi shpallur para qytetarëve dhe për të realizuar të gjithë etapat e premtimeve tona.

Zoti Basha, një sërë premtimesh që janë bërë gjatë fushatës elektorale, ajo çka spikati në fushatën tuaj ishte pikërisht konkretësia e problematikave më të mëdha të kryeqytetit. Përgjegjësi dhe premtimet në fushatë elektorale merren me rezerva, tani që keni në dorë kartat për realizimin e tyre, sa e vështirë është t’i përmbaheni atyre?

Natyrisht premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale bazohen në një program, i cili u hartua nga ekspertë të shquar të fushave përkatëse, i cili në thelb kishte realizimin, por edhe besimin për potencialet e kryeqytetit, për potencialet e qytetit dhe vënia në jetë e këtyre potencialeve, në zbatim nëpërmjet dedikimit të plotë të lidershipit të Bashkisë në funksion të këtyre premtimeve, në funksion të këtyre objektivave. Pra, vënien e Bashkisë në funksion të plotë të qytetarëve. Në këtë kuadër, unë jam plotësisht i bindur se të gjitha premtimet e programit janë realiste dhe plotësisht të mundura. Natyrisht do të ecet në disa baza, puna nuk do të jetë e lehtë, ndryshimi nuk do të jetë i lehtë, ndryshimi nuk do të vijë brenda ditës. Shumë prej problemeve do të jenë të vështira, do të ketë të papritura, por një gjë është e sigurt, unë jam i vendosur dhe administrata e Bashkisë së Tiranës në drejtimin tim është e vendosur të bëjë gjithçka për të shndërruar premtimet e fushatës, ëndrrat e qytetarëve të Tiranës në realitet dhe për t’u përballur në çdo problem të qytetit dhe qytetarëve në çdo cep të qytetit pa dallim, pavarësisht moshës së qytetarëve, origjinës së tyre ekonomike shoqërore, nëse janë banorë të vjetër apo të rinj të qytetit, Bashkia do të jetë vendi ku do të zgjidhen problemet e qytetarëve.

Sapo keni vënë këmbën në Bashkinë e Tiranës duket se puna ka nisur zoti Basha, madje një punë që duket se ka nisur në shumë drejtime njëherazi. Që në ditët e para keni shpallur programin e 100 ditëshit të parë, i cili konsiderohet dhe themeli i një programi katërvjeçar. Cilat janë pikat të cilat mendoni se vërtet do të realizohen brenda 100 ditëshit?

Së pari, është përshtatja e strukturës së Bashkisë, për t’u angazhuar seriozisht dhe me potencial të plotë në ato çështje që ne kemi deklaruar parësore, punësimi, zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja, thjeshtimi i procedurave të Bashkisë në kontakt me qytetarët, por edhe në kontakt me biznesin. Përgatitja e punës për hartimin e planit urbanistik të Tiranës, një plan të munguar për një kohë të gjatë, ngritja e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe po kështu adresimi i disa problemeve të mëdha që qytetarët e Tiranës i kanë vuajtur me të padrejtë për një kohë të gjatë, siç është çështja e hipotekimit të banesave, por edhe premtime të tjera siç është çështja e kartës së studentit, çështje që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Bashkisë karshi qytetarëve, ujësjellës-kanalizimin, infrastruktura parësore, probleme akute siç janë trafiku dhe pasojat e tij tek qytetarët dhe ambienti. Këto janë disa nga çështjet kryesore me të cilat ne po avancojmë në mënyrë të përditshme tashmë, me të cilat janë ngritur tashmë grupet e punës, ndonëse është gusht.

Zoti Basha, ai që konsiderohej hendikapi më i madh i qeverisjes së kryeqytetit ka qenë mungesa e një plani urbanistik, të cilin ju e keni premtuar mos gabohem edhe me një përfaqësi japoneze, ku keni patur një takim pikërisht për planin urbanistik. Kur thuhet plan urbanistik duket një projekt i vetëm, por përmban shumë projekte të tjera në vetvete, sepse ka një sërë projektesh që përmblidhen pikërisht brenda tij. Në mënyrën se si është trajtuar deri tani hapësira e kryeqytetit shqiptar, sa e lehtë është brenda këtij plani urbanistik të realizoni synimet tuaja me atë që keni premtuar?

Plani urbanistik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një zhvillim afatgjatë, për një zhvillim modern dhe me standarde europiane të qytetit, ku ka vend për interesat e të gjithë qytetarëve, ku zhvillimi nuk bëhet në funksion të grupeve të veçanta të interesit, apo për zgjedhjet e ardhshme, por bëhet për të gjithë qytetarët dhe për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye është vendimi im, që puna për planin urbanistik të nisë menjëherë. Për këtë qëllim po bëhet evidentimi i situatës aktuale, i partnerëve të përfshirë apo që do të përfshihen në këtë proces. I kapaciteteve që do të përfshihen nga ana e qytetit, duke përfshirë këtu edhe universitetet kryesore, ku urbanistika është një disiplinë akademike dhe besoj se jo më vonë se 15 shtatori ne do të dalim me një plan të qartë pune, i cili do të ketë synim kryesor përfundimin brenda 12 muajve të një plani urbanistik të plotë për të gjithë qytetin e Tiranës. Të një plani urbanistik, i cili do të ngërthejë të gjitha interesat e qytetarëve, po do të ketë dy parime kryesore në thelb, vlerësimin e drejtë të pronës private të qytetarëve të Tiranës dhe fitimin sa më të madh të hapësirave publike, për sheshe lojërash për fëmijë, për parqe të gjelbra, për shkolla, kopshte, çerdhe, për institucione kulturore apo sportive, por edhe për rrugë më të gjera të standardeve europiane me trotuare dhe ndriçim, pse jo dhe me korsi për biçikleta.

Do të punohet paralelisht për ato që quhen projekte të mëdha, sipas një lloji renditjeje. Kur flas për projektet e mëdha flas për tramvajin e premtuar për t’u realizuar për një kohë shumë të shkurtër për çlirimin e trafikut në kryeqytetin shqiptar dhe një sërë çështjes të tjera të këtij karakteri?

Planveprimi do të përcaktojë qartë të gjitha etapat, pra, ne nuk do të mbetemi në pritje të përfundimit të studimit apo planit të plotë urbanistik, por do të përparojmë me disa projekte që janë në përputhje të plotë me planin afatgjatë të zhvillimit të Tiranës. Këtu pa dyshim hynë përgatitjet për tramvajin, këtu hynë disa ndërhyrje urbane duke përfshirë këtu edhe zgjatimin e bulevardit në drejtim të lumit të Lanës dhe krijimin e një korridori verior të qytetit me potenciale të mëdha për zhvillim privat dhe publik. Natyrisht edhe zhvillime të tjera, të cilat duke u konstatuar në përputhje me objektivat afatgjatë të zhvillimit, nuk kanë pse të mbesin në sirtar, por do të nisin menjëherë ekzekutimin.

A ka projekte të lëna pezull ose përgjysmë nga paraardhësi juaj zoti Basha dhe çfarë ndodh me to?

Natyrisht që po, disa prej tyre mendoj se janë para syve tanë siç është situata në sheshin “Skënderbej”. Unë e di që qytetarët përballen me këtë vështirësi prej kohësh. Problemi është që me marrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë dhe me prezantimin e situatës me këtë projekt vura re se projekti aktual nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut, pra, nuk ka asnjë nënkalim apo By Pass që do të çlironte situatën e trafikut siç është sot. Ky është një problem i madh, pasi do të thotë se edhe pasi projekti të përfundonte situata e trafikut nuk do të përmirësohej dhe e kuptoj që ky do të ishte një problem i madh për qytetarët e Tiranës. Në këtë kuadër duhen marrë disa vendime të shpejta. Po ta shikojmë situatën kështu siç është vendimi i parë, që duhet marrë është ai i çlirimit përkohësisht të trafikut. Natyrisht ne nuk mund ta kthejmë sheshin në gjendjen e mëparshme, por çlirimi i përkohshëm i trafikut janë një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im. Paralelisht me këtë do të ecet me një studim që do të rishikojë mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së trafikut në sheshin “Skënderbej”, qoftë kjo me ndërtimin e një nënkalimi me By Pass me parkime nëntokësore. E rëndësishme është që zgjidhja të jetë afatgjatë, të jetë një zgjidhje e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve sot, por që i qëndron jo vetëm 5 viteve të ardhshme që të fillojë prapë puna për ta gërmuar, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme.

Flasim për përmirësimin e projektit aktual apo devijohet nga ky projekt dhe a ka vështirësi ligjore në këtë drejtim?

Unë nuk mund të shprehem për këtë çështje. Ajo që mund të them është që do të veproj me dinamizëm për të përmirësuar trafikun në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë që inxhinierët, arkitektët që aktualisht janë të angazhuar me këtë projekt rishikojnë edhe njëherë projektin për të bërë të mundur, që në përfundim të tij të mos jemi në të njëjtën situatë siç jemi sot. Ky është rreziku që ekziston, por jemi në një situatë që trafiku të jetë i normalizuar edhe kur kryeqyteti të ketë shumë më shumë automjete.

Keni pezulluar lejet e ndërtimit për një kohë, është një lloj memoratoriumi apo jo, sa mendohet të zgjasë në kohë dhe pse është marrë si masë?

Siç folëm pak më para për planin urbanistik qëllimi i tij është të ketë ndershmëri në mënyrën e zhvillimit të qytetit, ndershmëri karshi pronës private, por edhe karshi brezave të ardhshëm përsa i përket hapësirës publike të qytetit. Qëllimi është që plani të përfundoj sa më parë, është një plan i munguar, i premtuar i parealizuar. Është një plan që Tiranës i ka munguar problemet e të cilit Tirana i vuan edhe sot. Brenda këtij viti do të ketë ashtu siç kam premtuar një memoratorim për ndërtimet dhe ndryshimin e destinacione, sepse është në interes të çdo qytetari, në interes të qytetit që ne të kemi qartësi të plotë për trajtimin e pronës private me ndershmëri.

Folët për projekte, por financat si janë në Bashkinë e kryeqytetit?

Të them të drejtën financat nuk janë në gjendje të mirë, siç është e bërë e ditur edhe sot nëpërmjet disa mediave. Gjendja financiare është shumë e dobët, kemi një shumë prej afro 1.5 milionë dollarësh në kontot tona, shumë e pamjaftueshme kjo edhe për të paguar pagat e personelit të Bashkisë për muajin gusht, kjo pasi kemi pasur një rënie drastike nga Bashkia të mbledhjes së të ardhura, veçanërisht përgjatë 2 muajve të fundit, ku ka arritur në nivelin 5-7% krahasuar me 32% që ka qenë mesatarja përgjatë 6 muajve të mëparshëm. Nuk dua të argumentoj për të kaluarën, ne shikojmë nga e ardhmja. Mbledhja e taksave është një prioritet, kush ka paguar taksat është në rregull kush nuk i ka paguar duhet t’i paguajë ato. Në çdo rast Bashkia do t’i mbledhë taksat, por kjo nuk ndryshon aspak vullnetin tim të shprehur gjatë ceremonisë së betimit për të ndërmarrë një reformë fiskale. Që do të jetë ulja e taksave dhe tarifave.

Bazuar në planin tuaj mendohet që ulja e taksave të behët brenda 10 ditëve të para. Sa i rëndësishëm është projekti 100 ditor për mandatin 4 vjeçar. Sa e rrit nivelin e besueshmërisë tek ju?

100 ditët e para janë ditët e trazicionit i cili në vende të ndryshme mbaron 30, 40 apo për 50 ditë në disa raste. Pastaj nis 100 ditshi. 100 ditshi përfshin edhe tranzicionin që siç e dini për shkak të procesit të tejzgjatur nuk pati një trazicion të rregullt. Për fat të keq z.Rama vendosi të mos marrë pjesë në trazicion çka na vështirësoi momentin e dorëzimit të funksioneve, jo vetëm për mua por edhe për stafin esencial. Megjithatë unë dua të falënderoj stafin i cili mbeti në detyrë, e që kreu me sukses detyrat e ngarkuara me ligj. Besoj se këtë faqe të tranzicionit do ta mbyllim në një kohë jo të gjatë, dhe mund ta quajmë një tranzicion të butë dhe paralelisht me të ne kemi nisur punën për përmbushjen e premtimeve kryesore. Ka një grup pune që merret me planin urbanistik, ka një grup pune që merret me Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ka një grup pune që po merret me çështjen e hipotekave, po përfundon produkti i grupit të punës për taksat dhe tarifat dhe kjo në më pak se dy javë nga trazicioni në Bashkinë e Tiranës.

Një nga sfidat tuaja kryesore është ndryshimi i filozofisë së qeverisjes së Bashkisë së Tiranës që ka të bëjë me komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarin, marrja e masave dhe në momentin e parë të punës me Agjencinë e Konsumatorit. Pse e nisët fillimisht me këtë agjenci?

E vërteta është se Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit është një instrument i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo bashki aq më tepër në Tiranë kur zëri i qytetarit prej kohësh nuk dëgjohej për shkak të zhurmës së konfliktit politik që kishte mbërthyer Bashkinë. Në këtë pikëpamje është pjesë e pandarë e premtimin tim për ta bërë zyrën e qytetarit tingullin kryesor në Bashkinë e Tiranës dhe veprimtarinë e saj. Kjo është arsyeja që unë hapa dyert për të pritur qytetarët dhe kjo është arsyeja që duke fillua nga nesër do vendos një orar pritje për qytetarët, jo vetëm për t’u përshëndetur si të mërkurën por për të dëgjuar problemet e tyre dhe për tu marrë me to.

Pra takimi i së premtes fillon funksionimin tashmë ?

Të premten në orën 9, nesër në orën 9 nis takimi me qytetarët së bashku me nënkryetarët, avokatin e qytetit dhe zyrtarë të tjerë do të kenë orarin e tyre zyrtar të pritjes. Në këtë kuadër Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit merr një rëndësi të veçantë sepse nga njëra anë kryen një instrument të kontrollit profesional të cilësisë dhe çmimit të mallrave dhe shërbimeve në qytetin tonë, duke mos zëvendësuar për asnjë çast instrumentet e tregut. Por duke mos mbyllur sytë para përgjegjësisë që duhet të ketë dhe ka bashkia për t’u ndeshur me spekulimet dhe cilësinë, që ndikon tek shëndeti apo tek xhepat e qytetarëve të Tiranës. Është një çështje shumë e prekshme, një çështje që do të ketë vëmendje, përgjigjen dhe përgjegjësinë e plotë të Bashkisë së Tiranës e cila do të vijë nëpërmjet kësaj Agjencie për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Si do të funksionojë kjo Agjenci? Do të ketë grupe në terren, do të ketë zyrat e saj apo qendra mbetet Bashkia e Tiranës?

Grupi i punës i cili përfshin ekspertë shumë të zotë të fushës është në proces të hartimit të ngritjes së kësaj agjencie. Ka shumë modele shumë të suksesshme te cilat përdoren sot jo vetëm në vendet perëndimore por edhe në rajonin tonë. Ka edhe një përvojë qoftë kjo negative në qytetin e Tiranës dhe ne do t’i mbledhim të gjitha këto me ekspertizën tonë, do t’i shpallim para publikut, para opinionit, strukturën në lidhje me punën për ngrirjen e agjencisë shumë shpejt.

Që në ditët e para të punës ka qënë ç’politizimi në një farë mënyrë e bashkisë së Tiranës, pra marrja fund e sherrnajave politike dhe përqendrimi i punës tek qytetari dhe qyteti. Në rast se ju dhe stafi juaj keni një vullnet të mirë për të bashkëpunuar çfarë ndodh me palën tjetër? Si do ta realizoni këtë bashkëpunim?

Jam shprehur që Bashkia nuk është vendi i konfliktit politik. E vlerësoj këtë e kam besuar gjatë fushatës dhe e besoj edhe tani pas fushatës në pozitat e kryetarit të Bashkisë. Në këtë kuadër do të punoj fort që zëri i çdo qytetarit të dëgjohet dhe që çdo forcë politike të jetë pjesëmarrëse dhe e gjithëpërfshirëse në veprimtarinë e bashkisë së Tiranës e cila nuk i takon asnjë partie politike, asnjë koalicioni partish por i takon të gjithë qytetarëve të Tiranës. Kontributi i forcave politike edhe të forcave të opozitës është i mirëpritur, që nga vendimet e Këshillit Bashkiak të rëndësishme që merr për qytetarët e deri tek aparati ekzekutiv, do të mirëpriten pavarësisht në cilën parti politike militon. Do të mirëpriten idetë dhe kontributet e ekspertëve dhe specialistëve pavarësisht bindjeve politike dhe në këtë drejtim unë do të ec me një dorë të shtrirë për bashkëpunim. Para ca ditësh unë prita kryetarët e minibashkive të Tiranës, sepse mendoj që bashkëpunimi me ta është shumë i rëndësishëm për ti shërbyer interesit të qytetarëve sepse ata ndodhen shumë pranë interesave të tyre. Pra janë vija e parë e frontit nëse mund ta them kështu, për marrjen e kërkesave dhe nevoja për tu ballafaquar për qytetin e Tiranës. Ndonëse në këtë takim të parë nuk erdhën katër kryetar e minibashkive që janë zgjedhur nga Partia Socialiste. Kam besim të fuqishëm se në të ardhmen bashkëpunimi do të jetë i plotë dhe në këtë kuadër do të vazhdoj të ftojë ata dhe do të ketë formë të përhershme konsultimet me ta duke provuar së interesi im i vetëm është interesi i Tiranës, dhe se betejat e vetme që do të luftojë Bashkia nuk do të jenë ato politike por betejat e interesave të qytetarëve. Këtu ka vend për bashkëpunim dhe është fare i natyrshëm ndërkohë që konsiderimi politik është fare i panatyrshëm.

Z Basha keni emëruar tashmë dy nënkryetarët e Bashkisë, zonjën Tabaku nga PD dhe z Panariti nga LSI. A do të jetë ky koalicion po kaq përfaqësuar dhe i suksesshëm në bashkinë e Tiranës?

Bashkia e Tiranë është e hapur dhe do të identifikojë dhe ftojë personalitete dhe ekspertët më të shquar që mund të jenë në qytetin e Tiranës dhe kjo vlen për këdo dhe nuk është përjashtues për askënd.

Do servirim disa pamje. (Në pamje kreu i bashkisë së Vilnus mbi tank që shtyp makinat e parkuara gabim). Ndoqëm pamjet dhe z Basha do të vendosni rregull në qytet? Do ta arrini një gjë të tillë?

Nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme për kryetarin e Bashkisë se sa të vendosë dhe të respektojë ligjin. Kjo është një formë e veçantë por rëndësi nuk ka forma për sa kohë është ligjore, rëndësi ka vendosja e ligjit dhe në këtë kuadër besoj se në këto ditë të para shkojmë të vendosur të zbatojmë ligjin në çdo aspekt të tij, veçanërisht me parkimin i cili kërkon një zgjidhje afatgjatë. Një problem që nuk vjen vetëm si rezultat i parkimit të gabuar nga qytetarët por vjen kryesisht të mungesës së një vizioni për të krijuar një qytet me korridore të bollshme trafiku dhe kapacitete të bollshme parkimi. Nuk dua të flas për të kaluarën por dua të them që në të ardhmen jam i vendosur që këtë problem, i cili është praktik për qytetarët dhe i përgjithshëm si për ndotjen, ajrin, do të zgjidhet nëpërmjet një plani urbanistik koherent por do të tregojmë edhe vendosmërinë tonë për të mos lejuar ndërtimet pa leje për shembull, të cilët fatkeqësisht kanë pësuar këto dy muaj të tranzicionit një rritje. Përfitoj tu bëj një thirrje bashkëqytetarëve të mi që të distancohen nga ndërtimet pa leje dhe ti garantoj ata se ligji do të vendoset plotësisht nga Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake dhe në këtë kuadër i ftoj të bashkëpunojmë për të denoncuar ndëtimet pa leje kudo që ato evidentohen.

A do ta mbyllini çështje e hipotekave në kryeqytet?

Ju thashë që çështja e hipotekave është shumë kompleks. Në dy rrafshe. E para sepse është e ndarë mes Bashkisë dhe institucioneve të tjera por kur Bashkia është zanafilla e problemit, do të marrë përgjegjësitë e saj. Së pari duke hartuar planin e veprimit se si do të zgjidhë përgjegjëgjësinë që ka për lejet e shfrytëzimit por edhe duke u kërkuar autoriteteve të tjera të qeverisë qëndrojë të veprojnë në një mënyrë të caktuar për ta mbyllur këtë proces brenda një kohe të shkurtër. Unë kam premtuar se do ta mbyll brenda 6 muajve dhe jam optimist se do të mbyllet brenda kësaj periudhe dhe se rezultatet e para do ti shohim brenda këtij viti. Bëhet fjalë për disa kategori të ndryshme të cilat preken nga ky problem dhe zgjidhja do të jetë sipas këtyre kategorive dhe besoj se brenda një kohë të shkurt grupi i punës i ngritur enkas, me konsultimet e duhura me qytetarët dhe me grupet e interesit ne veçanti me ndërtuesit, do të paraqitëse propozimet të cilat do të marrin formën e tyre ligjore, qoftë si akte bashkiake, dhe aty ku është nevojshme do ti kërkojmë qeverisë qendrore të adobtojë ato si vendime të këshillit të Ministrave apo qoftë edhe si ligje.

Çfarë do të ndodhë me mënyrën se si do të jepen lejet e ndërtimi z Basha, sepse kjo ka qënë një ngërç i madhe dhe ka pasur akuza të shumta. Do të ketë një konceptim ndryshe apo do të zbatohet ligji me korrektesë?

I rikthehemi çështje së planit urbanistik mungesa e të cilit ka qënë përcaktuese për mungesën e transparencës për lejet e ndërtimit dhe mungesës së investitorëve strategjikë të huaj në Tiranë. Është i vetmi sektor ku kemi mungesë të theksuar të kapitalit të huaj dhe këtu do të kthejmë faqen me planin urbanistik të hartuar në përputhje të plotë me interesat afatgjatë të zhvillimit të Tiranës dhe brezave të ardhshëm, të konsultuar me qytetarët e Tiranës me formate “Toën hall miting” të cilat do të vazhdojnë, të konsultuara me ekspertët, dhe ofron transparencë të plotë për lejet e ndërtimit dhe pastaj procedura e marrjes së lejeve të ndërtimi do të reduktohet, me procedurë transparence të bazuar me plan të mirë, konsoliduar, detajuar, transparent e të qartë që nuk lenë vend për hamendje, për ndryshim të njollës apo lartësisë së objekteve.

A ndiheni të jeni lokomotiva e thithjes së investimeve të huaja siç e tha edhe kryeministri Berisha?

Nëse nuk mund të jetë Tirana lokomotiva e investimeve kush mund të jetë ?! Absolutist Tirana ka të gjitha potencialet. Këtu janë të grumbulluara potenciale më të mëdha njerëzore, më të çmuara në treg por edhe potenciale të tjera të tregut. Me çlirimin e energjisë e cila mund të mund të ketë fjetur për një kohë të gjatë për shkak të vendosjes së pamerituar të bashkisë së Tiranës në qendër të konfliktit politik, jam i bindur se Tirana do të rimarrë me vendosmëri si lokomotivë e zhvillimit ekonomik, si lokomotivë e investimeve të huaja në Shqipëri.

Mund të jetë slogani juaj tani ‘Për qytetin, qytetarët duke zbatuar gjithnjë ligjin”?

Tani ka ardhur koha për veprim. Natyrisht kërkon komunikim me qytetarët. Fushata ka mbaruar. Ka ardhur koha për t’ju përveshur punës për të bërë realitet ato që kemi premtuar gjatë fushatës.

NOA/ABCNEWS

KOMENTE
  • Hysni Perzhaku00:59 - 05 Gusht 2011
    Urime per postin se pari,dhe ju deshiroje pune te mbare.Une e vizitoj rrale Tiranen,por ato ndryshime qe po shohe,pothuaj se pak ja vlejne.Per fat tirana ka rruge dhe sheshe mjafte te gjera,po ate qe une e shohe se i mungon asaj,eshte nje largepamesi nga inxhinjere e arkitekt per tiranen.Sistemimi i pothuaj qdo gjeje ne vendin e duhur,njeher e mire.Nje shembull,po e marrim rrugen qe te shpije ne tirane nga durrresi.Ajo nuk ka nevoje te jete e tera me asfalt apo beton,por te jete e ndare ne dyshe nga nje vij e ndertuar prej drunjeve,si shembull e keni dis rruge ne ROME,pastaj ne sheshin e PARISIT etj.Pra na duhet vetem nje perkushtim me i madhe ne ide konkrete e afatgjate,me hapsire gjelbrimi,dhe njeherit edhe levizje te lire per makina,mbi siperfaqe dhe nen siperfaqe.Pra,kushdo qe eshte ne detyre sot,por edhe neser,te punoje ne te miren e asaj qe te frymon lirshem qdo gje.Falemnderit