Tiranë, 5 gusht 2011, NOA- Ashtu si dhe javën e kaluar, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka pritur në takim qytetarë kryeqytetas ku ka dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Njësoj si dhe u kishte premtuar, me bllok në dorë, duket se Basha ka përveshur mëngët për të plotësuar çdo mungesë të lënë nga paraardhësi i tij Edi Rama, ku me dhjetëra qytetarë njëri pas tjetrit për rreth dy orë kanë biseduar me kryebashkiakun.
Shqetësimet që kanë shprehur qytetarët Tiranës, mësohet të kenë pasur të bëjnë më së shumti me punësimin, të drejtën e pronës dhe strehimin. Pas parashtrimit të shqetësimeve tek Kryetari i Bashkisë, punonjësit e Bashkisë plotësuan një formular me të dhënat dhe kërkesat e shtruara nga qytetarët. Sakaq ky dokumentacion shërben për ndjekjen e problematikës që ata kanë dhe kontaktimin e tyre të mëtejshëm.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar pas takimeve me kryebashkiakun, thuhet se takimet e tij me qytetarët, do të vazhdojnë sipas një kalendari të rregullt dhe një procedure të caktuar. Theksohet se çdo qytetar i interesuar duhet të plotësojë një formular, pranë zyrës së Informimit, Qytetar në Bashki, në bazë të të cilit caktohet edhe data e takimit me Kryetarin e Bashkisë.
Më tej shtohet se nisur nga numri i madh i kërkesave, Kryetari i Bashkisë ka vendosur të shtojë edhe ditë të tjera takimi, ku më i afërti do të jetë ditën e nesërme, ndërsa tjetri do të mbahet të mërkurën e ardhshme.
a.y/NOA