Bulqizë, 5 gusht 2011, NOA – Pas dështimit dje të takimit mes minatorëve të Bulqizës dhe drejtuesve të kompanisë ACR, 13 minatorë po vijojnë pa afat grevën e urisë 1400 metra nën tokë duke hyrë në ditën e 12-të të saj.
Minatorët ripërsëritën dje se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Ata i bënë thirrje qeverisë dhe ambasadës austriake të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar.
Kompania austriake ACR mësohet se u tërhoq nga takimi pasi nuk dha pëlqimin që të negociojë me kreun e Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikolla dhe kreun e sindikatës Taf Koleci, të cilët s’janë punonjës të minierës.
Sipas ACR-së dy personat e lartpërmendur nuk kërkojnë plotësimin e kërkesave të minatorëve, por sabotojnë bisedimet e kompanisë me minatorët për përfitime personale.
Por, në një deklaratë për mediat Taf Koleci akuzoi hapur drejtuesit e kompanisë austriake duke theksuar se ata i kishin ofruar një shumë të madhe parash që të ndërhynte për ndërprerjen e protestës së minatorëve.
Dështimi për një takim dhe më tej arritjen e një pakti mes minatorëve dhe kompanisë për plotësimin e kërkesave shtyn edhe më agoninë e 13 minatorëve, shëndeti i të cilëve është rënduar tejet për shkak të kushteve të rënda të mjediseve ku ata zhvillojnë grevën.
13 minatorët përballen gjithnjë e më tepër me rreziqet për jetën 1400 metra nën tokën e minierës së kromit.
Kryebashkiaku i Bulqizës Roland Keta, i cili hyri si ndërmjetës në takimin e djeshëm të dështuar, bëri me dije se do të vijojë punën për një takim tjetër mes minatorëve dhe kompanisë koncensionare.
Minatorët e Bulqizës vijojnë të kenë të njëjtat kërkesa për rritjen e pagës me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, largimin e dy drejtuesve të minierës.
mit/NOA