English

Haxhinasto: Liberalizimi i plotë i lëvizjes me Kinën

E premte, 5 gusht 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto gjatë një interviste dhënë për Radion e Jashtme të Kinës, tregon për projektet e përbashkëta me qeverinë kineze pas vizitës së homologut të tij Yang Jeichi.

Më tej ai shton se, bashkëpunim mes dy vendeve synon në liberalizimin e plotë të lëvizjes mes tyre.

Çfarë projektesh konkrete janë diskutuar me palën kineze?

Me palën kineze kemi diskutuar shumë aspekte të marrëdhënieve dypalëshe, që nga forcimi i bashkëpunimit në fushën politike, shkëmbimet në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit, kemi diskutuar për shkëmbimin e diplomatëve, specialistëve dhe përfaqësuesve të administratës. Gjithashtu kemi fokusuar vëmendjen në çështjet e bashkëpunimit ekonomik, ku ekzistojnë mundësi të mëdha midis dy vendeve tona. Në këto 10 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 46 herësh të volumit të shkëmbimeve midis dy vendeve dhe tendenca është mjaft pozitive.

Konkretisht, fushat që kemi identifikuar janë ato të energjisë, të infrastrukturës, të burimeve e pasurive natyrore, të pjesëmarrjes në parqet industriale dhe gjithashtu edhe në fushën e turizmit. Këto janë fushat, por sigurisht kemi identifikuar mjetin apo mekanizmin me anën e të cilit ne do t'i realizojmë këto. Së pari, duke krijuar mundësitë për bizneset e secilit vend, për ta njohur më shumë njeri-tjetrin nëpërmjet forumeve të biznesit, nëpërmjet takimeve dhe shkëmbimeve të ndryshme. Një rol të rëndësishëm do të luajë gjithashtu edhe mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ekomomik midis dy vendeve, për të cilin shumë shpejt ne do të kemi një datë për ta realizuar. Jam i bindur që vizita e ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës do të jetë një impuls shumë i rëndësishëm për të gjithë këtë arsenal e potencial të madh në marrëdhëniet midis vendeve.

Çfarë parashikon marrëveshja për turizmin?

Ka një gamë të gjerë problematike që ka të bëjë që nga shkëmbimi i informacionit, tek cilësia e shërbimeve turistike, tek garancitë e ndryshme që jepen për turistët, tek nevoja për të njohur më shumë njëri-tjetrin, për të njohur dhe vlerësuar trashëgimitë e jashtëzakonshme kulturore që kanë të dy vendet tona, me qëllim që ajo të jetë në funksion të shërbimit turistik.

Z. Ministër si e konsideron Qeveria Shqiptare heqjen e vizave turistike për shtetasit e Republikës Popullore të Kinës ?

Tendenca mes dy vendeve është që të shkojnë drejt një liberalizimi të plotë të lëvizjes mes tyre. Aktualisht Shqipëria ka një pikë të rëndësishme reference, që është regjimi i vizave që ka Bashkimi Evropian me vendet e tjera, kështu që duhet t'i referohemi atij. Nga ana jonë, ne kemi bërë lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e kohës së dhënies së vizave për qytetarët kinezë, mbajtës të pasaportave të zakonshme, ndërkohë që kemi hequr vizat për të gjitha llojet e tjera të pasaportave diplomatike apo të shërbimit që ato kanë. Pra, tendenca është që liberalizimi të rritet gjithmonë e më shumë, me qëllim që të mos ketë asnjë pengesë në shkëmbimet apo në lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve tona.

Kur do të mblidhet Komisioni i Përbashkët Ndërqeveritar i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar, që duhet të takohet një herë ne 6 muaj?

Shumë shpejt do të kemi një datë. Ne do të planifikojmë që ky komision të ketë një substancë të rëndësishme dhe të realizojë konkretisht të gjitha ato pikat e axhendës, të cilat u diskutuan dhe në takimin me ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës.

Dhe së fundi një mesazh nga zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm shqiptar z. Edmond Haxhinasto për të gjithë dëgjuesit e Radios së Jashtme të Kinës.

Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe dëshiroj të shpreh edhe njëherë kënaqësinë time të veçantë për këtë ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe midis Republikës Popullore të Kinës dhe Shqipërisë, pra për vizitën e Ministrit të Jashtëm. Jam i bindur që kjo vizitë do të shënojë një hap të ri cilësor në marrëdhëniet tradicionale miqësore, që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

NOA

KOMENTE