English

Kalojnë kamionët me mallra, Veriu pa doganierë të Kosovës

Prishtinë, 5 gusht 2011, NOA - Kamionë me mallra kanë hyrë në Kosovë të enjten nëpërmjet portave kufitare 1 dhe 31, ku nuk kishte doganierë të Kosovës. Kamionët kanë bërë një ndalesë të shkurtër prej 15 minutash në kufi dhe nuk i janë nënshtruar asnjë kontrolli doganor.

Por, zyrtarë të lartë qeveritarë thanë se doganierët munguan vetëm të enjten duke e cilësuar si përjashtim lejimin e kamionëve me mallra për të kaluar nëpërmjet këtyre dy portave në veri të Kosovës.

“Përjashtimi mund të jetë vetëm dita e sotme, ndërsa në të ardhmen nuk do të lejohen as mallra humanitare nëse ka një vlerësim se nuk ka krizë humanitare”, tha ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila.

Doganat e Kosovës kanë konfirmuar se në këto porta kufitare me Serbinë mungojnë ekipet e tyre.

“Aktualisht Doganat e Kosovës nuk kanë oficerë doganorë as në pikën 1 e as në atë 31”, konfirmoi zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci.

Sipas tij është KFOR-i ai që ka marrë përsipër t’i ndalojë mallrat tregtare që hyjnë nga Serbia përmes këtyre dy portave.

Pas më shumë se tre vjetësh prej kur ishin detyruar të linin këto porta kufitare, doganierët kosovarë ishin kthyer më 25 korrik me mbështetjen e njësive speciale të Policisë, ROSU. Kryeministri Hashim Thaçi dha autorizimin për të marrë në kontroll pikat doganore, datën e 25 korrikut pasi në këto pika nuk zbatohej vendimi i Qeverisë për aplikimin e një mase reciprociteti me Serbinë, që synonte bllokimin e mallrave kontrabandë për të kaluar kufirin.

Pas 25 korrikut nuk u lejuan të hynin mallra tregtare nga Serbia, ndërkohë pas marrjes nën kontroll të dy vendkalimeve ekstremistët serbë dogjën pikën kufitare 1 në Jarinjë dhe tentuan të digjnin edhe atë 31 në Bërnjakë.

Por dy vendkalimet pas tensionimit të situatës u shpallën nga KFOR-i si zona të kufizuara ushtarake dhe janë marrë nën kontroll prej misionit.

Shefi i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi që prej 10 ditësh ka përsëritur se doganierët e Kosovës do të vendosen aty përgjithmonë, por nuk foli për mungesën e tyre të enjten, gjatë mbledhjes së djeshme urgjente të Qeverisë.

Koha Ditore/mit/NOA

KOMENTE