Tiranë, 5 gusht, NOA – Zgjedhjet e 8 majti nuk plotësuan standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Ky është përfundimi i raportit të Komiteti Shqiptar të Helsinkit, në lidhje me procesin zgjedhor. Raporti prej 17 faqesh vë në dukej një sër ë mangësisht të procesit elektoral, ndërsa thekson si problem kryesor veprimin e institucioneve pas datës 14 maj. “KShH vlerëson se edhe në zgjedhjet e 8 Majit 2011 standartet në lidhje me zgjedhjet e lira dhe demokratike të KE-së dhe të BE-së, ato të sanksionuara në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, parimet që përmban Kodi i Praktikës së Zgjedhjeve, i miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, nuk u plotësuan”, thuhet në raport.
Më poshtë mund të ndiqni të plotë rportin e KSHH
Raporti përfundimtar për ecurië e procesit zgjedhor të 8 majit
1. Hyrje
Zgjedhjet e 8 Majit 2011, u përgatitën në kushte jo të zakonshme. Mbas përfundimit të zgjedhjeve parlamnetare, të 28 Qershorit 2009, klima politike në vend u tensionua më tepër dhe e tillë mbeti deri në zhvillimin e fushatës zgjedhore për organet e qeverisjes vendore. PS, partia më e madhe opozitare në vend, bojkotoi për një kohë relativisht të gjatë punimet parlamentare dhe kërkoi ngritjen e një Komisioni Parlamentar, që do të hetonte zgjedhjet parlamentare të sapo zhvilluara. Lidhur me këtë situatë institucionet ndërkombëtare sugjeruan, vazhdimisht, dialog dhe kompromis midis palëve por, maxhoranca me votat e saj në Kuvend, refuzoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Më pas opozita organizoi tubime kundër qeverisjes, në mbarë vendin dhe një grup deputetësh të saj u futën ne grevë urie. Në demostratën e 21 Janarit 2011, të thirrur nga koalicioni opozitar, u vranë me armë zjarri 4 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Prokuroria e Përgjithshme filloi hetimet mbi këtë ngjarje, ndërsa qeveria e konsideroi demostratën “puç për rrëzimin e pushtetit”. Në Kuvend, me kërkesë të një grupi deputetësh të pozitës, u ngrit një Komision Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë mbi ngjarjet e 21 Janarit 2011. Veprimtaria e tij ende nuk ka përfunduar dhe nuk është prezantuar asnjë konkluzion.
Në këtë situatë mazhoranca dhe opozita, me pozicionime të kundërta dhe pa manifestuar dëshirë reale për dialog, hynë në procesin e zgjedhjeve të 8 Majit 2011 pa bërë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor në fuqi, ndonëse OSBR/ODHIR dhe vetë forcat politike të vendit kishin evidentuar nevojën urgjente për amendimin e tij.
2. Administrimi zgjedhor
Ashtu siç përcakton ligji, për administrimin e zgjedhjeve u angazhuan Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ-ja), Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), Komisionet e Qëndrave të Votimit (KQV-të), dhe Grupet e Numërimit të Votave (GNV-të). Më poshtë do të prezantojmë gjetjet tona lidhur me veprimtarinë e sejcilit prej këtyre organeve.
a) Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ)
KSHH ka monitoruar, pjesërisht, funksionimin e KQZ-së. Nga monitorimi ynë ka rezultuar se, deri në Prill 2011, tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita nuk morrën pjesë në mbledhjes e këtij organi, ose pjesëmarrja e tyre ishte sporadike. Kjo e vështirësoi veprimtarinë normale të KQZ-së. Gjatë kësaj kohe, KQZ miratoi shumë vendime. Disa prej tyre u niratuan vetëm me 4 vota megjithëse, sipas natyrës së tyre, ligji kërkonte të miratoheshin me jo më pak se 5 vota. Më 8 prill 2011, anëtarët e emëruar nga opozita filluan të marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e KQZ-së.
KQZ-ja edhe në këto zgjedhje, në vendimmarrjen e saj për çështjet kryesore dhe të debatueshme, u nda në dy linja partiake, duke krijuar dy blloqe, atë të mazhorancës me 4 anëtarë dhe atë të opozitës me 3 anëtarë. Lidhur me një qëndrim të tillë në detyrë të anëtëve të KQZ-së, KShH ka reaguar publikisht duke theksuar se ky organ, ndonëse emërohen nga maxhoranca qeverisëse dhe opozita, është i detyruar të përmbushë detyrën duke u udhëhequr vetëm nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. Për të argumentuar këtë konkluzion mjafton të përmëndim, veç objeksioneve të tjera që do të paraqesim më poshtë, se Kolegji Zgjedhor prishi dy vendime të KQZ-së, që ksihin të bënin me miratimin e modelit të fletëvë të votimit dhe për detyrimin e televizioneve për të transmetuar kasetat filmike, të përgatitura nga partitë politike, me qëllim pasqyrimin e aktiviteteve zgjedhore të zhvilluara prej tyre.
KSHH mendon se KQZ nuk relfektoi si duhet ndaj verejtjeve, që OSBE/ODIHR kishte adresuar ndaj tij në raportin e datës 14 shkurt 2009, për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Një pjesë e mirë e këtyre vërejtjeve lidheshin edhe me zgjedhjet për pushtetin organet e qeverisjes vendore. Ai raport theksonte se KQZ kishte mbajtur qëndrime të polarizuara, gjë që kishte ndikuar negativisht në paanësinë dhe efikasitetin e punës së tij. Për fat të keq kjo situatë u përsërit edhe në zgjedhjet e 8 Majit 2011
b) Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të)
Nga monitorimet tona rezultoi se KZAZ-të u ngritën me vonesë, për shkak se PS dhe PBDNJ nuk paraqitën në afatin e duhur kandidatët e tyre. Konstitutimi me vonesë i KZAZ-ve shkaktoi, gjithashtu, fillimin me vonesë të trajnimit të tyre, i cili për këtë shkak u krye jo me cilësinë e duhur. Nga ana tjetër u vërejt që disa KZAZ nuk funksionuan rregullisht sipas ligjit. Në mjaft raste selitë e tyre kanë qënë të mbyllura, duke vështirësuar marrjen e informacionit lidhur me aspekte të administrimit të zgjedhjeve, si nga vëzhguesit e KSHH-së ashtu dhe nga aktorë të tjerë monitorues, vendas e ndërkombëtarë. Edhe për këtë konstatim KSHH ka reaguar në kohë dhe publikisht .
c) Komisionet e Qëndrave të Votimit (KQV-ve)
Lidhur me veprimtarinë e KQV-ve kemi konstatuar se në shumicën e 28 KZAZ-ve të monitoruara, deri në datën 20 Prill 2011, KQV-të ende nuk ishin ngritur duke shkelur kështu detyrimin e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, në të cilin sanksionohet se 45 ditë përpara ditës së votimit partitë politike duhet të paraqitnin propozimet e tyre, për anëtarët dhe sekretarët e KQV-ve, pranë KZAZ-ve përkatëse. Pra vonesat e shkaktuara janë përgjegjësi e partive politike, që kishin cilësinë e subjektit zgjedhor, e që nuk përzgjodhën dhe ofruan, në kohë, propozimet e tyre për anëtarë e sekretarë të KQV-ve .
Vëzhguesit tanë na informuar se, një numër jo i vogël qendrash votimi, ishin planifikuar të vendoseshin në lokale private. Është e vërtetë që ligji këtë e lejon, por vetëm në raste të veçanta dhe me miratim të KQZ-së. Gjatë monitorimit konstatuam se disa nga këto qendra ishin vendosur në lokale private, pronarët e të cilave kishin lidhje gjinore ose miqësore me persona që kandidonin në këto zgjedhje, si për shembull në Kamëz, etj. Ky fakt u konstatua dhe u bë publik edhe nga aktorë të tjerë monitorues, si dhe nga mediat e ndryshme. Për pasojë KQZ ndërhyri dhe ndryshoi vendalokimin e tyre.
d) Grupet e numërimit të votave (GNV)
E njëjta situatë u konstatua në lidhje me konstituimin dhe funksionimin e grupeve të numërimit të votave. Vonesat në ngritjen e këtyre grupeve, ndryshimet e shpeshta në përbërjen e tyre, nuk mundësuan trajnimin në kohë e cilësor të personave që i përbënin. Kjo ndikoi negativisht në veprimtarinë që zhvilluan. KShH është e mendimit se, disa nga shkeljet e vërejtura gjatë këtij procesi zgjedhor, burojnë edhe nga mosnjohja, sa duhet, e dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor, prej anëtarëve të GNV.
GNV filluan të funksionojnë me vonesë në pjesën më të madhe të KZAZ-ve, në ndonjë rast vetëm në orët e para të mëngjesit të datës 8 Maj 2011. Kjo ndodhi për shkak të mos paraqitjes në kohë, nga partitë politike, të propozimeve për anëtarë të këtyre grupeve, ose për shkak të mosparaqitjes në detyrë të anëtarëve të miratuar. Fenomeni ishte më i përhapur në në disa KZAZ të Tiranës (nr.53, nr.57), Vlorës (nr.61) Durrësit (nr.8, nr.9), etj.
Duke e konsideruar procesin zgjedhor dhe mënyrën e plotësimit të detyrës nga të gjitha organet e administrimit zgjedhor, tepër të rëndësishëm, KShH dëshiron të evidentojë si nevojë emergjente, gjetjen e zgjidhjeve juridike e politike, me qëllim që subjektet zgjedhore të ndërpresin çdo ndërhyrje në veprimtarinë e të gjitha llojeve të komisioneve , që veprojnë gjatë procesit zgjedhor. Kjo është një dukuri negative dhe antiligjore e vërejtur, pothuajse, në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në vendin tonë, në 20 vjetët e fundit dhe i ka dëmtuar së tepërmi ato, duke penguar plotësimin e standarteve demokratike në këtë drejtim.
3. Listat e zgjedhësve
Listave paraprake dhe përfundimtare
Listat paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve, që përbëjnë dokumentacionin bazë për ushtrimin e të drejtës së votës nga shtetasit, në zgjedhjet e 8 Majit 2011, në raport me zgjedhjet e kaluara, shënuan përmirësim. Përmbajtja e tyre ishte më e plotë dhe më e saktë. Nga informacionet e marra, pranë njësive të pushtetit vendor, na rezultoi se kërkesat dhe ankesat e zgjedhësve për të ndërhyrë në listat paraprake të zgjedhësve, me qëllim përmirësimin e tyre, ishin relativisht më të pakta se në zgjedhjet e kaluara. Pavarësisht nga kjo, vlen të theksohet se listat e zgjedhësve u shpallën me vonesë, pra tej afatit maksimal të parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Njësitë e qeverisjes vendore nuk kryen njoftimin e zgjedhësve në lidhje me përfshirjen e tyre në këto lista, siç është përcaktuar nga neni 50 i Kodit Zgjedhor. Gjatë kësaj faze nuk u krye asnjë lloj sensibilizimi për zgjedhësit, me qëllim që ata të verifikonin praninë e emrit të tyre ne listat paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve. Këtë fakt e konfirmuan shumica e zgjedhësve, të cilët u kontaktuar nga vëzhguesit tanë.
Lidhur me listat e zgjedhësve, subjektet zgjedhore të opozitës, ngritën pretendime se në to ishin përfshirë, në mënyrë arbitrare, emra personash që nuk figuronin në rregjistrin përkatës të shtetasve, ose emra personash që ishin transferuar formalisht në qytetin e Tiranës. Sipas pretendimit të tyre, kjo u bë me qëllim që ata të votonin në favor të mazhorancës qeverisës, ndonëse nuk kishin ndërmend të bëheshin banorë efektivë të këtij qyteti. Vëzhguesit e KShH nuk patën mundësi t’i verifikonin këto pretendime.
Përsa i përket shpalljes së listave përfundimtare të zgjedhësve, nga monitorimi i situatës në 710 qëndra e votimi, u konstatua se ato, jo vetëm u shpallën me vonesë në pjesën më të madhe të tyre por edhe pasi u shpallën, në disa raste, u vendosën në vende të papërshtatshme dhe të paaksesueshme lehtësisht nga zgjedhësit. Listat përfundimtare të zgjedhësve ose ishin vendosur shumë lart për t’u parë me sy të lirë, ose ishin vendosur brenda ambjenteve publike, kryesisht arsimore, të cilat në orët e mbasdites ishin të mbyllura. Në ndonjë rast u konstatuan edhe lista të dëmtuara ose të grisura tërësisht nga kushtet atmosferike ose persona keqbërës. Për këto problematika dhe çështje të tjera lidhur me listat e zgjedhësve, KSHH ka reaguar nëpërmjet deklaratave për shtyp .
Edukimi ligjor i votueve dhe sensibilizimi i tyre
Edukimi ligjor i votuesve dhe sensibilizimi i tyre ishte relativisht i pakët. Veç kësaj KQZ, në zbatim të nenit 21 të Kodit Zgjedhor, do të duhej t’i kushtonte vëmëndje të veçantë miratimit të programeve për edukimin zgjedhor të shtetasve, gjë që nuk është realizuar si duhet, ose është kryer në periudha fare të kufizuara kohore, 3 – 4 ditë para zgjedhjeve. Votuesit shqiptarë nuk u informuan as për mjetet ligjore, që kishin në dispozicion, për të kontestuar listat e zgjedhësve, nëse nuk e gjenin emrin e tyre në to ose, lidhur me të drejtën për tju drejtuar gjykatës së rrethit gjyqësor për të kërkuar ushtrimin e të drejtës së votës.
Bazuar në informacionet e marra nga vëzhguesit e KSHH-së, ka rezultuar që kërkesat e qytetarëve drejtuar gjykata të rretheve, kanë qënë relativisht më të pakta në zgjedhjet e fundit, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Sigurisht në këtë rast mbajmë parasysh edhe faktin se, në përgjithësi, përmbajtja e listave të zgjedhësve ishte më e plotë dhe më e saktë se në zgjedhjet e kaluara. KSHH mendon se mungesa e sensibilizimit të zgjedhësve, gjithsesi, ka ndikuar negativisht në ushtrimin e të drejtës së votës, sepse disa zgjedhësve nuk u rezultonte emri në listën përkatës të zgjedhësve, ose sepse pjesëtarë të të njëjtës familje rezultonin të rregjistruar në listat e zgjedhësve, që u përkisnin qëndrave të ndryshme të votimit, të distancuara nga njera tjetra.
4. Fushata zgjedhore
Monitorimi ynë filloi në ditët e para të muajit Mars 2011 kur fushata zgjedhore, ndonëse jo zyrtarisht, kishte filluar. Kjo fushatë zgjedhore, që në fillim të saj, u shoqërua nga incidente, të lehta dhe të rënda, midis simpatizantëve dhe militantëve të tre subjekteve kryesore: PD, PS dhe LSI. Në disa raste incidentet u shkaktuan për shkak të vendosjes apo heqjen e materialeve propagandistike. Sjellje të tilla u konstatuan kryesisht në Tiranë, Lushnjë, Berat, Korçë, Lezhë, Durrës, Gjriokastër, etj. Si pasojë e këtyre përplasjeve midis militantëve politikë, organet e policisë kryen dhe disa ndalime, e shoqërime të personave në ambjentet e Komisariateve të Policisë .
Incidentet e përmendura më sipër, që vazhduan deri pak ditë para datës së votimit, kanë ndikuar negativisht në atmosferën zgjedhore, pa përjashtuar edhe ndikimin e tyre tek vetë zgjedhësit. Ne nuk marrim përsipër të nxjerrim konkluzione për motivet e vërteta të këtyre incidentëve të dhunshme, sepse kjo është detyrë e organeve të drejtësisë por, mendojmë se në këtë drejtim ka ndikuar negativisht edhe nga gjuha e urrejtjes e përdorur nga liderët e partive politike, që konkuronin në zgjedhje, nga akuzat e ndërsjellta, nga mungesa e dialogut dhe e debatit konstruktiv midis tyre.
Gjatë fushatës, disa nga kandidatët shpalosën, ne mënyrë relativisht të kenaqshme, alternativat e tyre. Fillimisht u arrit të zhvilloheshin takime të qeta dhe konstruktive me zgjedhësit, sidomos në Tiranë. Megjithatë premtimet e bëra ishin mjaft të ekzagjeruara, ndonjëherë ato nuk ishin të lidhura me kompetencat e pushtetit vendor dhe për pasojë nuk ngjallën besimnë publik se mund të realizoheshin në praktikë. Shpenzimet e bëra nga subjektet zgjedhore dhe vetë kandidatët e tyre, gjatë fushatës, ishin tepër të mëdha ndërkohë që ende nuk është dhënë asnjë informacion i qartë, nga organet përkatëse, për sasinë dhe origjinën e tyre.
Pati presion mbi administratën publike dhe nxënësit e shkollave për ti detyruar të merrnin pjesë në mitingjet e organizuara nga partitë politike në pushtet dhe ndërhyrje në privatësinë e shtetasve, nëpërmjet dërgimit të mesazheve në celular dhe adresat private në internet ;
Një nga objektivat tonë ishte edhe vlerësimi i sjelljes dhe rolit që do të luante policia e shtetit, para dhe gjatë ditës së votimit, në procesin e transferimit të kutive të votimit për në qendrat e numërit të votave, si dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Në përfundim mund të deklarojmë se këto organe e kryen detyrën në përputhje me ligjin. Ato kanë ndërhyrë vetëm kur u është kërkuar me vendim të komisioneve zgjedhore, që u janë adresuar. Në mjediset e vëzhguara nga KShH nuk u vërejtën raste të sjelljes së njëanshme nga ana e policisë së shtetit, ose ndërhyrje arbitrare e tyre gjatë këtij procesi zgjedhor. Megjithatë, nuk mund të lemë pa nënvizuar se prania tepër e madhe e forcave të policisë së rendit, të dislokuara pranë QNV në Tiranë, veçanërisht në ditët e fundit të procesit të numërimit, krijoi panik tek qytetarët dhe përshtypjen se diçka nuk po shkonte në përputhje me ligjin.
6. PROCESI I VOTIMIT
Procesi i votimit është zhvilluar, në përgjithësi mirë, në të gjitha rrethet e monitoruara nga KShH. Klima e acaruar e fushatës elektorale nuk u reflektua ditën e votimit tek qytetarët, përkundrazi kjo ditë u karakterizua nga sjellja e qytetëruar e zgjedhësve, të cilët ndryshe nga klasa politike, ushtruan në qetësi të drejtën e tyre.
a) Hapja e qendrave të votimit dhe kushtet për funksionimin normal
• Respektimi i orarit të hapjes
Komisionerët, në një pjesë të mirë të qëndrave, u paraqitën në detyrë në orën 6:00 por, nuk munguan edhe rastet të vonesave. Ajo që ra në sy të vëzhguesve ishte fakti se shumë anëtarë të komisioneve të qëndrave të votimit ishin të paqartë lidhur me detyrat, që duhet të kryenin dhe radhën e punës, që duhej të ndiqnin. Kjo ishte pasojë e mostrainimit korrekt të tyre dhe nga ana tjetër, në disa qendra, u bë shkak për vonesa të fillimit të procesit të votimit.
Votimi filloi në orën e caktuar (7:00), ose disa minuta më pas, në një numdër të konsideraur QV të monitoruara si, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Kukës, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Fier. Megjithatë u vunë re vonesa, nga gjysëm ore deri në 1 orë, në mjaft QV të tjera të Tiranës, Fierit, Gjirokastrës, Vlorës, Korcës dhe Shkodrës . Në Tiranë, u konstatuan edhe vonesa më të gjata se 1 orë, konkretisht QV 1910, 1911, 1844/2, 1752, 1849 dhe 1999.
Vonesat u shkaktuan për arsye të ndryshme si, mungesa të bazës materiale (mungonin proces-verbale të ndryshme, boja timbruese, vula, mungesa në numrin e nevojshëm të fletëve të votimit etj); mungesa në disa raste të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit; mungesa e organizimit të QV-ve, etj.
• Gjendja e QV
Përgjithësisht QV-të ishin vendosur në mjedise të pastra, me dritë dhe me hapësirën e duhur, në përputhje me kërkesat e ligjit. Megjithatë, skema e organizimit të funksionimit të tyre, në disa raste, linte për të dëshiruar. Shpesh ky faktor shkaktoi ngadalësimin e procesit të votimit, krijoi premisa për shkeljen e parimit të fshehtësisë së votës për zgjedhësit dhe nuk u mundësoi vëzhguesve akses të plotë për plotësimin e detyrës. Kjo u vërejt në Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër, Elbasan.
• Baza materiale
Nga monitorimi i kryer më 5 dhe 6 Maj rezultoi se KZAZ-të, përgjithësisht, kishin shpërndarë, rregullisht, materialet zgjedhore tek KQV-të përkatëse. Megjithatë, që në mengjesin e ditës së votimit, pati pretendime nga disa qytetarë në lidhje me cilësinë e bojës matrikuluese. Pretendime të tilla u manifestuan në Tiranë (QV 2044, 2044/1, 2045/1, 2045/2, 2044). Problemi më i rëndë ishte ai i konstatuar në QV Papër të Elbasan, ku fletët e votimit ishin shtypur gabim, sepse në to ishin shenjuar gabim koalicionet partiake mbështetëse të kandidatëve. Një difekt i ngjashëm u konstatua në QV 3690 në Korçë ku, në mes të bllokut të fletëve të votimit, u gjendën fletë votimi që i përkisnin qarkut Fier. Për shkeljet e mësipërme vëzhguesit e KSHH-së kanë paraqitur vërejtje me shkrim pranë KZAZ-ve përkatëse dhe KShH njoftoi menjëherë KQZ-në lidhur me këtë situatë.
Në disa QV të Tiranës dhe në ndonjë rreth tjetër, u konstatuan mungesa të dokumentacionit dhe të mjeteve zgjedhore siç janë: procesverbalet, tamponet e vulave, pamjaftueshmëri e fletëve të votimit, të bojës matrikuluese, zarfat për të futur materialet, listat për anëtarët e KQV-ve, etj.
• Qëndrueshmëria e përbërjes së komisioneve
Janë vërejtur raste sporadike të zëvendësimit të anëtarëve në ndonjë QV në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastë. Këto zëvendësime janë bërë shkak për ndërprerje të procesit të votimit dhe të ngadalësimit të tij.
• Ndërprerje të procesit të votimit
Vijimësia e procesit të votimit përgjithësisht ka qenë pa ndërprerje. Megjithatë, ka patur raste të ndërprerjeve, për arsye nga më të ndryshmet, si ato për shkaqe organizative, për shkak të mungesës së bazës materiale, për shkak të mos mbajtjes së rregullit e qetësisë nga zgjedhësit, ose për shkak të mosmarrëveshjeve midis komisionerëve. Gjithashtu në Tiranë në QV 1992 u evidentuan probleme, sepse anëtarët e komisionit nuk lejonin personat me aftësi të kufizuar të votonin të asistuar nga të afërmit e tyre, ndonëse emrat e të cilëve gjendeshin në listën e zgjedhësve, siç kërkohet nga ligji. Situata të tilla shkaktuan bllokimin e votimit dhe cënuan, në ndonjë rast, të drejtën e votës së personave me aftësi të kufizuar. Për këto arsye në këtë QV kryerati i saj u shkarkua nga detyra, me vendim të KZAZ përkatëse.
Nuk munguan raste sporadike, kur zgjedhësit, si rezultat i radhëve të gjata të krijuara si pasojë e shkaqeve të sipërcituara, të mërzitur e të lodhur nga pritja, janë larguar pa votuar.
• Votimi familjar
Votimi familjar, që u nënvizua si një nga mangësitë më të mëdha të procesit të kaluar zgjedhor, rezultoi tepër i përhapur edhe në këto zgjedhje. Pothuaj në të gjitha KZAZ-të e monitoruara u vu re se anëtarët e KQV nuk reaguan dhe nuk vepruan për ta parandaluar këtë fenomen. Fenomeni u manifestua më shpesh në QV-të e zonës rurale, ose të qyteteve të vogla, ku anëtarët e komisionit të votimit njihen me zgjedhësit e zonës, për pasojë ishin të prirur të toleronin këtë fenomen, me justifikimin se i njohin personalisht personat dhe nuk kuptonin se votimi familjar cenon fshehtësinë dhe lirinë e votës.
U konstatua, gjithashtu, se komisionerët nuk kishin as njohuritë e duhura për të pasqyruar asistimin e personave të paaftë për të votuar vetë. Kështu në QV nr.1850 2040, 2040/1, 2044, 2044/1, 2044/2, 2045, 2045/1 2045/2, 1879 dhe 1879/1, 1705, 2017/1, zgjedhës romë, analfabetë, u ndihmuan për të votuar, të gjithë nga i njëjti person, ose nga komisionerët, gjë që vjen në kundërshtim me ligjin. Për këtë fenomen, vezhguesit e KSHH-së kanë bërë vëretje pranë KQV-ve përkatëse.
• Votimi i personave me aftësi të kufizuar
Përgjithësisht personave me aftësi të kufizuar u është krijuar aksesi i duhur për të ushtruar të drejtën e votës por, pati edhe raste të kufizimit të kësaj të drejte. Në disa QV, të monitoruara, u konstatua se komisionerët nuk kishin njohuritë e duhura ligjore për trajtimin e situatës, madje në ndonjë rast janë shprehur se ligji nuk i lejon të votojnë personat me aftësi të kufizuar. Po kështu, në ndonjë rast, kërkesat e personave me aftësi të kufizuar për t’u ndihmuar nga familjarët e tyre janë refuzuar nga komisionerët. Qëndrime të tilla janë vërejtur në QV 1992 të Tiranës, për të cilën kemi folur më sipër, në QV 3005/2 në Fier, ku anëtarët e komisionit kishin marrë një vendim ‘verbal’ për të mos lejuar personat me aftësi të kufizuar të votonin, me justifikimin se po të ndihmoheshin nga anëtarët e familjes, fakti do të përbënte votim familjar. Rast tjetër ishte ai në QV 1687, në Tiranë, ku anëtarët e komisionit nuk kanë lejuar të votojnë disa persona me aftësi të kufizuara, për shkak se u kishin mbaruar proces-verbalet përkatëse, për të pasqyruar situatën e veçantë të votimit me asistencën ( ndihmën ) e personave të tjerë.
Edhe kur kjo kategori zgjedhësish u lejua të votojë, me ndihmën e personave të tjerë, u konstatua se, në ndonjë rast, nuk u respektuan procedurat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor për këtë qëllim, p.sh pati raste kur ata u ndihmuan, në kundërshtim me ligjin, nga komisionerët, vëzhguesit, ose nga i njëjti person. Kjo u vërejt në disa QV të Tiranës, Durrësit, Kukësit, Vlorës, Fierit, Korça , etj.
• Probleme me dokumentat e identitetit te zgjedhësve
KShH është e mendimit se KQZ duhej ta kishte trajtuar, me një udhëzim të veçantë, çështjen e dokumentave identifikues që mund të përdoreshin për të votuar nga zgjedhësit, sepse dihet që në Republikën e Shqipërisë ka në qarkullim disa lloje dokumentash të tillë. Lidhur me këtë çështje Kodi Zgjedhor shprehet në dy dispozita ligjore, në nenin 105 dhe nenin 179, megjithatë, nevoitej një interpretim më i detajuar nga KQZ, rreth kësaj çështjeje, në përputhje me situatën aktuale. Si rezultat i paqartësive por edhe për shkak të lajmit, të ofruar nga mediat vendase, lidhur me qarkullimin e disa letërnjoftimeve të falsifikuara, në disa QV pati debat, midis anëtarëve, nëse duheshin lejuar që të votonin shtetasit që ishin paisur me pasaporta të vlefshme, jo biometrike. Kjo ndodhi në Shkodër (Shllak e Bushat), Tiranë, etj. Si pasojë e mungesës së konsensusit midis anëtarëve të QV-ve përkatëse dhe mungesës së një udhëzimi nga KQZ, zgjedhësit që mbanin këto dokumenta nuk janë lejuar të votojnë në disa QV të qyteteve të sipërcituara. Gjithashtu, në ndonjë rast, janë konstatuar zgjedhës me karta identifikimi të falsifikuara, të cilët nuk janë lejuar të votojnë.
• Qetësia dhe regullshmëria e procesit të votimit
Situata në Qendrat e Votimit, të vëzhguara nga KShH, ka qënë përgjithësisht e qetë. Shqetësim për votuesit kanë qenë radhët e gjata, që i kanë detyruar të qëndrojnë në pritje për të votuar, orë të tëra. Kjo u vërejt sidomos gjatë pjesës së parë të ditës së votimit dhe u përsërit edhe në mbrëmje, përpara mbylljes së QV. Fenomeni ishte veçanërisht evident në Tiranë dhe në Shkodër. Siç është përmendur edhe më lart kjo situatë është shkaktuar edhe për arsye të organizimit jo të mirë të QV-ve, për shkak të mungesës së njohjes së përgjegjësive nga ana e komisionerëvë, ose për arsye të mosmarrëveshjeve midis tyre, që shkaktuan në disa raste ndërprerje të procesit dhe për pasojë rritjen e fluksit të zgjedhësve.
Ka patur ndonjë rast të presionit ndaj gazetarëve, të cilët vëzhgonin procesin zgjedhor nëpër rrethe, si në Tiranë dhe Shkodër. Nuk kanë munguar dhe raste, sporadike, të presioneve ndaj vëzhguesve të ndryshëm si dhe ndaj zgjedhësve, si në Vlorë, Korçë, Fier dhe Elbasan. Në disa QV është konstatuar problemi i pranisë së personave të paautorizuar në ambjentet e tyre, (Tiranë QV 2019, 2044/1 në Paskuqan). Parregullsi të tjera, që janë manifestuar gjatë procesit të votimit, ishin ato të lidhura me zbatimin e procedurave, të parashikuara në Kodin Zgjedhor, për identifikimin e zgjedhësve, kontrollin e gishtave, timbrosjen e tyre si dhe spontimi i emrave të zgjedhësve, të cilët kryenin votimin. Konkretisht, parregullsi në lidhje me timbrosjen janë hasur në disa QV në Durrës si, QV 1449/1, në të cilën anëtari i komisionit i caktuar për të kryer këtë detyrë, pothuajse asnjëherë nuk timbroste zgjedhësit, si dhe në QV nr. 393 në Shkodër, në Durrës (Qv 1522, 1447). Në disa QV u evidentua fshirja e bojës timbruese nga gishti, si p.sh. në Tiranë Qv nr.1960, nr. 1896, nr.1005, nr.2044, nr.16911, nr.1863, nr. 1991, Shkodër QV 272, në Fier QV 2985/1.
• Procedurat e mbylljes së votimit
Përgjithësisht procedurat për mbylljen e procesit të votimit janë zbatuar mirë, në të gjitha QV të monitoruara. Megjithatë, në disa QV, votimi u mbyll pas orës 19:00 për arsye të rradhëve të gjata, konkretisht në Tiranë Durrës; Kukës; Korçë. Në ndonjë rreth tjetër procesi u mbyll edhe në orë më të vona. Gjatë mbylljes së votimit u vërejt manifestimi i sjelljeve të tilla si mosmarrja e vendimeve përkatëse për mbylljen e votimit dhe refuzimi i zgjedhësve për të dorëzuar letërnjoftimet, me qëllim që të qartësohej numri i zgjedhësve që ishin në pritje për të votuar, pas përfundimit të afatit zyrtar. Pati dhe raste kur, në kundërshtim me ligjin, me vendim të KQV-ve ose KZAZ-së përkatëse është shtyrë koha e votimit tej asaj të parashikuar në ligj.
• Shoqërimi i kutive
Shoqërimi i kutive me dokumentacionin përkatës të QV, drejt vendeve të numërimit të votave, është kryer përgjithësisht në rregull, megjithatë, pati ndonjë rast vonese të mbërritjes së kutive me dokumentacionin zgjedhor edhe kur distancat që duheshin përshkuar nuk ishin të mëdha. Kjo është vërejtur në Korcë, Vlorë, Durrës, etj. Nuk pati sinjalizime ose kontestime në lidhje me paprekshmërinë e kutive të trasportuara të votave.
7. PROCESI I NUMËRIMIT TË VOTAVE
• Zbatimi i orarit për fillimin e numërimit
Procesi i numërimit ka filluar me vonesë në pjesën më të madhe të KZAZ-ve, që KShH monitoroi, kjo si për shkak të ngritjes me vonesë të GNV-ve, ashtu dhe për shkak të zhvillimit të trajnimit të tyre orët e para të mengjesit. Pothuajse shumica e GNV-ve filluan numërimin e votave vetëm në orët e para të mëngjesit, të ditës së nesërme të votimit. Kjo u konstatua në Fier (KZAZ 18, 34); Durrës (KZAZ 8), Vlorë (KZAZ 63, 62); Tiranë (KZAZ-të 47, 48, 49, 50, 53, 54, 55, 57); Gjirokastër (KZAZ 25), Korçë (KZAZ 20) etj.
• Ecuria e procesit të numërimit të votave
Procesi i numërimit të votave dhe nxjerrja e rezultatit të votimit vlerësohet se, përgjithësisht, u zhvillua qetë dhe në përputhje me ligjin, por me shumë vonesa. Situata nuk u paraqit mirë në KZAZ-të e disa qyteteve të mëdha të vendit, si Tirana, Elbasani, Durrësi, Korça, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Fier, në të cilat u evidentuan edhe probleme. Nga ana tjeter, KQZ jo gjithmonë veproi korektësisht, e në përpiuthje me ligjin, për të nxjerrë rezultatet paraprake dhe për t’i bërë publike ato. KZAZ-të morrën, rregullisht, dokumentacionin e krijuar nga GNV dhe hartuan procesverbalet ku pasqyroheshin rezultatet e votimit për zonat e tyre, të cilat iu përcollën KQZ për procedim të mëtejshëm, sipas ligjit. KQZ bëri përllogaritjet dhe shpalljen e rezultateve për njësitë e qeverisjes vendore. Kështu veproi fillimisht KQZ edhe me dokumentacionin e krijuar për votimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë por, procesi u ndal në KZAZ-në nr.49 (Njësia nr. 5) dhe nuk u përpunua më tej tabela e rezultatit paraprak për këtë njësi, në momentin kur tabelat përmbledhëse, të hartuara nga KZAZ-të, sidomos nga numërimi i votave në KZAZ-në 49, tregonin një epërsi, të vogël, në favor të kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës, z. E.Rama, i cili mbështetej nga koalicioni opozitar. Në këtë moment shumica e anëtarëve të KZAZ-së nr. 49 refuzuan firmosjen e tabelës përmbledhëse, duke parashtruar kontestime për vlerësimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar. Çështja u përcoll për t’u shqyrtuar dhe vendosur, sipas ligjit në KQZ, i cili në funksion të KZAZ-së së Tiranës (Në Kodi Zgjedhor në fuqi nuk është parashikuar ekzistencën e një KZAZ-je për Bashkinë e Tiranës, si njësi të tërësinë e vet) duhet të përpilonte procesverbalin përmbledhës për KZAZ-në nr. 49 e më pas të shpallte rezultatin paraprak për fituesin e postit të kryetarit të Bashkisë, mbështetur në tabelat përmbledhëse të 11 KZAZ-ve të Tiranës. KQZ kapërxeu fazat e procesit të nxjerrjes së rezultatit të votimit dhe konfondoi pozicionimin e vet. Në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë vendim, me kërkesë të disa anëtarëve të KZAZ-ve të Tiranës, të cilët nuk ishin subjekte zgjedhorë dhe nuk mund të ankimonin rezultatin e listave përmbledhëse të miratuara e të bëra publike, KQZ urdhëroi hapjen e kutive të votimit të kontestuara dhe numërimin e fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Vendimi që justifikonte dhe argumentonte veprimin e kryer, u muarr më vonë dhe vetëm me votat pro të 4 anëtarëve të KQZ-së.
Pas hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të votimit në kutitë e gabuara, KQZ, duke korigjuar procesverbalet përmbledhëse të 11 KZAZVE të Tiranës, shpalli tabelën përmbledhëse dhe nxori fitues kandidatin për Bashkinë e Tiranës të koalicionit të pozitës, z. L.Basha, me 81 vota më shumë.
Kundërshtimet reciproke të subjektëve zgjedhorë në lidhje me trajtimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara dhe zgjidhja e bërë nga KQZ, shkaktuan tensionim në lidhje me rezultatin e numërimit të votave për Bashkinë e Tiranës, gjë që ndikoi edhe në tejzgjatjen e këtij procesi. Ky vendim i KQZ u kundërshtua në Kolegjin Zgjedhor, i cili urdhëroi hapjen dhe numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar edhe në kutitë e tjera të votimit të qytetit të Tiranës, si dhe saktësimin nga KQZ të numrit të zgjedhësve që morrën pjesë në votim dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë përkatëse. Në përfundim KQZ nxori fitues, me 93 vota më shumë, kandidatin për kryetar të Bashkisë Tiranë të mbështetur nga koalicioni qeverisës, pa plotësuar detyrën e vënë nga Kolegji Zgjedhor ne lidhje me numrin e votuesve dhe fletëve të votimit të hedhura në kuti.
Pothuajse në gjithë KZAZ-të e monitoruara procesi i numërimit të votave ka vazhduar tej afatit ligjor, fenomeni ishte veçanërisht evident në Bashkinë e Tiranës. Në disa KZAZ, pavarësisht se procesi i numërimit filloi normalisht në kohë, ai vazhdoi me ritme të avashta dhe me ndërprerje të shumta, duke shkaktuar kështu zgjatjen e tij, sidomos në Tiranë (KZAZ 49, 51 dhe 54) , Kamëz, Kukës, Vlorë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Fier dhe Korçë.
Arsyet e paraqitura nga anëtarët e GNV për vonesat dhe ndërprerjet ishin pretendimi për lodhje; kontestimet për shpalljen e ndonjë vote si të pavlefshme; mospërputhja e numrit të fletëve te votimit me listat e zgjedhësve; refuzimi për të shënuar në procesverbal fletët e votimit të parregullta; ose për shkak se vëzhguesit protestonin kur nuk mund të dallonin në ekranet e trasparencës shenjat e bëra nga zgjedhësit në fletët e votimit. Debatet dhe tensioni i lartë midis anëtarëve të komisioneve të grupeve të numërimit ka bërë që procesi i numërimit të pezullohet herë pas here. Në disa raste, për të qetësuar situatën, është thirrur në ndihmë dhe policia e shtetit.
KQZ, gjatë procesit të numërimit, ka shkarkuar anëtarë të KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit të votave, të cilët ishin shkaktarë të ndërprerjes së procesit të numërimit dhe të zgjatjen e kohës për këtë proces.
Në ambientet ku numëroheshin votat (VNV) janë vërejtur raste të pranisë së personave të paautorizuar dhe të paidentifikuar, si p.sh KZAZ 28 në Korçë, KZAZ 51 dhe 54 Tiranë, si dhe, në ndonjë rast, vëzhguesit e autorizuar janë penguar të kryejnë detyrën e tyre, si në Tiranë, Vlorë dhe Durrës . Pengimi është justifikuar me pretendimin se emri i vëzhguesit nuk gjendej në listën që kishte shpërndare KZAZ-ja përkatëse dhe që e dispononte punonjësi i policisë tek hyrja e qëndrës, ndërkohë që akreditimi i këtyre vëzhguesve ishte bërë, rregullisht dhe sipas ligjit, nga KQZ.
8. Lidhur me votat e hedhura në kutinë e gabuar
Në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe të qeverisjes vendore, votat e hedhura në kuti të gabuar janë konsideruar të pavlefshme (pra, nuk janë llogaritur në rezultatin e zgjedhjeve). Vetë KQZ-ja, edhe në kuadër të zgjedhjeve të 8 Majit 2011, ka udhëzuar që këto vota të quhen të pavlefshme. Hedhja e fletëve të votimit në kuti të gabuar ndodhi, sidomos në Tiranë, ku për shkak të strukturës së pushtetit vendor, me dy nivele, u votua me katër fletë votimi, që u përkisnin kryetarit të bashkisë, kryetarëve të njësive bashkiake dhe këshillave bashkiake përkatëse. Fletët e votimit për sejcilin organ duhej të hidheshin në katër kuti të ndryshme votimi. Ky fenomen nuk ka përbërë shqetësim të madh më parë prandaj dhe nuk është trajtuar, me detaje, nga ligji dhe aktet nënligjore. Kështu p.sh në Kodin Zgjedhor është parashikuar se si duhet vlerësuar rasti kur zgjedhësi bën shënime në fletën e votimit, ose e dëmotn atë jashtë dhomës së fshehtë por nuk shprehet në lidhje me vlerësimin që duhet të marrë vota e hedhur në kutinë e gabuar. Nga ana tjetër, nëse i referohemi ndryshimeve që ka pësuar ndër vite Kodi Zgjedhor, konstatopjmë se në dispozitat e tij, në gjendjen që ai kishte në vitet 2000 dhe 2003 sanksionohej se : “ zgjedhesi hedh fletën e votimit në kutinë e votimit”, ndërsa me ndryshimet që Kodi pësoi në vitet 2005, 2007 dhe Tetor 2008 shprehja e mësipërme u ndryshua, duke u rifomuluar si: “fleta e votimit duhet të hidhet në kutinë përkatëse”. Kemi mendimin se ligjbërësi me fjalët “kutinë përkatëse”, ka patur si qëllim të sanksionojë se nuk do të konsiderohej e vlefshme vota e hedhur jo në kutinë përkatëse.
Është e vërtetë se zgjedhësi që do të votonte me 4 fletë votimi, me ngjyra të përafërta, mund të gabonte duke mos i hedhur ato në kutinë përkatëse. Për të minimizuar këtë mundësi KQZ-ja, si organi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, duhet të merrte, paraprakisht, masat e nevojshme tekniko-administrative në këtë drejtim. Gjithashtu ai duhet të kishte vlerësuar më me vëmendje vërejtjen që i kishte bërë OSBE/ODIHR, në Raportin e datës 5 Qershor 2007, lidhur me zgjedhjet e 18 shkurtit 2007, ku midis të tjerave theksohet se: “Në Tiranë u përdorën fletëvotimi me ngjyrë afërsisht të ngjashme për votime të ndryshme. Kjo çoi në pështjellim dhe mund të ketë sjellë një numër të konsiderueshëm fletësh votimit të hedhura në kutinë e gabuar të votimit duke i bërë ato të pavlefshme.” Për fat të keq, masa të tilla parandaluese KQZ nuk morri në zgjedhjet e Qershorit 2009 dhe as në këto të fundit, të zhvilluara më 8 Maj 2011.
9. Monitorimi i veprimtarisë së KQZ-së
Roli i KQZ për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm. Më sipër në këtë raport janë përmendur disa konsiderata për mënyrën se si funsionoi dhe plotësoi detyrat e veta ky organ. Përfaqsues të stafit të KShH ndoqën dhe monitoruan mbledhjet dhe vendimet e mara nga ky organ dhe influencën e tij në veprimtarinë e organeve më të ulta zgjedhore. KShH ka mbajtur komunikim të rregullt me KQZ dhe i ka përcjellë, me shkrim ose verbalisht, të gjitha shqetësimet e konstatuara, të cilat kërkonin zgjidhje ose ndërhyrje prej atij organi. Nxjerrja e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhejve nga KZAZ-të përkatëse dhe nxjerrja e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja janë parashikuar në nenet 122 dhe 123 të Kodit Zgjedhor, si një nga detyrat kryesore për finalizimin e rezultatit të zgjedhjeve.
KShH mendon se në këtë aspekt KQZ nuk veproi në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe me praktikën e ndjekur në zgjedhjet e mëparshme, sipas të cilës fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar janë konsideruar të pavlefshme. Nëse KQZ ishte e mendimit se Kodi Zgjedhor kishte boshllëk dhe nuk përmbante dispozitat e nevojshme për zgjidhjen e situatave të krijuara, ai nuk legjitimohej t’i krijonte vetë ato, duke marrë atributet e pushtetit legjislativ, sepse kështu shkelet parimi i ndarjes dhe balancimin e pushteteve. Nga ana tjetër ndryshimi i rregullave në lidhje me një proces nga KQZ, në zbatim e sipër të tij, dhe miratimi i akteve me karakter normativ, në kundërshtim me nenin 24/1/d të Kodit Zgjedhor, me një shumicë më të vogël se ajo e parashikuar në të, shkelin parimin e procesit të rregullt ligjor, të sanksionuar nga Kushtetuta. Rezerva rreth këtyre veprimeve të KQZ kanë shprehur edhe vëzhgues të tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë.
KQZ morri vendime, me votat e 4 anëtarëve, për të nxjerrë rezultatin paraprak për kryetarin e Bashkisë Tiranë; për miratimin e vendimit Nr. 709 datë 23.05.2011, i cili në përmbajtje ishte akt normativ; si dhe për nmiratimin e procesverbaleve përmbledhëse të votave për Tiranën, ndryshe nga çfarë parashikohet në Kodin Zgjedhor. !!!!!(shikoje a është e saktë)
Veprimet e mësipërne të KQZ-së shkaktuan humbjen e besimit për korrektësinë e numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit të votimit tek një pjesë e zgjedhësve të Tiranës dhe më gjerë. Me gjithë numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë, shumë çështje dhe pretendime të ngritura mbetën të pasqaruara nga KQZ, si p. sh. mospërputhja e numrit të votuesve me numrin e votave të gjetura në kutitë e numëruara, në qendra të ndryshme të votimit, gjë për të cilën KQZ ishte e urdhëruar edhe nga vendimi nr. 67, datë 13.06.2011 i Kolegjit Zgjedhor; nuk u sqaruan arsyet përse u shkelën disa norma që lidhen me parimin e procesit të rregullt ligjor në ndonjë procedurë të zbatuar nga KQZ; shkaqet e ndryshimit të kodeve të sigurisë së disa prej kutive të votimit të hapura për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara etj.
10. Lidhur me standartet e zgjedhjeve
Bazuar në raportin e mësipërm dhe duke i krahasuar gjetjet me standartet demokratike të zgjedhjeve, do të ofrojmë vlerësimin tonë në lidhje me zgjedhjet e datës 8 Maj 2011 për pushtetin vendor. Paraprakisht le të rendidim ne mënyrë konçize gjetjet, pozitive e negative, sipas monitorimit të kryer nga KShH. Në zgjedhjet për pushtetin vendor të datës 8 Maj 2011 u konstatuan këto arritje pozitive: • Listat e zgjedhësve ishin më të plota dhe më të sakta në raport me zgjedhjet e mëparshme. Kjo u vërtetua nga ankesat e pakta që shtetasit i adresuan gjykatave për të kontestuar përmbajtjen e tyre e për të kërkuar ushtrimit e të drejtës së votës.
• Policia e shtetit edhe në këto zgjedhje e kreu detyrën e vet në përputhje me ligjin dhe konpetencat e saj. Ndërhyrjet e saj janë kryer vetëm në rastet e kërkuara me vendim të komisioneve zgjedhore, dhe brenda kufijve që impononte situara. Nuk u vërejt asnjë rast i sjelljes së njëanshme nga ana e policisë së shtetit, ose ndërhyrje arbitrare të saj.
• Përgatitja dhe shpërndarja e materialeve zgjedhore u krye, përgjithësisht, mirë dhe në kohë, me disa përjashtime të rralla, për të cilat jemi shprehur në raport.
• Procesi i votimit është zhvilluar, në përgjithësi mirë, në të gjitha rrethet e monitoruara nga KShH, me disa mangësi të përmendura në raport.
• Klima e acaruar e fushatës elektorale nuk reflektoi tek qytetarët ditën e votimit. Në të kundërt kjo ditë u karakterizua nga sjellje e qytetëruar e zgjedhësve.
Aspektë negative të evidentuara gjatë procesit dhe fushatës zgjedhore:
• Fushata zgjedhore u shoqërua nga incidente të lehta dhe të rënda midis simpatizantëve dhe militantëve të tre subjekteve kryesore: PD, PS dhe LSI. Situatat u nxitën edhe nga gjuha e urrejtjes, e përdorur nga liderët dhe kandidatët e partive politike, që konkuronin në zgjedhje, nga akuzat e ndërsjellta, nga mungesa e dialogut dhe e debatit konstruktiv midis tyre.
• Premtimet e bëra nga kandidatët që konkuronin në zgjedhje, ose drejtuesit e partive, që i mbështetnin ata, në ndonjë rast, ishin mjaft të ekzagjeruara dhe nuk lidheshin me kompetencat e pushtetit vendor, ose mundësitë reale të vendit tonë.
• Shpenzimet e bëra, gjatë fushatës zgjedhore, nga subjektet zgjedhore dhe nga vetë kandidatët e tyre, ishin tepër të mëdha ndërkohë që nuk është dhënë asnjë informacion i qartë për origjinën e këtyre fondeve.
• Listat paraprake dhe listat përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën me vonesë, tej afatit maksimal të parashikuar nga Kodi Zgjedhor.
• Njësitë e qeverisjes vendore nuk kryen njoftimin e zgjedhësve në lidhje me përfshirjen e tyre në listat e zgjedhësve, siç është përcaktuar nga neni 50 i Kodit Zgjedhor. Listat e shpallura, në shumë raste, u vendosën në vende të papërshtatshme dhe të paaksesueshme lehtësisht nga zgjedhësit.
• Edukimi ligjor i votuesve dhe sensibilizimi i tyre ishte i pakët. Për pasojë zgjedhësit kanë qënë shumë pak të informuar, jo vetëm për listat zgjedhore por edhe për mënyrën se si do të duhej të votonin.
• Pati presion mbi administratën publike dhe nxënësit e shkollave për ti detyruar të merrnin pjesë në mitingjet e organizuara nga partitë politike në pushtet dhe ndërhyrje në privatësinë e shtetasve, nëpërmjet dërgimit të mesazheve në celular dhe adresat private në internet ;
• Komisionet zgjedhore, të të gjitha niveleve( KZAZ, KQV dhe GNV), u ngritën dhe u trajnuan me vonesë dhe jo me cilësinë e duhur;
• Organizimi i punës në qendrat e votimit la shumë për të dëshëruar. Për këtë arsye u shkaktuan radhë të gjata të zgjedhësve, që prisnin me orë të zgjatura për të ushtruar të drejtën e vorës.
• Gjatë procesit të votimit u konstatua, shpesh, votimi familjar.
• Në disa raste janë penguar personat me aftësi të kufizuar që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, për shkak se komisionerët nuk kanë patur njohuri të sakta në lidhje me zbatimin e procedurave ligjore në raste të tilla.
• KQZ, në disa raste, tejkaloi kompetencat e saj; morri vendime që pasqyronin haptazi përkatësinë politike të shumicës së anëtarëve të tij, duke anashkaluar ligjin; nuk respektoi shumicën e cilësuar të kërkuar për vendime të veçanta, siç është përshkruar në raport; urdhëroi hapjen e kutive, pa mbështetje ligjore, numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara; nuk zbatoi të gjitha urdhërimet e Kolegjit Zgjedhor për hetimin dhe sqarimin e shkakut të mospërputhjes së numrit të zgjedhësve që kishin votuar dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë përkatëse..
• Shumë probleme të evidentuara gjatë numërimit të votave mbetën të pasqaruara nga KQZ.
Faktet e sipërshënuara evidentojnë se në zgjedhjet e 8 Majit 2011 pati arritje por, u evidentuan edhe disa probleme të rëndësishme, shumë prej tyre të përsëritura edhe në zgjedhjet e kaluara. Në mënyrë të veçantë bie në sy se problemet dhe shqetësimet u shtuan në fund të fazës së numërimit të votave, sidomos pas datës 14 Maj 2011. Edhe pse këto probleme u manifestuan, kryesisht në Tiranë, kjo nuk e minimizon shqetësimin sepse së pari: numërimi i votave është thelbi i procesit zgjedhor dhe garancia më e rëndësishme për ushtrimin e të drejtës së votës; së dyti: në KZAZ-të e Tiranës votuan rreth 1/3 e zgjedhësve të vendit dhe së treti: Tirana është kryeqytet dhe si i tillë ndikon shumë në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit.
Si përfundim, bazuar në faktet dhe analizën e mësipërme, KShH vlerëson se edhe në zgjedhjet e 8 Majit 2911 standartet në lidhje me zgjedhjet e lira dhe demokratike të KE-së dhe të BE-së, ato të sanksionuara në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, parimet që përmban Kodi i Praktikës së Zgjedhjeve, i miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, nuk u plotësuan.
a.k/NOA