English

Marrëveshja për kufirin, SHBA: Vlerësojmë durimin e Prishtinës dhe Beogradit

Kosovë, 5 gusht 2011, NOA – “Shtetet e Bashkuara e mirëpresin arritjen e pajtueshmërisë nga KFOR-i me të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe të Serbisë. E vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri", ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Tomas Kantrimen. "Duam ta falënderojmë KFOR-in, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, në përmbushjen e mandatit të tij, për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Duam ta falënderojmë gjithashtu Bashkimin Evropian për kontributin e tij të rëndësishëm rreth kësaj pajtueshmërie dhe në qetësimin e situatës", ka thënë Kantrimen. Sipas tij, "kjo arritje e pajtimit mundëson disa gjëra - qetëson situatën mes palëve, që është thelbësore për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë; i lejon jo vetëm KFOR-it, por edhe gjithë njerëzve në Kosovë lirinë e qarkullimit, që është parim thelbësisht i rëndësishëm, si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, dhe është në pajtim me nevojën për të vendosur sundimin e ligjit në mbarë Kosovën".

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja sot pasdite arritën një marrëveshje me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë, për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Hollësitë nuk janë bërë ende të ditura, por, sipas marrëveshjes, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFPOR-it deri nga mesi i muajit shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimin Evropian.

Forcat e KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare pas trazirave të javës së kaluar duke i shpallur ato zona të kufizuara ushtarake. Qeveria e Kosovës urdhëroi më 25 korrik vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare në veri në përpjekje për të zbatuar vendimin e saj për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe në veri, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga protestues serbë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha para pak çastesh se ujdia me KFOR-in është në pajtim me vendimet e qeverisë së tij për vendosjen e rendit dhe ligjit ne tërë Kosovën.

Nuk pasur një reagim të menjëhershëm të përfaqësuesve të qeverisë serbe.

a.q/NOA

KOMENTE