English

Mbi rrezikun në rritje të mafies politike

Nga Rexhep Meidani

KUR SHFAQET MAFIA?

një konceptim të mirëfilltë, mafia si term përdoret për klasifikimin e organizatave kriminale që synojnë të kenë monopolin, mbrojtjen apo kryerjen e transaksioneve ilegale, duke ndjekur një “ritual” të dhënë, rregulla sjelljeje dhe “besnikërie” deri frikësim, ushtrim dhune dhe eliminim fizik personi, si në rastin e magjistratëve italianë G. Falcone dhe P. Borsellino. Në origjinën e vet, mafia e ka nisur veprimtarinë konkrete në pjesën e parë të shekullit të 19-të, fillimisht si një shoqëri sekrete në Sicili, ku ajo shfaqet në përgjigje të kërkesave për mbrojtje prone e transaksionesh ekonomike (në kushtet e një shteti të dobët e të pafuqishëm). Ajo bëhet më e “ushqyeshme” në kushtet e një tranzicioni të vonuar. Më vonë, mafia, nga rregulluese e pronës, tregut dhe tregtisë në sektorin bujqësor, gradualisht u “specializua” në mbrojtje të çdo veprimtarie kriminale, me mjete nga më të ndryshmet, nga korruptimi e mitmarrja, në kërcënime individuale deri në një përdorim të përgjakshëm force. Po ashtu, edhe pse mafia e nisi jetën si një “prodhim” sicilian, ky term, pavarësisht variacioneve në formë e përmbajtje, shfrytëzohet sot në të gjitha rastet e ngjashme. Natyrisht, edhe me variacionet e veta lokale (Yakuza japoneze, Triads Hong Kong-ez, Cosa Nostra amerikane, Mafia ruse etj.), sidomos nisur nga nevoja e burimeve joshtetërore të mbrojtjes së territoreve, monopolizimit apo ruajtjes së sektorëve të caktuar ekonomikë etj. Sidoqoftë, me kalimin e viteve nuk kanë qenë të vogla lidhjet e mafies siciliane me politikën, edhe pse, sipas të gjitha të dhënave, vetë ajo ka refuzuar bashkëpunimin me dy parti politike: PKInë dhe MSI-në (Partinë Neofashiste Italiane). Situata të ngjashme të veprimtarisë mafioze dhe lidhjes së saj me politikën janë shfaqur dhe në vende të tjera. Pamjet konkrete të saj kategorizohen edhe si mafie politike.

MAFIA POLITIKE

Mafia politike lidhet ngushtë me politikën, me përfaqësues të caktuar të saj në nivel qendror e vendor. Kontaktet e saj me politikën, edhe para këtij emërtimi, janë ndeshur më herët. Sepse me to kushtëzohet fuqizimi i saj ekonomik. Në fakt, mafia ka synuar e synon gjithmonë që, në një mënyrë apo tjetrën, të ushqejë e kultivojë këto lidhje politike. Madje, përpara kalimit nga fshati në qytet, bosi apo kapoja lokal synon të krijojë lidhje të mira me qeverisjen vendore e policinë. Ato shpesh janë demonstruar në mënyrë krejt tradicionale: në rrugë, kafene, restorante e mjedise të tjera publike, pak a shumë të dukshme. Pikërisht për t’u parë nga të tjerët, për të rritur “prestigjin” dhe ndikimin e ndërsjellë të dy palëve, për të kultivuar frikën dhe mbjellë heshtjen. Por, dhe imponimin në mbrojtjen apo ndërtimin e lidhjeje të tjera familjare. Më tej, me përqendrimin e veprimtarisë në qytete të mëdha, me rritjen e shkallës së anonimatit të individit, rruga tradicionale nuk duket më efektive. Por, edhe shfaqjet publike me eksponentë mafiozë e kanë bërë shqetësues komprometimin publik të disa politikanëve në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Si rrjedhojë, aktualisht, veprimtaritë kryesore mafioze dhe transaksionet ilegale kryhen nën rrogoz, në kushte alibie apo me një përkujdesje në rritje për “moslënie gjurmësh”. Parë me këtë sy, sot, në luftën ndaj mafies, krahas investigimit të specializuar, kërkohet mobilizimi i opinionit publik dhe medias! Situata komplikohet edhe më shumë kur arrihet të manovrohet në mënyrë politike, duke përfshirë një pjesë të strukturave publike e medias në mbrojtje të saj. Për më tepër, me gjithë rritjen e kontrollit publik mbi median në mjaft vende, përsëri mafia arrin të rekrutojë, të nxisë e ushqejë “pushtimin” apo blerjen e saj. Por përsëri edhe kjo nuk mjafton. Madje, kohët e fundit, segmente të shkolluara e kultivuara të saj po përfshihen, jo më thjesht nëpërmjet kontakteve e ndikimeve politike e mediatike, por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, në përfshirjen e disa individëve të “panjollosur” të saj në përfaqësimin partiak e politik, pra dhe institucional. Një ndërthurje e tillë në qeverisje, në institucionet shtetërore e partiake dhe, në përgjithësi, deformimi i vetë mjedisit politik-publik e bën gjithnjë më të rrezikshme jo vetëm zhvillimin ekonomik, por dhe jetën e lirinë për qytetarin…

DY “NEVOJA” POLITIKE TË MAFIES

Mafia synon të plotësojë dy nevoja të qenësishme në fuqizimin e vazhdueshëm të saj. Të dyja ato, në një mënyrë apo tjetrën, shpesh në trajtë të kamufluar, lidhen me politikën, me rolin dhe detyrat e saj në qeverisje. Në radhë të parë, mafia ka probleme me Policinë dhe gjykatat, veçanërisht me Prokurorinë, si institucioni më i rëndësishëm për hetimin dhe formulimin e akuzës. Edhe pse këto probleme nuk janë gjithmonë politike apo nuk zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, puna e tyre, p.sh. e policit, prokurorit dhe gjykatësit mund të ndikohet jo pak me anë të presionit publik, me anë të goditjeve politike të drejtpërdrejta apo të tërthorta, përfshirë dhe rrezikun e humbjes së vendit të punës. Kjo bëhet akoma më e lehtë në kushte paaftësie apo korrupsioni brenda vetë sistemit gjyqësor, Policisë e Prokurorisë, sidomos në rastet kur aty ryshfeti apo mitmarrja bën kërdinë. Edhe dhuna apo kërcënimi fizik luajnë rolin e tyre… Pra, mafia ka nevojë për kontakte politike, që ndikojnë në aksionin e Policisë dhe vendimmarrjen e Gjyqësorit. Dhe me që të dy këto struktura janë institucione shtetërore, është e rëndësishme që ndikimi kryesor të arrihet në qeverisjen qendrore, sidomos në institucione, si: Ministria e Drejtësisë, ajo e Rendit, Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat etj. Nevoja e dytë është e lidhur me punë botore, me projekte publike e infrastrukturore, me prokurime e tenderime të ndryshme, që vihen në lëvizje jo vetëm në qeverisjen qendrore në dikastere si ajo e Transportit, e Bujqësisë, e Ekonomisë, Shëndetësisë, Arsimit e Kulturës etj.; por edhe në atë vendore. Për to vihen në dispozicion, sipas buxhetit, fondet përkatëse. Nuk mund të lihen mënjanë as tatimet e doganat. P.sh., përpjekja serbe për paralizë mafioze të doganave në dy pikat kufitare të Veriut të Kosovës, djegia e tyre, përdorimi i armëve dhe vrasja me snajper, huliganizmi e bllokimi i rrugëve në sy të ndërkombëtarëve të KFOR-it apo EULEX-it është një shembull konkret i përzierjes së Beogradit në disa segmente mafioze serbe, me veshje gjoja nacionaliste! Prandaj, jo vetëm në raste të tilla ekstreme, por kudo e kurdoherë duhet të synohet kontrolli e vigjilenca mbi politikanë e zyrtarë që kanë vendimmarrjen e duhur. Sepse çdo organizim mafioz synon për ndikim politik dhe mbështetje konkrete në nivel vendor, kombëtar e rajonal, për qëllime dhe veprimtari të ndryshme, për fuqizim jolegal e kriminal të pushtetit të tij politik e ekonomik…

VIGJILENCË PUBLIKE NDAJ ÇDO SHFRYTËZIMI POLITIK “PARAMAFIOZ” E “MAFIOZ” TË QEVERISJES

Mafia “ushqehet” jo keq në kushtet e një tranzicioni të vonuar. Sidomos kur ai shoqërohet me mangësi institucionale e strukturore, ligjore e njerëzore në rrugën drejt ekonomisë së tregut. Mangësi të tilla janë vënë re dhe gjatë periudhave më kritike të tranzicionit shqiptar apo në disa nga vendet ish-socialiste, ku në “pararojë” mbetet Rusia. Problemi bëhet tepër serioz kur korrupsioni e veprimtaritë mafioze marrin karakter kapilar apo mbështeten (për përfitim ose “naivitet”) nga segmente me peshë të medias elektronike dhe të shkruar. P.sh., të tilla janë, në Shqipëri, disa media të natyrës politike – propagandistike apo spekulative – zhvatëse, pse jo dhe tabloide, zhyrëse e shpifëse. Aq më shumë kur pretendohet nga drejtuesit e tyre, me hile apo pa hile, edhe ndonjë “frymëzim” partiak e kryeministror (si ndonjë gazetë pa tirazh, p.sh. “55”, apo disa kanale televizive tashmë gjerësisht të “klasifikuara” si qeveritare ose me mbështetje qeveritare qendrore e vendore). Problemi bëhet akoma më shqetësues, pa ndonjë zgjidhje afatshkurtër, kur, krahas korrupsionit gjyqësor e mungesës së profesionalizmit, trysnia politike e mafioze paralizon jo pak gjykatat, përfshirë dhe Gjykatën e Lartë (që, e “frikësuar”, thjesht kryen shtyrje “juridike”, deri mbyllje të proceseve penale VIP)… Prandaj, kudo në botë, por dhe në Shqipëri, ka ardhur koha që të rritet në vazhdimësi vigjilenca publike ndaj shfrytëzimit politik, deri “paramafioz” e “mafioz” të qeverisjes, në çdo nivel të saj. Sidomos duke pasur parasysh fuqizimin e aferave korruptive dhe “skemat” e ndryshme mafioze në përdorim. Aq sa në disa vende, nëse deri vonë disa politikanë ruanin lidhje të fshehta me struktura mafioze, tani, atje, mafia praktikisht po e “gllabëron” politikën, madje duke e bërë të pamundur një qeverisje normale. Edhe hapësirat e mafies janë zgjeruar më tej në pjesë të ndryshme të globit. Një problem ky që kërcënon jo pak rajonin tonë! Mafia, sot, duke luajtur “kartën lustrimit” apo “pastrimit”, po merr në dorë burime të shumta natyrore, deri duke mbuluar nga ana legjislative e ekzekutive mjaft spekulime të mëdha, sidomos me troje e pasuri të tjera, në mjaft vende, veçanërisht në ato të varfra. Një shqetësim i tillë në rritje po shfaqet edhe në Shqipëri për trojet apo pasuri të tjera. Bile, në vende të tilla, mjaft politikanë bëjnë sikur zihen midis tyre në “betejën” për pastërti figure e “duar të pastra”, ndërkohë që mjaft pronarë të rinj, politikanë ose jo, betohen e stërbetohen brenda një retorike boshe, duke e shtuar më tej errësimin e aferave korruptive të përmasave të rrezikshme. Po aq problematik, deri “qesharak”, po rezulton dhe sistemi rregullator i konfliktit të interesave në mjaft vende, sidomos në ato të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë… Nuk ka asgjë më të korruptuar dhe shkatërrimtare se shfrytëzimi politik i fuqive qeverisëse. Por, po aq shqetësues është dhe përdorimi i këtyre fuqive për të përndjekur në mënyrë përzgjedhëse kundërshtarët politikë, duke mbuluar paralelisht korrupsionin ose sjelljen kriminale të disa anëtarëve të partisë politike në qeverisje dhe aleatëve të saj. Për fat të keq, raste të tilla ndeshen pothuajse në të gjitha vendet, përfshirë dhe SHBA. I tillë ka qenë skandali “Watergate”. E ngjashme ishte dhe dorëheqja e prokurorit të Përgjithshëm A. Gonzales gjatë administratës “Bush”, pse po hetonte në mënyrë politike. Kështu, gjatë asaj administrate, investigimi i ligjvënësve demokratë në Tenesi u konsiderua si i motivuar politikisht, ndërsa, paralelisht, janë vonuar e ngadalësuar investigimi e procedimi penal i disa politikanëve republikanë. Po me to lidhen dhe disa shkarkime prokurorësh federalë (p.sh., të atij që nisi procesin ndaj një kongresisti republikan apo ai i prokurorit të ngarkuar me investigimin e stafit të një guvernatori po republikan). Shqyrtimi i tyre dhe krahasimi me raste të ndeshura në Shqipëri mund të ndihmojë dhe lexuesin shqiptar në analizën e situatave të ngjashme, aq më tepër që mjaft prej tyre, në kushtet shqiptare, në investigim, hetim e gjykim ose vonohen në proces, ose mbyllen fare pa filluar. Deri duke i “trimëruar”, në një mënyrë apo tjetrën, vetë segmentet e korruptuara të politikës, të administratës së paaftë apo biznesit të pandershëm! Në kushte të tilla zgjimi i publikut, reagimi masiv e demokratik i tij dhe, mbi të gjitha, vota e kujdesshme e qytetarit-votues mbetet zgjidhja e vetme… * * * Një mjedis mafioz apo i molepsur nga korrupsioni infekton gjithçka rreth tij. Në ilustrim të këtij fakti është dhe historia e mëposhtme. Aty, për relaksim, përshkruhet ky “infeksion” në marrëdhëniet midis një bosi mafioz, financierit dhe avokatit të tij. Pak a shumë, rrjedhja e ngjarjeve është kjo: Një bos mafioz konstatoi se financieri i tij shurdhmemec e kishte mashtruar me 10 milionë dollarë. Për të zbuluar historinë e këtij mashtrimi, bosi mori me vete dhe avokatin e tij, që njihte “gjuhën” e shenjave. Në prani të bosit, ai e pyeti financierin e tij mbi zhdukjen e 10 milionë dollarëve. Me shenja të ngjashme, ky i fundit u përgjigj se nuk e kuptonte pyetjen, madje as nuk po e merrte vesh për çfarë bëhej fjalë. Kur dëgjoi “përkthimin” e kësaj përgjigjeje, bosi nxori pistoletën dhe ia drejtoi në kokë. “Pyete përsëri!”, ulëriti ai. Juristi iu drejtua prapë financierit duke shtuar: “Ai do të të vrasë po nuk i tregove se ku i ke paratë!”. I trembur, financieri, pas hezitoi pak sekonda, u përgjigj: “Paratë janë groposur në kopsht, poshtë trëndafilave, në shtëpinë time”… Me padurim, bosi e pyeti juristin: “Hë, ç’thotë?”. Avokati, duke përsëritur gjoja përgjigjen e financierit, me qetësi u përgjigj: “Sipas tij, ti nuk je nga ata që tërheqin këmbëzën”.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE