English

METE: Të hënën shqyrtojmë ankesat e qytetarëve kundër CEZ

Tiranë, 5 gusht 2011, NOA- Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar sërish pas apelit të bërë ndaj kompanisë CEZ shpërndarje që të furnizojë qytetet me energji elektrike.

Në njoftimin e dytë të dalë nga kjo ministri theksohet se ditën e hënë në orën 14.00 në ambientet e METE do të mblidhet Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.

Po nga kjo ministri sqarohet se, në këtë mbledhje do të merren në shqyrtim një numër i konsiderueshëm ankesash të konsumatorëve kundrejt kompanisë CEZ Shpërndarje, në lidhje me mungesën e furnizimit me energji elektrike për një periudhë të gjatë deri edhe më shumë se një muaj, mosdorëzimin e faturave të energjisë në vendbanimet e konsumatorëve.

Më tej thuhet se do shqyrtohet gjithashtu edhe mosinformimi në kohë i konsumatorëve në lidhje me ndryshimin e vendndodhjes së sporteleve, ku bëhet pagesa e faturave të energjisë elektrike, duke shkaktuar detyrimin e konsumatorëve për pagesë të kamat-vonesave.

Ndër të tjera, vendosjen afrofe në shuma të konsiderueshme (rreth 1000 kw/orë në muaj) në faturat e energjisë me pretendimin e ndërrimit të sahateve nga ana e kompanisë si dhe gjobitja e konsumatorëve nga ana e operatorit CEZ Shpërndarje për shkak të mungesës së vulave në aparatin matës, do të jenë sërish në vëmendjen e kësaj mbledhje.

Vendosja e zërit “vlerë e debisë” në shuma të konsiderueshme që i ngarkohet vazhdimisht konsumatorëve nëpërmjet faturave, do të jetë pika e fundit që Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve do të shqyrtojë në mbledhjen e së hënës.

Vetë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço ka lëshuar një urdhër në të cilin thuhet se, duke nisur nga dita e sotme, është vënë në dispozicion të konsumatorëve numri i telefonit 04- 2222 655 për njoftimin e ankesave të konsumatorëve, ku qytetarët janë të lutur të denoncojnë çdo shkelje apo abuzim.

Më herët METE i bëri thirrje kompanisë CEZ Shpërndarje që të rilidhë menjëherë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësave, duke i dhënë fund situatës së krijuar në disa qytete të vendit, sidomos në zonat turistike si dhe i bëri me dije kësaj kompanie se këto veprime nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit të detyrimeve financiare që CEZ ka ndaj institucioneve shtetërore.

a.y/NOA

KOMENTE