E premte, 5 gusht 2011, NOA- Kombinimi magjik i këtij viti 6-7-8 është quajtur nga psikologët si koha më e lumtur e vitit. Bëhet fjalë për orën 7 të pasdites, ditën e gjashtë të muajit të tetë, muaji Gusht i këtij viti.
Është një ditë në të cilën shumë njerëz ndihen të lumtur për arsye të shumta si temperatura të larta, pushime verore dhe një fundjavë e lirë për të gjithë të punësuarit.
Një studim në Britaninë e Madhe ka zbuluar se shumica e njerëzve buzëqeshin më shumë përgjatë orës 7 dhe 8 të pasdites. Dita më e preferuar nga shumica e të anketuarve është e shtuna ndërsa Gushti u përzgjodh si viti më i preferuar.
Orët më të lumtura për këdo preferohen të jenë ato pas orës 5 të pasdites, ku edhe orari i punës ka përfunduar.
Ndërkohë që rreth 12 për qind e të pyeturve u shprehën se intervali i kohës 7 deri në orën 8 të pasdites është kohë e preferueshme pasi shumica e tyre në këtë kohë mblidhen në tavolinë e hanë darkën, ose zgjedhin të ulen përpara televizorit e shijojnë një gotë me verë.
Më shumë se një e treta e 9.928 njerëzve të anketuar, rreth 35 për qind u shprehën se dita e shtunë është dita e tyre e preferuar.
Shumë pranë saj ndodhej dita e premte, e cila u preferua nga 31 për qind e të anketuarve.
Shumica e tyre u shprehën se të shtunën janë të lirë dhe kanë mundësi të pushojnë, të ndjekin hobet e tyre dhe të kalojnë kohë të çmuara me të afërmit dhe miqtë.
Pavarësisht se kjo vlen edhe për të dielën, vetëm 14 për qind e britanikëve e përzgjodhën të dielën si ditën e tyre të preferuar.
Ekspertët e shpjeguan këtë duke thënë se humori i tyre ndryshon thjesht duke menduar se ditën tjetër do të kthehen sërish në punë, duke pasur kështu ditë të aktivizuara e me lodhje.
Tre muajt më të preferuar janë muajt Qershor, Korrik dhe Gusht, duke përzgjedhur kështu vetëm stinën e verës.
Ndërkohë që muaji Dhjetor i Krishtlindjeve mban vendin e katërt në listë.
Si koha më pak e preferuar nga të gjithë u zgjodh ora 2-3 e drekës së ditës së martë dhe muajit Shkurt. Ndërkohë që koha më e vështirë për tu zgjuar nga gjumi u përzgjodh ora 3 dhe 4 e mëngjesit.
Studimi zbuloi gjithashtu se 3 në 4 persona, 82 për qind janë të kënaqur me jetën që bëjnë, ndërsa 63 për qind janë më të lumtur tani se nga ç ishin në vitin 2006.
Studiuesi James Frost u shpreh: “ Studimi ynë tregoi se britanikët janë të aftë të gjejnë lumturinë e tyre në gjërat e përditshme. Por me ditën, muajin dhe kohën tonë të preferuar, të cilët koordinojnë në një linjë të përkryer, ora 7 e pasdites së ditës së nesërme është përzgjedhur të jetë ora më e lumtur e vitit. Shijojeni atë! ”
A.Koçi/NOA