Nga Eva Allushi
E vetmja gjë që nuk do të preferoja të bëja është të replikoja me një gazetar, duke qenë se prej 16 vjetësh e ushtroj këtë profesion, si një ndër luftëtaret e fjalës së lirë në këtë vend.
Por debati dhe shkëmbimi i ideve në publik, i vlen në radhë të parë emancipimit të këtij të fundit.
I referohem shkrimit të djeshëm të z. Nano. Pa dyshim që z. Nano është në të drejtën e tij të japë vlerësime mbi një shkrim timin botuar te gazeta “Panorama”, sa kohë që hapësira, siç edhe unë theksoj në atë shkrim, duhet të jetë e lirë dhe të vlejë për të tërë.
Çështja është të mos e keqpërdorim këtë hapësirë. Pa dyshim që z. Nano bashkohet me mua, në ato që ai i cilëson si kritika të miat, por ndërkohë nuk ka mënuar të kërkojë fare pak mbi emrin tim për të zbuluar motivet e shkrimit, të cilat bazohen te pakënaqësia ime mbi udhëheqjen e Partisë Socialiste.
Unë nuk dua t’i shpenzoj kohë as z. Nano dhe as opinionit publik, për ta vënë në dijeni se unë jam në radhë të parë gazetare prej 16 vitesh, e më tej edhe anëtare e strukturave drejtuese të PS-së, kryeredaktore e ZP, për tri mandate anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga të cilët në dy kam drejtuar grupin socialist të këshilltarëve. Pavarësisht se këtë herë i kam rënë në sy z. Nano, apo dhe dikujt tjetër, unë kam qenë gjithmonë prezent në media, si dhe në strukturat e PS-së pa u frikur se çdo opinion që kam dhënë ka qenë ose jo sipas linjave të kërkuara. Kjo që po them nuk tingëllon e huaj për këdo që ka qenë bashkudhëtar në jetën time aktive 12-vjeçare në Partinë Socialiste.
Por le t’i lëmë elementet autobiografike, se nganjëherë nuk shpjegojnë gjithçka, p.sh. nuk shpjegojnë pse z. Nano u largua nga Partia Demokratike dhe sot është ndër kritizerët më të mëdhenj të Sali Berishës dhe shyqyr që e kemi. Dhe të mos keqkuptohemi, në fakt nuk ka pse shpjegon gjë, se jeta e individit është një evolucion i brendshëm, dhe nuk ka më mirë sesa kur ai udhëhiqet mbi të gjitha nga dëshira për të qenë i lirë. Nga ky këndvështrim më qëndron kontradiktore sjellja e z. Nano ndaj motiveve të shkrimit tim.
Z. Nano në mënyrë pavetore flet për kacavjerrje dhe shpërblime. Mirë bën.
Por rasti nuk jam unë. Dhe kam guximin ta them publikisht, sepse partia ime e njeh mirë këtë fakt. Rastet janë të tjera, po t’i kërkojë z. Nano do t’i gjejë në të gjitha krahët e politikës, edhe në PS.
E ftoj z. Nano të studiojë një për një motivimet e të dukshmëve dhe të padukshmëve në PS, e ftoj të studiojë lidhjet, interesat, e në qoftë i drejtë, i paporositshëm, e i ndershëm në radhë të parë me veten, me opinionin publik, e pse jo edhe me mua, t’i bëjë ato publike.
Atëherë do të shohim të gjithë në dritë të diellit se ku qëndrojnë motivimet e liga, madje shumë të liga, të cilat gjithsesi nuk do ta dëmtojnë dot Partinë Socialiste, sepse ndryshe nga çdo parti tjetër, PS-ja ka trashëguar forcën e përtëritjes, e ndryshimit, përballë rezistencës për stanjacion.
Gazeta “Shqip”