English

SHBA mirëpret marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë

Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Tomas Kantrimen, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka mirëpritur në emër të Shteteve të Bashkuara arritjen e pajtueshmërisë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës, duke thënë se me të hapet rruga për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.

****** Shtetet e Bashkuara e mirëpresin arritjen e pajtueshmërisë nga KFOR-i me të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe të Serbisë. E vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri.

Duam ta falënderojmë KFOR-in, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, në përmbushjen e mandatit të tij, për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Duam ta falënderojmë gjithashtu, Bashkimin Evropian për kontributin e tij të rëndësishëm rreth kësaj pajtueshmërie dhe në qetësimin e situatës.

Kjo arritje e pajtimit mundëson disa gjëra; qetëson situatën mes palëve, që është thelbësore për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë. I lejon jo vetëm KFOR-it, por edhe gjithë njerëzve në Kosovë lirinë e qarkullimit, që është parim thelbësisht i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, dhe është në pajtim me nevojën për të vendosur sundimin e ligjit në mbarë Kosovën.

Ky pajtim që është arritur, stabilizon situatën, por ç’është më e rëndësishmja e hap rrugën për një diskutim shumë të rëndësishëm, që është vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.

Do të donim të shihnim dhe besojmë se do të mund ta arrijmë një situatë, në të cilën nuk do të ketë reciprocitet negativ midis dy shteteve, por një reciprocitet pozitiv, ku mund të shohim jo vetëm qarkullim të lirë të njerëzve, por edhe qarkullim të lirë të tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

E nënvizoj bindjen tonë në menaxhimin e Bashkimit Evropian të atij dialogu dhe u bëj thirrje të dyja palëve, Beogradit dhe Prishtinës të marrin pjesë me durimin e njejtë dhe qasjen konstruktive, të dëshmuar në ditët e fundit.

Ju thatë se arritja e pajtimit hap rrugën për dialogun mbi çështjet teknike, por a mendoni se situata në veri duhet të jetë temë diskutimesh?

Ne besojmë se çështjet praktike, të cilat janë në favor të të gjithë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata serbë apo shqiptarë, kudo ku jetojnë, në veri apo jug, duhet të jenë në tavolinën e dialogut.

Është e pashmangshme që çështjet që ndërlidhen me veriun duhet të diskutohen dhe është në interes të të dyja palëve, të punojnë në një mënyrë praktike, për të zgjidhur këto çështje të jetës së përditshme, të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe ne dobi të atyre të Serbisë.

Ngjarjet e fundit në veri sërish kanë ngritur shqetësime për mundësinë e ndarjes. Zyrtarët në Prishtinë thonë se synimi i Beogradit prapa ngjarjeve në veri është pikërisht ndarja…

Mendoj se Beogradi e ka bërë të qartë se favorizon ndarjen, si zgjidhje. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe besoj edhe i Bashkimit Evropian dhe shteteve kyçe në BE, ndonëse nuk flas në emrin e tyre, është se ndarja nuk është e mundshme, nuk është e dëshirueshme dhe nuk është temë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. E ka kuptuar Beogradi këtë porosi?

Të gjitha palët kanë qenë të qarta mbi qëndrimet e tyre respektive dhe nuk kam dyshim se Beogradi e kupton qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Kantrimen, duket e pashmangshme, siç e thatë edhe ju, se Prishtina dhe Beogradi duhet të ulen dhe të bisedojnë. Sa të vështira mendoni se do të jenë këto bisedime dhe çfarë është thelbësore për të dyja palët?

Mendoj se në një moment shumë të vështirë, është pikërisht koha kur të dyja palët duhet të flasin me njëra-tjetrën. Po të mos kishim probleme, s’do të kishim për çfarë të bisedonim. Tani kemi probleme urgjente dhe urgjenca tash është larguar me arritjen e sotme të pajtueshmërisë, por ekziston ende nevoja për të dyja palët, të punojnë drejt një jete më të mirë për qytetarët e tyre. Çfarë është thelbësore? Janë raportet e ardhshme që këto dy shtete do të kenë jo vetëm mes vete, por edhe raportet që secila prej tyre ka me Bashkimin Evropian dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar. Është parim fundamental i Bashkimit Evropian që shtetet të jenë të afta të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore dhe me diskutime direkte. Të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, tani kanë mundësinë, në disa javët e ardhshme, të dëshmojnë se do ta përqafojnë këtë parim fundamental, që është zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve.

KOMENTE