Tiranë, 5 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Megjithë temperaturat e larta në Tiranë, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe. E cilësuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha si një prej prioriteteve kryesore të mandatit të tij të parë, kjo Unazë po pritet me padurim edhe nga qytetarët, pasi pritet t’i japë nje frymëmarrje të re trafikut të rënduar në kryeqytet.
Sikundër tregojnë edhe fotot e bëra gjatë këtyre ditëve në “kantierin” më të ri në Tiranë, pranë Kopshtit Botanik, në vijën ndarëse mes komnës Farkë dhe Tiranës – qytet, po bëhen punime për ngritjen e një mbikalimi. Unaza e Madhe do të ketë disa mbi kalime dhe nen kalime. Mbikalimi i parë do të jetë në rrugën ekzistuese që zbret nga Sauku i vjetër deri te Liqeni artificial.
Mbikalimi i dytë do të jetë në mes të fshatit Sauk i Vjetër, ku është aktualisht dhe rrugë funksionale. Ka edhe disa rreth-rrotullime, një prej të cilave pranë Digës së Liqenit. Faza e parë e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash. Qeveria ka lëvruar dhe fondin prej rreth 5.5 milionë dollarë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Rrotullimi, që po ndërtohet në Lundër do të mundësojë që automjetet që do të vijnë nga Jugu të kalojnë përmes unazës së madhe. Aktualisht, po kryen punime me intensitet të lartë në dy segmentet : aty ku bashkohet qyteti i Tiranës me Komunën e Paskuqanit dhe aty ku bashkohet vija e verdhë e qytetit me Komunën e Farkës.
Ndërtimi i Unazës së Madhe për më shumë se dy vjet u bë një pikë e fortë përplasje mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, në atë kohë e drejtuar nga socialisti Edi Rama.
Pas fitores së Lulzim Bashës në zgjedhjet vendore të 8 majit, përplasjet u sheshuan tërësisht duke ia lënë vendin punës intensive për një prej projekteve më të mëdha në kryeqytet.
a.q/NOA