English

Amnistia në Maqedoni, Cërvenkovski kundër

Shkup, 6 gusht 2011, NOA - Lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Branko Cërvenkovski ka kundërshtuar sërish vendimin e Parlamentit të Maqedonisë, i cili më 19 korrik miratoi interpretimin autentik të ligjit për amnisti, çka mbylli rastet e Hagës, që ngarkonin me akuza ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Para syve të publikut maqedonas u tregua se të vetë- ashtuquajturit "patriotë të mëdhenj", kur është fjala për ti mbajtur kolltukët dhe pushtetin janë të gatshëm të rishikojnë Marrëveshjen Kornizë dhe akoma më keq për amnistimin e krimeve kundër njerëzimit - diçka që është në kundërshtim me ligjet dhe principet e së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar Cërvenkovski për gazetën “Utrinski Vesnik”, transmeton agjencia e lajmeve INA.

Duke aluduar në Gruevskin ai është shprehur se trimi më i madh pas “Aleksandrit të Madh” u fsheh pas deputetëve të cilët i përdori si mish për top.

Cërvenkovski ka shtuar se partia të cilën e drejton, dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me partitë shqiptare, por se partia shqiptare BDI sipas tij për arsye të panjohura po luan rolin e avokatit të VMRO-DPMNE-së.

a.q/NOA/INA

KOMENTE