Ish-drejtoresha e “Gazeta Shqiptare” shpjegon në një intervistë largimin e saj nga puna pasi grupi mediatik ku bënte pjesë kjo gazetë u ble nga dy biznesmenë shqiptarë
Ju pas katër vitesh si drejtore, nuk po e drejtoni më Gazeta Shqiptare. Në media u fol për shkarkimin tuaj, ndërkohë që ju ende nuk keni folur. A është kjo e vërtetë?
Po, është shumë e vërtetë. Që nga fundi i muajit maj, unë nuk jam më pjesë e stafit të Gazeta Shqiptare apo grupit të ri mediatik Fokus Group. Arsyeja është e thjeshtë: pronarët e rinj nuk donin të punonin me mua. Më pushuan nga puna, duke prishur në mënyrë të menjëhershme dhe të njëanshme kontratën që kam me kompaninë mediatike ku kam punuar 10 vitet e fundit, dhe ku në katër vitet e fundit kam qenë drejtore e Gazeta Shqiptare.
Po si jua komunikuan? Domethënë, patët ndonjë komunikim me pronarët e rinj?
Duhet të kemi të qartë një gjë: pronarët e rinj të medias Fokus ku përfshihet Gazeta Shqiptare, News24, Balkanweb e Radio Rash, janë Irfan Hysenbelliu, që është aktualisht pronar i “Panorama Group” dhe shumë aktiviteteve të tjera, dhe Artan Santo, bankier, sot drejton njërën nga bankat e nivelit të dytë madje ka edhe një televizion tjetër në pronësi. Pra, të dy bashkëpronarët e kanë nga një media, dhe blenë edhe një tjetër media që ju kushtoi miliona euro.
Nuk më intereson sesi zgjidhet kjo çështje në bazë të legjislacionit shqiptar, pra a lejohet që një investitor të ketë aksione në disa media, sepse gjëja më e thjeshtë është ti “vidhesh” shtetit apo ta rregullosh me të. Por mënyra arrogante e largimit tim nga puna, është thjesht shprehje e kulturës dhe mentalitetit shqiptar, se këtu jam zot unë, dhe do bëhet çfarë dua unë apo të tjerë që më komandojnë.
Thënë më troç, arsyeja kryesore e largimit tim nga puna, është se drejtorja e Gazeta Shqiptare, shkoi një orë me vonesë në punë!!! Qesharake apo jo! Të mendosh se një drejtor, çdo ditë të javës e fillon punën në orën 9 apo 10 të mëngjesit, dhe ikën nga puna një apo dy orë pas mesnate, pushohet nga puna për një orë vonesë. Sigurisht, ky është një pretekst, dhe një pretekst shumë i rëndomtë, demode, dhe shumë vulgar. Kam dëgjuar në ambiente të ndryshme edhe sajesa të tjera, që ma merr mendja do ti thonë kohë pas kohe.
Kjo nuk është arsyeja e vërtetë?
Eh, sigurisht që jo. Që në krye të herës dua të them se me pronarët e rinj po na ndante një hendek shumë i madh, në mënyrën sesi bëhej gazetari në Gazetën Shqiptare. Stafi i Gazeta Shqiptare, nuk ishte mësuar me diktimin e titujve dhe politikës në mënyrë aprofesionale. Në gati dy javë që punova me pronarët e rinj, kishte në mëngjes dhe në mbrëmje konstatime të tipit: ”G.M. G.SH.M”, në telefonin tim celular, me sms. Ma sillnin këtë mesazh në orën 7 të mëngjesit, ndërkohë që duhet të vrisja mendjen se çfarë donte të thoshte pronari me mesazhe të tilla. Kjo është në aspektin qesharak. (Për ta sqaruar, G.M do të thotë Good Morning, ndërsa G.Sh.M, do të thotë ose “Gazeta shumë mirë”, ose “Gazeta Shqiptare mirë”). Në aspektin politik, ndërhyrja shkonte deri aty sa raporti paraprak i OSBE-ODIHR që shpallte Ramën fitues me 10 vota duhet të kishte mënyra të ndryshme trajtimi. “Gazeta Shqiptare” e publikoi raportin, por mënyra sesi duhej trajtuar raporti, çfarë ngjyrash duhej t’i jepnim, ishte një problem. Gazeta Shqiptare e pasqyroi raportin ashtu siç ishte. Mbaj mend se ka qenë ditë e shtunë dhe “Gazeta Shqiptare” u zhduk nga tregu shumë shpejt, dmth, njerëzit e blenë. Kjo edhe për faktin se gazeta me të cilën kishim konkurrencë, por që pas blerjes së re, kishin të njëjtin pronar, nuk e kishte pasqyruar pothuajse fare si lajm, por thjesht, “doli raporti i ODIHR”.
E mora këtë shembull për të treguar se me pronarët e rinj, nuk ishte shumë e nevojshme që të kishte urdhra të saktë. Kjo po ndodhte vetvetiu. Nuk e di sesi u bë, por gjatë mbledhjeve vija re se gazetarët kishin frikë të raportonin skandale, apo afera, në sektorë të ndryshëm të shtetit. “Ç’punë kam unë ta raportoj këtë lajm?” ishte shprehja që po dëgjoja më shpesh nga gazetarët në redaksi. Pra, filloi ajo që rëndom në gazetari quhet, vetëcensurim.
Ju nuk e dinit këtë gjë? Pra e kishit nuhatur largimin tuaj?
Një nga politikanët pranë qeverisë, më këshilloi në një kafe miqësore, se, nuk duhet të isha agresive. Sinjali erdhi përpara shitjes së kompanisë, pra kur rrethi i njerëzve në disa qarqe në Tiranë e dinin se transaksioni i blerjes se kompanise mediatike Mediterranea, do të ndodhte shumë shpejt. Dhe, që unë të kisha vijimësi, duhej që disa lajme të mos jepeshin. Pra, një lloj akordi apo jo? Unë, sigurisht nuk kisha ndërmend të ikja, për sa kohë që kisha një kontratë të firmosur me kompaninë, si drejtore e Gazeta Shqiptare. Pronarët e rinj erdhën, u betuan e u përgjëruan edhe për kokë të kalamanjve (të shkretët kalamanj që nuk e dinë sesa herë u gënjejnë prindërit në emër të tyre) se nuk do të më hiqnin, a thua, se po më bënin ndonjë favor. Ose po kërkonin të bënin favore në qarqet politike, pikërisht aty ku nuk ua kishin kërkuar ndoshta, një gjë të tillë.
Nuk kam menduar ndonjëherë se në media më ka mbajtur përgjërimi, lutjet, apo interesat dhe favoret e ndokujt. Unë gazetarinë e kam pasion, dhe si i tillë, s’kam pranuar kompromise të tipit: mbyll gojën, e vazhdo punën. E kisha të qartë se nuk do plakesha drejtore gazete, por do ishte më e ndershme për pronarët e rinj, të kishin gjetur një zgjidhje të përshtatshme, duke pranuar largimin tim për politikën e re që do të ndiqte gazeta, pra atë ndryshimin e kursit.
Po nuk po shohim ndonjë ndryshim kursi politik që të bjerë në sy…
Po emergjente me sa po duket, ishte largimi im nga detyra, unë paskam qenë shumë problem. Pronarët e rinj të kësaj medieje, duket se kanë vendosur që deri në shtator të vazhdojë gjithçka ashtu siç është. Pastaj, e kam shfletuar Gazeta Shqiptare dhe kam gjetur shumë reklama shtetërore. Më parë, vuanim, nuk kishte të tilla. Sidomos ato shpronësimet që bën ministria e Transporteve. Tani i gjen edhe tek Shqiptarja kur më parë nuk kanë qenë. Dhe duket qartë se edhe ky në vetvete është një ndryshim. Tani, një lajm më shumë e një lajm më pak, në këtë kohë krize, kush nuk do të donte të mos ndryshonte politikën? Se nuk bëhet fjalë vetëm për GSH. News24, që u ngrit me aq profesionalizëm, në ditët e para pas zgjedhjeve, arriti të nxjerrë edhe lajme të tipit: “ATSH:….” Nën drejtimin e Karlo Bolinos, jo që kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë, por as nuk mund të imagjinohej të hapej Agjencia telegrafike shqiptare e të bëheshin lajme agjencie, kur gazetarët tanë ishin në terren.
Pse vendosët të flisni kaq vonë? Në botën e medias, largimi i një drejtori të gazetës me të rëndësishme në vend, përbën lajm…
Po, përbën lajm. Vendosa të flas pikërisht kur gjithçka të bëhej ligjore. Avokatët e mi po merren me procedurat gjyqësore për zgjidhjen e kontratës në mënyrë të njëanshme. Nga ana e kompanisë, nuk më kanë dhënë as librezën e punës me arsyet se pse pronarët e rinj më pushuan nga puna. Edhe kjo është ironike apo jo? Nuk ta japin librezën, se nuk duan pronarët. Do të duhet t’i detyrojë gjykata ma merr mendja, nëse drejtësia në këtë vend vazhdon të funksionojë.
Në aspektin tjetër, ajo për të cilën më vjen keq, është pikërisht pushteti i katërt, profesionalizmi dhe liria e medias. I kemi dëgjuar ambasadorët, kemi parë edhe raportet e përvitshme të DASH apo KE, flasin gjithmonë për ndërhyrje të biznesit e politikës në media. Ky është rasti. Dhe përfundimisht në Shqipëri, kemi një media opozitare më pak. Fundja, nuk më duket se kanë mbetur shumë, apo jo?
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Unë e kam filluar gazetarinë në moshën 18 vjeçe. Kam bredhur Shqipërinë në vitin famëkeq 1997, ndërkohë që isha ende e re. Në këto 15 vite karrierë, arrita në detyrën e drejtores së Gazeta Shqiptare sepse punova shumë me pasion e përkushtim. Pas 15 vitesh punë natë e ditë, po i lejoj vetes dy muaj pushime, në bregdetin e mrekullueshëm të Vlorës. Kam shumë plane, kam shumë ide dhe propozime për të ardhmen. Dhe në shtator, do të rikthehem në Tiranë, për të vazhduar aty ku e kam lënë. Ndoshta për të kontribuar dhe unë sado pak, që në Shqipëri të zbatojmë standardet e kërkuara aq shumë për një shtet ligjor, dhe për një media profesionale. Kjo periudhë po më ndihmon edhe për reflektim. Për të parë nga afër edhe nga larg, sesi kam mbijetuar si e vetmja vajzë- drejtore, në një media të shkruar, dhe shoh se ka qenë shumë e mundimshme. Por kam vullnetin dhe pasionin për ta rinisur, aty ku më detyruan ta lë që në muajin maj. /Gazeta Tema/