Tiranë, 6 gusht, NOA – Edhe gjatë ditës së sotme, kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka vijuar takimet me qytetarët e kryeqytetit. Paraditen e sotme, qindra banorë të Tiranës kanë vizituar zyrën e kreut të Bashkisë. Qytetarët kanë takuar Bashën dhe i kanë shprehur atij shqetësimet në lidhje me problemet që ata kanë.
Ndërkohë që ka pasur dhe qytetarë që kanë dashur të takojnë kryetarin për ta përshëndetur për marrjen e detyrës.
Dita e caktuar për takimin me banorët është e mërkurra, por fluksi i madhe i qytetarëve gjatë ditës së djeshme ka bërë që edhe parditen e sotme, Bashkia e Tiranës të hap dyert për takime.
Sipas Bashkisë së Tiranës shqetësimet që kanë qytetarët e Tiranës, kanë të bëjnë më së shumti me punësimin, të drejtën e pronës dhe strehimin.
Pas parashtrimit të shqetësimeve tek Kryetari i Bashkisë, punonjësit e Bashkisë plotësojnë një formular me të dhënat dhe kërkesat e shtruara nga qytetarët. Ky dokumentacion shërben për ndjekjen e problematikës që ata kanë dhe kontaktimin e tyre të mëtejshëm.
Çdo qytetar i interesuar duhet të plotësojë një formular, pranë zyrës së Informimit Qytetar në Bashki, në bazë të të cilit caktohet edhe data e takimit me Kryetarin e Bashkisë. Nisur nga numri i madh i kërkesave, Kryetari i Bashkisë ka vendosur të shtojë edhe ditë të tjera takimi.
a.k/NOA