SHBA, 6 gusht, NOA - Indeksi Dow Jones i bursës së Nju Jorkut u ngrit dje pasdite, pasi ra të enjten 513 pikë, për shkak të frikës se ekonomia globale mund të bjerë përsëri.
Dow Jones u ngrit 61 pikë në një ditë luhatjesh të shumta të çmimit të aksioneve. Indekset e tjera, NASDAQ dhe S&P 500, u mbyllën më postë nga një ditë më parë.
Tregjet aziatike ranë ndjeshëm dje, por edhe tregjet evropiane shënuan humbje.
Tregjet amerikane u luhatën në teritore pozitive dhe negative dje, por u ngritën si rezultat i lajmeve se Italia do të përshpejtojë zbatimin e një pakete masash shtrënguese ekonomike për të balancuar buxhetin deri në vitin 2013, një vit më parë nga sa kishte planifikuar më parë.
Ndërkohë, po dje një raport i ri i qeverisë amerikane tregon një përmirësim të vogël në shkallën e papunësisë për muajin korrik, duke arritur shifrën 9.1 për qind. Megjithatë, ekonomia amerikane, më e madhja në botë shtoi vetëm 117.000 vende të reja pune muajin e kaluar, një shifër shumë më e ulët se sa numri i nevojshëm për një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Ekonomia amerikane thuajse ka qëndruar në vend këtë vit, duke e shtuar frikën e investitorëve, tashmë thellësisht të shqetësuar rreth përhapjes së problemit të borxhit në qeveritë evropiane.
NOA/VOA