Viti, 6 Gusht, 2011 NOA/ Kristina Rasi - Në Shtëpinë e Kulturës në Viti, në prani të Kryesisë Qendrore të FDBK-së për Kosovë, u themelua Forumi i Rinisë së Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar në të cilën mbledhje të pranishmit u njoftuan për rrjedhat aktuale politike dhe të sigurisë në gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
Kryetari i FDBK-së për Kosovë, Hysni Elshani i tha agjencisë NOA se mbledhja shtroi dhe nevojën e konsolidimit dhe rreshtimit të faktorit politik shqiptar gjithandej në mbrojtjen e vlerave të patjetërsueshme kombëtare, të lirisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Sekretari i FDBK-së-Kosovë, Qerim Rexha pohon ndërkohë se në tryezë u diskutua gjithashtu për anët pozitive që ofron për shqiptarët projekti i Shqipërisë së përbashkët. Me këtë rast u bë konstituimi i Forumit të Rinise së FDBK-së ku u zgjodh edhe kryesia e këtij Forumi.
Në mbledhjen e përbashkët të të dy kryesive respektive të Frontit u debatua për gjendjen shpërthyese në Mitrovicën e veriut, ku forca paramilitare serbe, banda çetnikësh, grupe të carllazarëve dhe mercenarëve tjerë rusë po përpiqen të vënë nën darën e kontrollit militarist një pjesë të atdheut tonë. Duke u nisur nga këto rrethana luftënxitëse që vijnë nga qarqet më ultra shoviniste serbomëdha Kryesia e Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar për Kosovë publikon këtë deklaratë:
“Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar me të gjitha strukturat vepruese organizative në Kosovë është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Kosovë me theks të veçantë në Mitrovicë. Strukturat udhëheqëse të Frontit asnjëherë nuk janë pajtuar me politikën vasale-kapitulluese dhe difensive që kanë ndjekur qeveritë e Kosovës përball Serbisë hegjemoniste dhe strukturave paralele të saj në Kosovë që nga çlirimi i Kosovës e këtej. Servilizmi politik i pjesës më të madhe të partive politike shqiptare, karshi faktorit ndërkombëtar bëri që Kosova kaherë të shndërrohet në vatër eksperimentale ku po provohen ligjet më antishqiptare dhe më antinjerëzore edhe pas gjithë asaj ploje q ë ka ndodhur mbi shqiptarët e Kosovës përgjatë një shekulli e në veçanti në fund të shekullit njëzetë. Qasja e njëanshme e zgjidhjes së problemeve në Kosovë, përmes imponimeve antishqiptare, jo vetëm që nuk mund të bëj zgjidhje të pranueshme për më shumë së 90 për qind të popullatës shqiptare, por ajo po e fut jo vetëm Kosovën si vatër drejt shtigjeve apokaliptike por edhe gjithë rajonin që është i banuar me shqiptar.
Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar, kërkon nga Qeveria e Kosovës, të rrisë vigjilencën dhe të shtoj masat e nevojshme për t i eliminuar të gjitha ato pengesa, në çdo cep të kufijve të Kosovës, të cilat edhe pas 12 vitesh pengojnë shtrirjen e sovranitetit të Kosoves atje. Qeveria e Kosovës duhet me vendosmëri në afatin më të shkurtër të korrigjoj të gjitha ato lëshime antiligjore që i janë bërë shtetit të Kosovës, të cilat Kosovën e kanë bërë një shtet pa legjitimitet karshi faktorit ndërkombëtar.
Ka ardhur koha që ligji dhe kushtetutshmëria të sundoj mbi gjithë hapësirën e Kosovës pa dallim nacionaliteti dhe konfesioni.
Bandat terroriste, bandat mafioze që po e terrorizojnë popullatën në veri të Kosovës duhet arrestuar dhe vënë para ligjeve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës për sa kohë që nuk i dërgon policinë speciale në mbështetje të portës 1 dhe 31 në kufirin verior, për sa kohë që nuk e shtrinë autoritetin e saj të strukturave shtetërore në Mitrovicën e veriut dhe tri komunat të banuara me shumicë serbe, përsa kohë që ajo toleron krimin e organizuar, bandat kriminale, njësitet paramilitare, ndarjen me kufij administrative te Mitrovicës, nuk është në shërbim të interesave të sovranitetit dhe shtetit të Kosovës. Përkundrazi.
Qeveria e Kosovës dhe gjithë strukturat shtetërore duhet të jenë më afër popullatës shqiptare ne veri e cila është vënë nën një presion të pashembullt për pastrim etnik të këtyre trojeve nga qarqet shoviniste serbe.
Populli shqiptarë askujt nuk i ka borxh përgjatë historisë së tij tragjike, ndërsa janë politikat shovene ato që këtë popull e kanë mbytur në det gjaku duke i grabitur atij atdheun, lirinë dhe çdo gjë që pati të shenjtë.
Sot uniteti i faktorit politik shqiptar në mbrojtje të kauzës sonë kombëtare, duhet të ndërtohet dhe veproj më shumë së kurrë më parë. Ata të cilët nuk janë të gatshëm të vihen në shërbim të interesave gjithëkombëtare lë të lëshojnë rrugë, sepse kjo tokë dhe ky popull ka bijë dhe bija të cilët duan dhe dinë të shndërrohen në mburojë të çështjes kombëtare.
Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar si asnjëherë më parë do të veproj fuqishëm përmes strukturave të tij organizative në terren për të penguar çdo padrejtësi, çdo cenim të sovranitetit shtetëror, çdo imponim joparimor në dëm të atdheut tonë të përbashkët. Do të jemi pranë të gjitha atyre forcave politike e shtetërore që interesin mbarëkombëtar e vënë mbi interesin personal dhe do të jemi kundër atyre individëve servilë e puthadorë e kulltukofag, atyre mekanizmave që e dëmtojnë rëndë sovranitetin edhe ashtu të brishtë të Kosovës.
Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ti jap fund dialogut me Serbinë duke e kushtëzuar paraprakisht atë me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pa njohje reciproke të sovranitetit të ndësjell dialogu nuk ka kuptim dhe e dëmton tej mase sovranitetin e Kosovës. Jemi të bindur gjithashtu së nuk ka sovranitet të ndërtuar mbi paterica, sovranitet të cunguar ku formalisht je, por realisht nuk je. Ne si Front konsiderojmë, megjithatë, së e vetmja rrugë e cila i pengon obstruksionet e qarqeve antishqiptare që po bëhen mbi fatin e popullit tonë në të gjitha trevat ku jetojmë është rruga sublime e bashkimit kombëtar në një Shqipëri, e cila do të zgjidhte përfundimisht problemet e Kutisë së Pandorës. ”-thuhet në fund të deklaratës së Kryesisë së FDBK-së për Kosovë.
a.b/NOA