Tiranë, 6 gusht, NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot për grevën e minatorëve të Bulqizës dhe mos marrëveshjet mes kompanisë ACR që ka marrë me koncesion minierën në këtë zonë. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Çela shprehu në emër të LSI-së keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhen minatorët, si dhe kërkoi gjetjen e një zgjidhje për situatën.
“Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh keqardhjen e saj, se marrëdhëniet mes kompanisë private ACR dhe minatorëve të Bulqizës, i detyruan ata të futen e të ngujohen në grevë urie. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin për gjendjen e rënduar shëndetësore të minatorëve, dhe i fton palët të gjejnë rrugën e arsyes përmes dialogut dhe partneritetit, sepse mbi çdo interes tjetër, parësore është jeta e minatorëve”, tha Çela.
Përfaqësuesi i LSI-së shtoi se ekzistojnë të gjitha mundësinë për gjetjen e një marrëveshje konsensuale mes palëve. “Ne jemi të bindur, dhe shprehim besimin tonë, se ekziston e gjithë hapësira e duhur për dialog, për të arritur një marrëveshje sa më të shpejtë e konsensuale, në mënyrë që t’i jepet fund kësaj situate, e në mënyrë që puna të rifillojë normalisht”, tha Çela.
a.k/NOA