Shkup, 6 gusht, NOA - Një grup të rinjsh shqiptar të punësuar në njësitet speciale të policisë së Maqedonisë e ndjejnë veten të rrezikuar dhe diskriminuar në shumë aspekte në punën e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Ata thonë se për shkak të përkatësisë kombëtare, nuk e kanë trajtimin e merituar në punën e tyre e cila ka rreziqe të njëpasnjëshme.
“Vetëm pse jemi shqiptarë na dërgojnë në aksionet më të rrezikshme, ndërsa kur është puna për tu avancuar në detyrë, ne mbetemi anash”, thotë një i ri shqiptar i punësuar në njësitet speciale të MPB-së. Ai me kolegët e tij thonë se shpejti do të dalin edhe publikisht për ta denoncuar këtë diskriminim të hapur ndaj tyre.
“Kemi në plan të realizojmë takime me përfaqësues të OSBE-së, ambasadave të huaja dhe Avokatin e Popullit. Pastaj do të takojmë edhe Ali Ahmetin si kryetari i partisë në pushtet, për t`i sqaruar mirë këtë problem. Nëse nuk merret masa atëherë do të detyrohemi ta braktisim punën, sepse ky trajtim ndaj nesh nuk përkon me ligjet dhe standardet që kërkohen nga BE-ja“, thotë pjesëtari i njësisë speciale në MPB-së.
Ai rrëfen se natën e Vitit të Ri ishte detyruar ta festojë me kolegët e policisë, edhe pse kishte preferuar të qëndronte në shtëpi me familjen.
“Komandanti im më tha se nëse nuk vijë natën e Vitit të Ri ta festojmë me të gjithë kolegët tjerë, do ta pësoj në punë. U detyrova të shkoj atje edhe pse gati 95 për qind e kolegëve ishin maqedonas, sepse vetëm 5-6 për qind është përfaqësimi i shqiptarëve”, thotë ai.
Ai gjithashtu thekson se në kohën e pushimit vjetor, disa herë në ftuar në punë edhe pse një gjë e tillë është e kundërligjshme.
“Ata më thirrën të punojë natën e kërshëndellave, ndoshta se një pjesë e madhe e tyre festonin në shtëpitë e tyre. Kjo nuk ndodhë kur ne kemi festat tona. Detyrohemi të punojmë në çdo kohë, pa marrë parasysh festë apo çka tjetër. Kur je në pushim nuk guxon askush të thërras në punë. Kjo mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme. Por në rastin tim nuk bëhet fjalë për gjendje të jashtëzakonshme.”, rrëfen i riu shqiptar. Problemet dhe trajtimi i pjesëtarëve shqiptarë në radhët e njësiteve policore, kryesisht atyre speciale mbetet një tabu temë dhe shumë pak e trajtuar nëpër media, sidomos rreth çështjes së përfaqësimit, mos avancimit të kuadrove shqiptare në nivele udhëheqëse në kuadër të këtyre njësiteve dhe sfida të tjera, me të cilat përballen ata.
Sipas burimeve brenda MPB-së, përfaqësimi i shqiptarëve në njësitet e posaçme të MPB-së vazhdon të jetë simbolikisht në shifra që mezi arrijnë pesë për qindëshin. Mirëpo, MPB ka bërë të ditur se përfaqësimi është dukshëm i përfaqësuar dhe se ata nuk bëjnë dallime se në cilat njësite janë të përfaqësuar pjesëtarët e bashkësive etnike, por sipas tyre, me rëndësi është se ata siç thuhet janë të gjithë pjesëtarë të MPB-së. Edhe përkundër alarmit të këtyre problemeve, deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar, por edhe heshtje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
NOA/INA