English

Me Gërdeckushtetutëm s’ka liri demokracie në Shqipëri

Nga Andrea Stefani

Mbështetësit e Berishës kanë nxituar të dalin kundër një ideje ende të opozitës për rishikimin e Kushtetutës dhe korrigjimin e amendimeve që iu bënë asaj më 21 prill të vitit 2008. Kuptohet pse e bëjnë këtë. Pavarësisht nga ç’thonë, synimi është të mos ndryshohet Kushtetuta, e cila në gjendjen që është katandisur nuk ofron më liri e demokraci, por vetëm autokratizëm dhe sundim të Shqipërisë nga klani politik berishist. Por e kanë kot që rreken ta sabotojnë korrigjimin e Kushtetutës, duke u ngjirur sikur një gjë e tillë bëhet për hatër të Edi Ramës. Sepse sot korrigjimin e Kushtetutës e kërkojnë shumë nga ata që kundërshtuan amendimet e saj në prill të vitit 2008, duke kritikuar fort autorët e tyre, përfshi edhe Edi Ramën. Prandaj korrigjimi për të çrrënjosur autoktratizmin nga dokumenti themeltar i shtetit dhe për t’i rikthyer atij shpirtin liberalo-kushtetues, para se të jetë kauzë e PS-së apo e Ramës, është kauzë e jo pak partive, politikanëve, gazetarëve, segmenteve të shoqërisë civile. Radhët e tyre do të shtohen tani që me këtë kauzë është rreshtuar dhe partia më e madhe e opozitës. Dhe beteja për Kushtetutën do të ndajë përfundimisht dhe qartë palët, kush është për një demokraci liberale dhe kush është për autokratizmin. Përfshi edhe ndërkombëtarët.

* * *

Kryeministri Berisha do t’i mbrojë me thonj e me dhëmbë amendimet e Kushtetutës. Pse? E ka thënë Ilir Meta që sot nuk bërtet më kundër “Gërdeckushtetutës”. Ka thënë se ato amendime e shndërruan Republikën Demokratike në një Republikë Kryeministrore. Meta e kish shumë saktë, pavarësisht se sot thotë të kundërtën. Gjë që s’përbën argument tashmë kur shihet qartë se sa paturpësisht e dredhin politikanët për interesa pushteti dhe përfitimesh. Por është fakt se shumë shpejt Berisha do të jetë kreu i gjithçkaje në shtet. Edhe i legjislativit, edhe i ekzekutivit, edhe i presidencës, edhe i gjyqësorit, edhe i prokurorisë edhe i shërbimit sekret. Do të ndodhë në momentin që ai do të zgjedhë Presidentin e ri me 71 votat e qeverisë. Do të ndodhë kur të zgjedhë Kryeprokurorin e ri. Ky përqendrim i llahtarshëm pushtetesh në një dorë të vetme mund të prodhojë vetëm autokratizëm absolut dhe aspak liri e demokraci. Dhe absolutizmi ka për produkt vetëm korruptimin absolut, si dhe padrejtësi edhe më absolute. Berisha dhe berishistët do t’i mbrojnë amendimet e Kushtetutës, sepse duan ta realizojnë sundimin autokratik dhe korruptiv “në përputhje me Kushtetutën”. Ndryshimet e 21 prillit i kanë dhënë mundësi Berishës të realizojë një sundim kushtetues, një mbytje “kushtetuese” të lirisë e demokracisë në Shqipëri, të përdorë Kushtetutën si gjethe fiku të autokratizmit. Prandaj do t’i mbrojë.

* * *

Që projekti i lirisë dhe demokracisë në Shqipëri të jetëgjatësohet dhe t’i shërbejë integrimit të saj në Europë, kërkohet që të korrigjohet Kushtetuta e deformuar autokratikisht. Çështja shtrohet: ose korrigjohet Kushtetuta dhe vazhdon projekti i lirisë dhe demokracisë, ose ajo nuk ndryshon dhe Shqipëria zhytet përfundimisht në një kënetë autokratike. Ndodhemi në një udhëkryq mes lirisë dhe demokracisë nga njëra anë dhe autokratizmit në anën tjetër. Erdhi përsëri momenti për të kërkuar liri-demokraci! Të pretendosh të kundërtën do të thotë t’i shërbesh autokratizmit dhe antidemokracisë. Do të thotë të pretendosh se mund të ketë liri dhe demokraci pa ndarje reale të pushteteve. Berishistët dhe metistët mund të spërdridhen duke thënë se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ka qejf Edi Rama. Por ka të tjerë që kanë qenë qysh në krye të herës kundër amendimeve. Atyre nuk mund t’u thuhet kollaj “jo” me broçkulla të tilla. Dhe ata do të kërkojnë që Kushtetuta të ndryshohet për t’u rivënë në shërbim të lirisë dhe demokracisë, jo të Ramës apo kujtdo qoftë. I kundërshtuan dje amendimet si autokratike, duke pasur në krah Metën dhe përballë Ramën dhe Berishën, i kundërshtojnë edhe sot duke pasur në krah Ramën dhe përballë Metën e Berishën. Dhe i kanë kundërshtuar amendimet edhe kur ato i lakmonin Berisha së bashku me Ramën. I kundërshtojnë edhe sot kur ato mbrohen nga Meta dhe Berisha. I kanë kundërshtuar, sepse e dinin dhe që në lojë është natyra e sistemit. Se pavarësisht kush do të ishte Kryeministër, Rama, Berisha apo Meta, në Shqipëri nuk do të kishte më vend për liri e demokraci, por vetëm për sundim autokratik. Sepse me amendimet e Kushtetutës themelet e sistemit do të autokratizoheshin. E si mund të shpresohet të ndërtosh një godinë demokratiko-liberale mbi themele autokratike?! Problemi është shumë i qartë për t’u turbulluar nga demagogët e pushtetit. Aq më pak mund të bindin shqiptarët, duke nxjerrë kundër korrigjimit të Kushtetutës apo Kodit Zgjedhor Ilir Metën, që deri dje kërkoi deri edhe referendum për Kushtetutën dhe hyri në grevë urie për Kodin Zgjedhor. Amendimet janë të këqija dhe antidemokratike kur ti je në opozitë, por u bëkan befas të mira dhe demokratike kur t’i vjen në pushtet?! Vështirë se berishistë dhe metistët mund të gënjejnë dot njeri me magjinë banale “dallëndyshe ktheje ndryshe”. Përjashto ata që kanë interes të mashtrohen. Kauza e korrigjimit të Kushtetutës është shumë më e gjerë sesa interesat e ngushta të disa politikanëve. Asaj duhet t’i bashkohet gjithë pjesa e shoqërisë civile shqiptare që aspiron liri dhe refuzon të futet në një zgjedhë të dytë autokratike 20 vjet pas rënies së zgjedhës komuniste. Ndërkaq, bashkëfajtorë në tolerimin e amendimeve autokratike të Kushtetutës, asaj duhet t’i bashkohen edhe ndërkombëtarët. Sepse pa një gjë të tillë edhe misioni i tyre për integrimin e Shqipërisë me botën perëndimore të lirisë, degjeneron në gënjeshtër dhe hipokrizi.

KOMENTE