English

Minatorët 1 400 metra nën tokë, “topi” pasohet nga Nikollaj tek ACR

Bulqizë, 6 gusht 2011, NOA/Albana Qehajaj – U mbyll dita e 13-të e grevës së urisë 1 400 metra nëntokë në Bulqizë. Minatorët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre japin sinjalet e rëndimit të skajshëm të gjendjes shëndetësore, ndërsa nuk ka ende asnjë dritë jeshile për një paqe të mundshme mes tyre dhe kompanisë koncensionare ACR.

Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikollaj bëri apel sot që METE dhe ACR të marrin masa dhe të plotësojnë kërkesat sepse në të kundërt minatorët do të flijohen në minierë. Po sot, u dha edhe alarmi se miniera po kërcënohet përmbytja nga uji.Pompat e posaçme të ujit në minierë nuk janë vënë në punë.

Kompania koncesionare “ACR” u ka konfirmuar rritjen e pagës në masën 20% si dhe fton palët të ulën për bisedime të mëtejshme me qëllim zgjidhjen e situatës së krijuar në Bulqizë. Përmes një letre, administrator i ACR-së Giga Bedineeishvili ju është drejtuar punonjësve të minierës së Bulqizës që të shmangin grevën e urisë dhe të rikthehen në punë.

Por nga ana tjetër, kryetari i konfederatës së sindikatave Kol Nikolla i është drejtuar prokurorisë së Tiaranës përmes një kallëzimi penal kundrejtë administratorit të firmës austriake ACR, të cilin e akuzon për shfije dhe manipulim të situatës së grevistëve. Megjithatë, minatorët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, u bëri sot thirrje negociatorëve, drejtuesve, minatorëve si dhe palëve që akuzojnë njëra- tjetrën, të ndalojnë akuzat e ndërsjellta që po përpiqen ta çojnë në rrugë pa krye këtë situatë. “Miniera e Bulqizës është pasuri kombëtare dhe asnjë palë apo individ nuk duhet të luaj për interesa personale me këtë pasuri. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, edhe njëherë i bënë thirrje palëve të rinisin urgjentisht dialogun për gjetjen e një marrëveshje dhe të arrihet zgjidhja konsensual mes tyre”, theksohet në deklaratë zyrtare të METE. Në përplasjen mes minatorëve dhe kompanisë private austriake sot u përfshi edhe LSI, e cila bëri thirrje për gjetjen e një rruge dialogu për të arritur një marrëveshje pas hyrjes në grevë urie të 16 minatorëve. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela tha se, "LSI shpreh keqardhjen e saj, se marrëdhëniet mes kompanisë private ACR dhe minatorëve të Bulqizës, i detyruan ata të futen e të ngujohen në grevë urie".

a.q/NOA

KOMENTE